2016-07-01 00:00:00

Papa: genocidet duhen quajtur me emrin e vet, që të mos përsëriten!


Shumë zhurmë vijon të bëhet rreth fjalës së kobshme “genocid”, shqiptuar përsëri nga Papa Françesku gjatë shtegtimit të tij në Armeni. Dikush mendon se nuk duhet kujtuar, sepse e ngacmon, e edhe e fyen ndokënd. Natyrisht, jo atë, që e pësoi. Po Papa Françesku nuk di të “hedhë gurin e të fshehë dorën”.

Fjalët e tij janë të drejtpërdrejta, pa maska e dredhime, me vulën e së vërtetës në ballë. E kjo, sepse Françesku nuk ka frikë nga reagimet, i vetëdijshëm se e vërteta duhet thënë, ndonëse shpesh është shumë e hidhur. Edhe kur ritregohet pas shumë vjetësh…

E Papa na e shpjegon, në takimin me gazetarët ç’e shtyu ta përdorë fjalën “genocid”:

“Në Argjentinë - pohoi - kur flitej për shfarosjen e armenëve, përdorej gjithnjë fjala “genocid”. Unë nuk dija ndonjë fjalë tjetër. E, në katedralen e Buenos Ajres, në elterin e tretë më të majtë, kemi vënë një kryq guri, duke kujtuar “genocidin armen”. Erdhi kryeipeshkvi - dy ipeshkvijtë armenë – katoliku e apostoliku, e e përuruan… Edhe kryeipeshkvi apostolik i Kishës katolike të Shën Bartolomeut ka bërë një elter në kujtim të kësaj masakre… E prej këndej, ndoshta, unë nuk dija ndonjë fjalë tjetër. Shprehjet “E Keqja e Madhe”, ose “Tragjedia e tmerrshme” dolën më vonë, po unë nuk di t’i them në armenisht.  E mandej më thonë se kjo është fyese, kjo e “genocidit”, fjalë që nuk duhet thënë. Po unë e kam thënë gjithnjë se numërohen tre genocide. I pari, ai armen, pastaj, ai i Hitlerit e i fundmi, i Stalinit. Tre. Janë tre! Ka edhe të tjerë, më të vegjël, në Ruandë të Afrikës, për shembull, po në orbitën e luftërave të mëdha, janë këto të tre. E unë natyrisht pyeta pse nuk u dashka thënë. M’u përgjigjen se disa mendojnë që nuk ishte “genocid”, se mund të thuhet “shfarosje”, por jo genocid, sepse kjo ka pas edhe dëmshpërblimet. Vitin e kaluar, kur përgatisja fjalimin, pashë se edhe Gjon Pali II e kishte përdorur  fjalën. I kishte përdorur të dyja fjalët: “genocid” e edhe e “Keqja e Madhe”. E unë e citova në thonjëza të parën. Pasoi menjëherë një deklaratë e qeverisë turke  e Turqia, në pak ditë, e thirri në Ankara ambasadorin… Provuam një agjërim ambasadorial… Po kishte të drejtë të protestonte. Të gjithë e kemi këtë të drejtë. Ju kujtoj se në fillim, në fjalimin tim, nuk ishte fjala “genocid”. Po unë e shtova. Pse? Duke ndjekur tonin e fjalimit të presidentit e duke kujtuar edhe timin në të kaluarën, kur e kisha thënë publikisht në Shën Pjetër, m’u duk vërtet e çuditshme të mos e thoja tani”.

Besoj - kujtoi Papa - se  Hitleri, kur deshi t’u sulej hebrenjve, do të ketë thënë me vete: “E kush kujtohet sot për armenët? T’u sulemi, si atyre, edhe hebrenjve!”.

Historia përsëritet! E qëndrimi i Papës - thellësisht objektiv e pa asnjë qëllim fyes - na e kujton këtë. Biseda me gazetarët, në sa kthehej nga një shtegtim aq prekës, si ky i Armenisë, vendit, që identifikohet me Kryqin e që nuk dëshiron t’i harrohet tragjedia, aq më pak, t’i përsëritet, është me vlerë për të gjithë popujt, të cilët gjejnë, në Papën, avokatin më të mirë e më të sinqertë, për t’ua mbrojtur të drejtat në tryezën e kombeve!

E të gjitha kombet, pa përjashtim, dëshirojnë ta shkruajnë historinë e tyre të vërtetë, pa frikë se do të dalë ndokush e t’i kundërshtojë, për të fshehur faqet e turpshme e kriminale të historisë së vet.

Argument i vështirë, ky, që do të vijojë të rrihet në vende e në kohë, me e pa synime për të fyer kënd, me e pa objektivitet, domethënë me e pa dëshirën sinqertë për t’i quajtur ngarjet me emrin e vet: në këtë rast, genocidin, genocid! Si avokati i madh i popujve, Françesku!








All the contents on this site are copyrighted ©.