2016-06-29 13:28:00

Festë fishekzjarresh në Romë, në ndihmë të të krishterëve të persekutuar


Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, sot në festën e shën Pjetrit e Palit, Papa Françesku përshëndeti edhe organizatorët e shfaqjes tradicionale piroteknike, “Girandola” që do të jepet sonte në orën 21.30, jo më në Castel Sant’Angelo, sipas traditës shumëvjeçare, por në tarracën romake të Pincio-s. Të hollat që do të mblidhen, do të mbështesin Rojtarinë e Tokës Shenjte, bashkësinë e Fretërve françeskanë, që punon në vendet e Lindjes së Mesme, përfaqësuar nga famullitari i Halebit, atë Ibrahim Sabba. Ndihmat do të përdoren posaçërisht për nevojat më të ngutshme të të krishterëve të persekutuar.

Por, të kthehemi tek Girandola. Drejt qiellit blu të kësaj nate romake fluturojnë fishekzjarre e tinguj muzikorë, në festën e tingujve e të dritave. Është festa e Shën Pjetrit e Shën Palit, Pajtorë të Romës, që i kremton për vit edhe me këtë festë fishekzjarresh, sivjet për herë të dhjetë. Shpërthimi fishekzjarreve do shoqërohet me repertorin klasik të muzikës romantike italiane, në kujtim të kompozitorit Gioacchino Rossini. Do të dëgjohet “Laraska vjedhacake”, që sivjet, me “Berberin e Seviljes”, feston 200 vjetorin  e premierës së operas, dhënë në vitin 1816. Në repertor, edhe “Pishat e Vilës Borghese” nga Respighi dhe “Askush nuk fle” nga “Turandò” e Puccini-t.

Harmonizimi i dritës së fishekzjarreve me muzikën dhe ndriçimin e yjeve në qiellin e pakrahasueshëm blu romak, e bën të pashembullt këtë shfaqje, që ndiqet nga mijëra vetë, edhe përmes radios e smartphonit, me Radio Vaticana Italia (sidomos nga kodrat romake në 105 FM), për të dëgjuar ekzekutimin e simfonive të shkruara enkas për fishekzjarret e lashta.

Shfaqja, e organizuar së pari sipas idesë së Mikelanxhelos, përsëritur, pastaj nga Bernini, u dha së pari në vitin 1481, për nder të papnisë së Sikstit IV. U përsërit disa herë, derisa u shuan artistët, gjenialë edhe në lojën piroteknike. Me ta, u shuan edhe fishekzjarret mbi kështjellën shumëshekullore. 

Kaluan shekuj, para se drita e tinguj të riktheheshin mbi bedenat e Kështjellës, për t’u soditur nga mijëra banorë të Romës, në festë. Rifilluan vetëm në vitin 2008.  E sonte, për herë të parë, do të ndiqen nga tarraca e Pincios.

Është aq e bukur kjo shfaqje dritash e tingujsh, sa të quhet “Mrekullia e kohës”. Pati mahnitur, në rrjedhë shekujsh, shumë shkrimtarë të mëdhenj, që patën fatin ta sodisin. Ndërmjet tyre, Dikensi, që e përshkroi në veprat e tij të famshme; e poeti romak Gioacchino Belli, që i kushtoi tingëllimat e tij. Pa kujtuar këtu piktorët, të cilët e përjetësuan në pëlhurë e muzikantët, që e treguan me tinguj.  








All the contents on this site are copyrighted ©.