2016-06-30 17:19:00

Cor Unum: kurs formimi për ndihmat humanitare në Lindje të Mesme


Në kuadrin e krizës humanitare siriane Këshilli Papnor Cor Unum ka organizuar një kurs formimi për ipeshkvij, rregulltarë e personelin teknik të impenjuar në aktivitetet e bamirësisë.

Kursi i formimit, në program nga 29 qershor deri më 2 korrik në afërsi të Bejrutit, në Liban, është organizuar nga Cor Unum në bashkëpunim me tre organizma katolikë të bamirësisë – Catholic Relief Service (CRS), Aid to the Church in Need (ACN) dhe Missio.

Në kurs, marrin pjesë 11 ipeshkvij, përfaqësues të instituteve të ndryshme rregulltare mashkullore e femërore, personeli i impenjuar në veprimtarinë karitative nga Siria, prej dioqezave të ndryshme të vendit e të rajonit. Për Cor Unum është i pranishëm sekretari, mons. Giampietro Dal Toso; edhe nunci apostolik në Siri, mons. Mario Zenari, që i përcjell punimet.

Nisma u vjen në ndihmë nevojave dhe kërkesave që kanë paraqitur përfaqësuesit e organizmave të bamirësisë dhe ipeshkvijtë e vendit, gjatë mbledhjes së tretë, mbajtur gjithnjë mbi krizën humanitare në Siri, në Irak e në vendet tjera fqinje, organizuar nga Cor Unum më 17 shtator 2015.

Synimi i sesionit të punimeve në Liban, pra, është ai i thellimit të elementeve bazë për përgatitjen e projekteve dhe zbatimin e tyre nga organizmat e Karitasit, të bamirësisë e nga dioqezat e veçanta kombëtare, që janë të përfshira në shpërndarjen e ndihmës humanitare në kontekstin e krizës së Lindjes së Mesme.

Programi i kursit artikulohet në disa ditë e parashikon, përveç formimit teologjik, takime të veçanta për ipeshkvij e rregulltarë. Më tej është edhe një sesion për personelin teknik të dioqezave, kushtuar analizës së metodologjisë projektuese në fushën humanitare. Ditët 1 e 2 korrik përqendrohen mbi aspektet e veçanta të “capacity building” e “Project managmenet”, si dhe mbi analizimin e fazave të realizimit të projekteve: programimin, planifikimin, zbatimin, përfundimin e llogarinë.

Kriza në Siri, Irak e vendet fqinje vazhdon të jenë në qendër të shqetësimeve të Selisë së Shenjtë e të Komunitetit ndërkombëtar për situatën e rëndë që është krijuar si pasojë e luftës. Sipas të dhënave, nga viti 2011 konflikti në Siri thuhet se ka shkaktuar deri më tani afër 400 mijë viktima e 2 milion të plagosur. Aktualisht janë më shumë se 2 milion njerëz që kanë nevojë për ndihmë në Siri e mëse 8 milion në Irak; refugjatët e brendshëm janë më shumë se 6 milion në Siri e më shumë se 3 milion në Irak, ndërsa së paku 4 milion janë refugjatë sirianë në mbarë zonën e Lindjes së Mesme:1,9 milion në Turqi, 1,1 milion në Liban, më shumë se 600 mijë në Jordani.








All the contents on this site are copyrighted ©.