2016-06-30 08:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: veshja e të zhveshurve, vepër mëshire. Domethënien e saj në historinë.


Çelësi i fjalëve: veshja e të zhveshurve, vepër mëshire. Domethënien e saj në historinë.  Sot, historia e Adamit dhe e Evës. Pra, vijojmë, rubrikën tonë radiofonike të së enjtes, me një vepër të re mëshire: veshja e të zhveshurve. Për veshjen e për domethënien e saj në historinë e njerëzimit flitet shumë në Bibël, gjë, që na bën të kuptojmë pse është kaq e rëndësishme kjo vepër e mëshirës. Ja, historia e Adamit dhe e Evës.

Rruga e njeriut nga lindja deri në vdekje përshkohet nga lakuriqësia. “Lakuriq dola nga kraharori i nënës e lakuriq do të kthehem atje”, thuhet në Librin e Jobit (1,21). Jeta fillon e përfundon në këtë mënyrë. Njeriu, kur lind e kur vdes, ka nevojë për ndihmën e të tjerëve që të vishet, ndërsa gjatë gjithë jetës, s’bën tjetër, veçse pret e qep veshje me duart e veta, ose me ndihmën e Zotit.

Në Besëlidhjen e Vjetër, lakuriqësia i referohet humbjes së dinjitetit të njeriut dhe pranimit të kufirit ekzistencial të tij. Menjëherë pas krijimit, burri e gruaja u mbështollën nga lavdia e Zotit. U mbështollën me dritë, prandaj mund ta shihnin njëri-tjetrin me sy të pafaj, pa turp. Jetonin në paqe, sepse pranuan të jenë krijesa para Krijuesit të tyre, por duke i hapur vend mëkatit, duke dashur të bëhen si Zoti, lavdia, që i mbështillte, zhduket dhe ata e shohin se janë lakuriq e u vjen turp. Është pikërisht çarja ndërmjet korpit e shpirtit, shkaktuar nga mëkati, ajo që bën të lindë turpi, si mekanizëm mbrojtës.

Pafajësia zhduket nga sytë e Adamit e të Evës, që e konceptojnë lakuriqësinë si një lloj çnderimi. Nuk janë më njëri për tjetrin, por secili fillon të mendojë për vete e për mënyrën si të fshihet nga tjetri, prandaj kërkojnë gjethet e fikut për t’u mbuluar me to. Secili prej tyre dëshiron ta fshehë intimitetin e vet nga frika e diçkaje të errët e të panjohur, të cilën e shohin si kërcënim. Jo vetëm kaq, por fshihen edhe nga frika se mos Zoti e sheh ç’kanë bërë.

Por Hyji, Zoti i mëshirshëm e hirplotë, që shqetësohet për krijesën e bërë sipas ngjashmërisë me të, u gjen tunika lëkure dhe i vesh, që të qëndrojnë sërish përballë njëri-tjetrit e përpara Tij, pa frikë e pa u fshehur. Zoti i ndihmon ta mbulojnë brishtësinë e tyre, duke kujtuar, me këtë gjest, se është Atë, që kujdeset gjithnjë për bijtë e vet. Mantelet e lëkurës janë imazhi i premtimit për kthimin e ardhshëm të dinjitetit të vërtetë të bijve të Hyjit, që do ta arrijnë kur Krishti, i ngjallur së vdekurish, do të zbresë në ferr e do t’i marrë për dore për t’i lartuar në Parajsë e për t’i mbuluar sërish me veshjet e lavdit.

Pra, veshja ka kuptimin e kthimit të dinjitetit të humbur, është akt dashurie e drejtësie. Do të thotë ta bësh njeriun të rilindë për jetën e përditshme, duke i dhuruar një personalitet, që e bën të denjë të jetojë me të tjerët.








All the contents on this site are copyrighted ©.