2016-07-01 00:00:00

Shenjtorët e Javës 3 - 10 korrik


E diel 3 korrik, Kisha katolike kremton të Dielën e 14-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 3 korrik, kalendari përkujton shën Tomën apostull. Figurë shumë e dashur për Kishën e besimtarët e krishterë kudo në botë, Toma, peshkatar si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘Binjak’. Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”.

Të hënën më 4 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Shën Elizabetën (Izabelës) e Portugalisë. Liturgjia na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypun padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit. 

Të martën, më 5 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Ndoun Maria Zakaria. Shenjti është themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit.  Shën Anton Maria Zakariae na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit!  Po kujtojmë se këtë ditë Bijtë e bijat e Shën Ndout Maria Zakarisë , pra Barnabitët e Motrat Engjëllore, që prej vitesh me mision në Shqipëri e Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre.

Të mërkurrën më 6 korrik, kalendari përkujton festën e Shën Maria Goretit, virgjër e martire; Papët e Shenjtë të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit dhe shën Marinë Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të Shën Pjetrit Klaver. Ungjilli i ditës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farizejtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë shkandullisht larg nga mëshira hyjnore. 

Të enjten më 7 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit dhe Shën Benediktin XI, papë. Liturgjia e ditës na kujton  se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pijmë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.
 
Të premten më 8 korrik, kalendari Kishtar përkujton shenjtorët Eugjeni III papë dhe Aquila e Prishila, nxënës të Shën Palit. Liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap. 

Të shtunën më 9 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Agostin Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë; Shën Adrianin III papë; e Shën Veronikën Gjulianit, abateshë, klarise kapuçine.Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të vdekur. 

Të dielën e ardhshme më 10 korrik, Kisha do të kremtojë kremton të Dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, e po më 10 korrik, kalendari përkujton edhe shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës na paraqet kërkesën qendrore e rrënjësore të moralit të krishterë: dashurinë. Të jemi të vëmenshëm e të kujdesimi sipas shëmbëlltyrës së samaritanit të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.