2016-06-30 13:53:00

Papa: mëshira nuk është fjalë abstrakte, por stil jete


Papa Françesku mbajti sot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, audiencën e përgjithshme, e fundmja para pushimeve verore. Gjatë korrikut ndërpriten audiencat e përgjithshme të së mërkurës. Sot paradite Papa ia kushtoi katekizmin veprave të mëshirës:

Sa herë gjatë këtyre muajve të parë të Jubileut - kujtoi - dëgjuam të flitet për veprat e mëshirës! E sot Zoti na kërkon ta rrëmojmë seriozisht ndërgjegjen, për të mos harruar se  mëshira nuk është fjalë abstrakte, por stil jete: mund të jem ose mund të mos jem i mëshirshëm. Tjetër gjë është të flasësh për mëshirën, tjetër ta jetosh.

Duke kujtuar fjalët e Shën Jakut Apostull (krh 2, 14-17), Papa theksoi edhe një herë fort se mëshira pa vepra është e vdekur. Çka e ngjall mëshirën, është takimi i vazhdueshëm me nevojtarët, përpjekja për t’i njohur nevojat e tyre materiale e shpirtërore,  e për t’i ndihmuar konkretisht:

Mëshira ka sy për të parë, veshë për të dëgjuar, duar për të lehtësuar. Jeta e përditshme na krijon mundësitë t’i prekim me dorë kërkesat e shumta të njerëzve më të varfër, më të munduar. Ne na kërkohet vëmendje e veçantë, për t’i parë vuajtjet e nevojat, që kanë vëllezërit e motrat tona. Nganjëherë kalojmë para situatave të një varfërie dramatike, e na duket se s’kanë të bëjnë fare me ne; gjithçka vijon si të mos kishte ndodhur asgjë, me një indiferencë, që arrin në hipokrizi e, krejt pa u kujtuar, përfundon në një formë dremitjeje, që ta bën shpirtin të pandjeshëm e jetën e shterpë.

Më pas, duke folur lirisht, Papa Françesku shtoi:

“Njerëzit që kalojnë, që shkojnë nëpër jetë pa pyetur për nevojat e të tjerëve, pa i parë fare nevojat e shumta shpirtërore e materiale, janë njerëz, që kalojnë pa jetuar, njerëz, që nuk u shërbejnë të tjerëve. Kujtojeni mirë, eh? Kush nuk jeton për të shërbyer, nuk shërben për të jetuar”.

Sa të shumta janë aspektet e mëshirës së Zotit për ne – kujtoi në vijim Ati i Shenjtë bergoglio - e ashtu si Zotit, edhe ne na drejtohen një mori fytyrash, për të na kërkuar mëshirë. Kush e provoi në jetë mëshirën e Atit qiellor, nuk mund të rrijë duarkryq para nevojave të vëllezërve. Mësimi i Jezusit, që e kemi dëgjuar, nuk të lë asnjë shteg të lirë, për të ikur: “ Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë’(krh Mt 25 , 35.36):

“Nuk mund të bishtnosh  përballë njeriut që ka uri: duhet t’i japësh të hajë!  Na e thotë vetë Jezusi. Veprat e mëshirës nuk janë tema teorike, por dëshmi konkrete. Të detyrojnë t’i shpërvjelësh mëngët, për të lehtësuar vuajtjen”.

Për shkak të ndryshimeve të botës sonë të globalizuar, disa nga varfëritë materiale e shpirtërore janë shtuar: t’i japim, prandaj, hapësirë fantazisë së  bamirësisë, për të gjetur mënyra të reja vepruese. Në këtë mënyrë udha e mëshirës  do të bëhet gjithnjë më konkrete. Ne na kërkohet të rrimë zgjuar, si rojeve të natës, për të mos ndodhur që para varfërive të prodhuara nga shoqëria e mirëqenies,  syri i të krishterëve të ligështohet e të bëhet i paaftë për të shikuar themeloren.

Më pas, gjithnjë jashtë teksti, Papa shtoi:

 “Por, ç’do me thënë të shikojë themeloren? Ta shikojë Jezusin në të uriturin, në të burgosurin, në të sëmurin, në të zhveshurin, në njeriun e papunë, që duhet të mbajë familjen. Ta shikojmë Jezusin në këta vëllezër  e motra tona, në atë, që ka nevojë të ecë me Zotin në heshtje, që ta ndjejë veten të shoqëruar. Këto janë veprat, që kërkon Jezusin nga ne: ta shikojmë Jezusin në ta, në këta njerëz, pse? Sepse Jezusi më shikon mua e na shikon të gjithëve pikërisht kështu”.

Gjatë audiencës, Papa foli edhe për vizitën e tij në Armeni. Këto ditë - kujtoi - Zoti më ndihmoi të vizitoj Armeninë, Kombin e parë që përqafoi  krishterimin, në fillim të shekullit IV: një popull, që në rrjedhë të historisë së vet të gjatë, e dëshmoi fenë e krishterë me martirizim, deri në provën e tmerrshme të shekullit të kaluar:

“E falënderoj Zotin për shtegtimin e i shpreh mirënjohjen Presidentit të Republikës Armene, Catholicos Karekinit II, patrikut e ipeshkvijve katolikë si dhe mbarë popullit armen, që më pritën si shtegtar vëllazërimi e paqeje”.

Françesku kujtoi edhe vijimin e këtij shtegtimi në  Kaukaz:

“Pas tre muajsh, në dashtë Zoti, do të bëj një shtegtim në Gjeorgji e Azerbajxhan, dy vende të tjera të rajonit kaukazik. E pranova ftesën për t’i vizituar këto dy vende, për dy arsye: nga njëra anë, për të vlerësuar rrënjët e lashta të krishtera, të pranishme në këto troje - gjithnjë me frymën e dialogut me fetë e kulturat e tjera -  e nga tjetra - për të inkurajuar shpresat e shtigjet e paqes”.

Historia na mëson se udha e paqes kërkon guxim të madh e hapa të vazhdueshme, duke nisur nga ato më të voglat e duke vijuar me hapa gjithnjë më të mëdha, për të arritur tek takimi me tjetrin”. Pikërisht për këtë - shtoi Papa - urimi im është që të gjithë, e secili, të japin kontributin për pajtim:

“Si të krishterë, jemi të thirrur ta fuqizojmë bashkimin vëllazëror ndërmjet nesh, për ta dëshmuar Ungjillin e Krishtit e për të qenë tharm i një shoqërie më të drejtë e më solidare. Për këtë e kreva gjithë vizitën së bashku me Patrikun e Kishës Apostolike Armene, i cili më përbujti tri ditë në shtëpinë e tij”.

I përqafoj edhe një herë ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltaret e rregulltarët dhe të gjithë besimtarët e Armenisë - theksoi Françesku. - Virgjëra Mari, Nëna jonë, i ndihmoftë të mbeten të patundur në fe, të hapur në takim e bujarë në veprat e mëshirës.

Pas përshëndetjeve drejtuar grupeve të ndryshme, të pranishme në Shesh, posaçërisht anëtarëve të Shoqatës së Këshilltarëve të Punës, që nisën “Festivalin e punës”, Papa kujtoi edhe se sot kremtohet festa e Martirëve të parë të Kishë Romës:

“Të lutemi për ata, që vijojnë ta paguajnë shtrenjt përkatësinë e tyre ndaj Kishës së Krishtit”- shtoi - për të përfunduar me përshndetjet drejtuar të  të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve:

“Të dashur të rinj, uroj që feja të ketë hapësirë e t’i japë kuptim jetë suaj; të dashur të sëmurë, ofrojeni vuajtjen tuaj, që të largëtit ta takojnë dashurinë e Krishtit; të dashur bashkëshortë të rinj, uroj të jeni edukatorë të jetës e modele të fesë për fëmijët tuaj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.