2016-07-01 15:19:00

Papa takohet me kryebashkiaken e Romës, që preket nga humanizmi i Françeskut


Papa Françesku priti sot, në Vatikan, kryetaren e re të bashkisë së Romës, Virginia Raggi. Për këtë takim, ta dëgjojmë vetë kryebashkiaken Raggi, në mikrofonin tonë:

 Pyetje: - Zonja Raggi, si kaloi vizita te Papa?

Përgjigje - Kaloi shumë mirë, ishte tepër emocionante. Hera e parë që e takoja Papën. Pashë se është njeri vërtet human: mbeta e prekur thellë.

Pyetje: -  Sa është i rëndësishëm për ju, si politikane, shpërblimi moral e shpirtëror i Romës?

Përgjigje: - Është  i rëndësishëm, aq më tepër pas ngjarjeve tragjike, që njihen me emrin “Mafia e kryeqytetit”, por që, në të vërtetë, kanë të bëjnë me shumë vite të një politike vërtet të keqe. Është e nevojshme që romakët, si njerëz e si qytetarë, ta kuptojnë se ka disa gjëra, që shkojnë përtej së mirës së tyre personale; e kam fjalën për të mirën e përbashkët, për interesin e përgjithshëm, diçka që e kapërcen anësinë dhe egoizmin. Besoj se e kemi për detyrë t’i bëjmë tonat këto vlera, t’i çojmë në administratë e në të gjitha institucionet.

Pyetje: - Si e shikoni rolin e Kishës në shoqërinë romake?

Përgjigje: - Kisha ka, sigurisht, një rol tejet të rëndësishëm në të gjithë Italinë, por në Romë ky rol është i veçantë, edhe pse është e shtëpisë, jemi fare pranë e shikojmë gjithçka ngjet “përtej Tiberit”. Dëshiroj të them  dhe se i kam vlerësuar shumë fjalët e Enciklikës “Lëvduar qofsh”. Më duket  jashtëzakonisht moderne e aktuale: e kam fjalën për ndryshimet klimaterike, urbanistikën, peisazhin… Enciklika thekson sesi nga një herë  trajtohen pa respektuar as rregullat, as frymën e bashkësisë, e aq më pak, njerëzit e ligshtë. Duhet të them se në këtë enciklikë flitet shumë për shoqërinë romake të sotme.

Kjo, një pjesë e intervistës, në të cilën më pas preken edhe probleme të tjera, si jeta praktike e një qyteti të madh si Roma, kontrasti ndërmjet pasurisë e varfërisë, vendasve e emigrantëve, roli i familjes, e, së fundi,  çështja e Olimpiadës, që lidhet me shpenzime shumash marramendëse e që do të shtonte një borxh prej 13 milion eurosh, që duhet të paguajnë qytetarët, për drejtimin e veprimtarive të jashtëzakonshme. Më duket  e tepërt t’u ngarkojmë mbi shpinë borxhe të tjera, tha kryetarja e re e bashkësisë, pa harruar se nuk dëshiron ta çojë Romën në nivele të ulta, që nuk i meriton. 








All the contents on this site are copyrighted ©.