2016-06-28 14:21:00

Papa ortodoksëve: mëshira e Zotit është ajo që bashkon


“Kujtimi i përvojës së faljes dhe të hirit të Pjetrit e Palit, Shenjtorët pajtorë të Kishës së Romës i bashkon gjithë besimtarët në Krishtin”. Këtë tha Françesku, duke pritur sot delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, që do të marrë pjesë në kremtimet e nesërme në Vatikan, në festën e Pajtorëve të Romës, Kryeapostujve Pjetër e Pal.

Pavarësisht nga ndryshimet  në “fushën liturgjike, në displinat kishtare dhe në mënyrën e formulimit të së vërtetës së vetme të zbuluar", përvoja e dashurisë së pafundme të Zotit, është ajo, që i bashkon të dyja Kishat. Është mëshira e Zotit, theksoi Françesku duke i drejtuar fjalën Delegacionit të Patriakanës Ortodokse, hallka që i lidh  Kishat e që duhet të bëhet kriter i marrëdhënive reciproke:

“Nëse, si katolikë e ortodoksë, duam t’ia shpallim së bashku mbarë botës mrekullitë e mëshirës së Zotit, nuk mund të kemi ndërmjet nesh ndjenja e sjellje rivaliteti, mosbesimi, mëllefi. Vetë mëshira na çliron nga pesha e së kaluarës, ngarkuar me konflikte e na krijom mundësinë t’i drejtojmë sytë  kah e ardhmja, ku na prin vetë Shpirti i Zotit”.

Më pas Papa kujtoi vizitën e kohëve të fundit ndërmjet refugjatëve e emigrantëve në Kampin e Morias, në ishullin grek të Lesbos, së bashku me Patrikun Bartolomeu dhe kryepeshkopin e Athinës e të mbarë Greqisë Ieromymos II:

“Të shikosh dëshpërimin në fytyrën e burrave, grave, fëmijëve të pasigurt për fatin e tyre, të dëgjosh,  krejt i pafuqishëm, rrëfimet e aventurave të tyre e të ndalohesh në lutje mbi bregun e atij deti, që ka gëlltitur jetën e një mori njerëzish të pafajshëm, ishte një pëvojë tepër prekëse, që na tregoi sa shumë mbetet akoma për të bërë, që t’u sigurohet dinjiteti e drejtësia shumë vëllezërve e motrave”.

Ishte afërsia njerëzore e shpirtërore e Bartolomeut dhe e Ieronymos që më dha ngushëllim të madh - theksoi në vijim Papa – që më pas nënvizoi përgjegjësinë e përbashkët të katolikëve e ortodoksëve ndaj atyre që kanë nevojë, duke iu bindur, kështu, Ungjillit:

“Ta marrim mbi vete, së bashku përgjegjësinë, është detyrë, që ka të bëjë me vetë besueshmërinë të qenit tonë të krishterë. Inkurajoj, prandaj, çdo formë të bashkëpunimit ndërmjet katolikëve e ortodoksëve në veprimtari konkrete në shërbim të njerëzimit të vuajtur”.

Në përfundim, Françesku kujtoi Koncilin Panortodoks, që përfundoi të dielën e kaluar, në Kretë, duke i uruar “fryte të begata, për të mirën e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.