Atë Zef Valentini (1900-1979) në përvjetorin e lindjes, një jetë e tërë në shërbim të popullit shqiptar. Veprimtaria e misionarëve etërve jezuitë në Shqipëri e ndër shqiptarë u përqendrua kryesisht në dy fusha: apostullimin ungjillor e kultivimin e kulturës. Në këto dy fusha ata shkrinë pa kursim të gjitha energjitë e tyre shpirtërore, intelektuale, morale, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme. Ndërmjet tyre, i paharrueshmi Atë Zef Valentini, njeriu me jetë të lodhshme, jezuiti të cilit iu deshën shumë mund, djersë e shqetësime, për të lënë pas vëllime e vëllime të tëra për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve.
Jezuiti Atë Zef Valentini lindi në Padovë më 1 korrik 1900, por jetoi më shumë
në Shkodër, ku njohu virtytet racore, vlerat intelektuale e shpirtin patriotik të
popullit shqiptar. Këndej, krijoi një lidhje të fortë e të sinqertë shpirtërore, e
cila ia ushqeu e ia mbajti gjallë dëshirën fisnike që të punonte për vendin e misionit.
Edhe kur u largua nga Shqipëria, s’pushoi së lypuri ndihma e s’u zhyturi ndër arkiva,
në kërkim të dokumenteve të reja për historinë e vendit, i cili e konsideronte të
padëshirueshëm. Mbeti jashtë tij, por duke jetuar e duke punuar përherë në një mjedis
shqiptar. Ndër miqtë e bashkëpunëtorët e tij po përmendim Ernest Koliqin, Karl Gurakuqin,
Martin Camajn…, me të cilët dha kontributin e vet të vlerësuem e të vlerësueshëm për
dobinë e kulturës shqiptare.
I konsideruar si armik nga regjimi komunist, i akuzuar si spiun i Vatikanit, i sulmuar
me armën e tmerrshme të harresës, Atë Valentini vijon të mbetet një nga figurat më
të shquara në kulturën shqiptare.
E gjatë, lista e veprave që shkroi, duke nisur nga ‘Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët
e para”: ‘Biografi e Garcia Morenos”; përkthimi i ‘Polieucte’ të Kornejt e ‘ Sauli’
të Alfierit; “Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve’; ‘Kronologji mbi historinë
e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII; ‘E drejta e komunitetit në traditën
juridike shqiptare”(1956), “Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”(1969); “E drejta juridike
shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”; Revista “Letture” (Themeluar
prej tij në vitin 1946 në Itali); “Shkodra dhe poeti i saj” (Kushtuar Ernest Koliqit);
‘Fishta’ (studim për Gjergj Fishtën) etj, etj. Kujtojmë se vetëm në revistën ‘Shêjzat”
botoi mbi njëqind artikuj e studime, që prekin të gjitha fushat e kulturës.
Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste dhe e shkruante
shqipen më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën shqiptare, atë që pak shqiptarë
e kanë bërë.
Për kontributin e madh që dha si njeri kulture e si bari shpirtrash në Shqipëri, e
kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët që tha për të Papa Pali VI më
25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në
Romë: “Shqiptarë, duenie At Valentinin, se Ai ju dashunon me zemër. Çmonie se Ai punon
pa prâ, për t’ia ba të njohun botës vlerat shpirtnore e artistike tueja. Ai asht i
jueji, pse ia ka kushtue çashtjes suej menden e zemrën e vet”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |