2016-07-01 14:00:00

Kardinal Ravasi priti ministrin kosovar të kulturës Shala


Kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinalin Gianfranco Ravasi, priti dje në një takim në Vatikan, Ministrin e Kosovës për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Shala,  shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti.

Në takimin e përzemërt ndërmjet Kardinalit Ravasi e Ministrit Shala, u bisedua për disa çështje me interes të përbashkët. U fol për hapësirat që mund të ekzistojnë për një bashkëpunim kulturor ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kosovës. Në këtë drejtim Ministri Shala dhe Kardinali Ravasi, biseduan për mundësitë konkrete të një bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Vatikanit, në fushën e kulturës.

Kardinali Ravasi shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve kulturore të Vatikanit për një bashkëpunim mbi tema e fusha specifike që kanë të bëjnë me kulturën, sidomos të institucioneve kulturore të Kosovës me Muzeun e Vatikanit, me Universitetin Papnor Urbaniana, me Universitetin Papnor Gregoriana, me Bibliotekën Apostolike, Arkivat, si dhe me Institutin e Konservimit të Librit.

Ministri Shala shprehu falënderimet e tij për pritjen dhe u shpreh se bashkëpunimi konkret në fushën e kulturës ndërmjet Kosovës dhe institucioneve kulturore të Vatikanit, është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Ai shtoi se Kosova dëshiron të përfitojë nga përvojat e jashtëzakonshme të Vatikanit në fushat specifike që lidhen me kulturën, sepse në këtë mënyrë ndihmohet kultura e vendit tonë. 

Më hollësisht mbi këtë, në mikrofonin e Radio Vatikanit të dëgjojmë ministrin kosovar të kulturës, Kujtim Shala mbi takimin me Kardinalin Ravasi...








All the contents on this site are copyrighted ©.