2016-06-28 14:31:00

Koncili pan-ortodoks. Bartolomeu: shkruam një faqe historike


Përfundoi të diel, me kremtimin e Liturgjisë Hyjnore, Koncili Shenjt e i Madh i Kishës ortodokse, që u mbajt këto ditë në ishullin e Kretës. “Shkruam një faqe historie”, tha Patriku ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu I, duke i mbyllur punimet. Kishat vendosën të thërrasin një Koncil çdo  7/10 vjet .

“Apologji e madhe e dialogut” - ishte ky, mesazhi përfundimtar i Koncilit të Shenjt të Kishave ortodokse. U theksua, pra, rëndësia e dialogut  ndërmjet konfesioneve të ndryshme ortodokse, por edhe e dialogut ekumenik me kishat e tjera të krishtera, sepse, siç shpjegoi Patriku Bartolomeu I, “uniteti ortodoks i shërben edhe kauzës së unitetit të të krishterëve”, e pastaj, edhe dialogut ndërfetar, për t’iu kundërvënë shpërthimit të fundamentalizmave, parë si rruga e vetme për besim reciprok, paqe, pajtim. Në këtë drejtim bashkësisë ndërkombëtare iu drejtua një thirrje e fortë, që të bëjë çdo përpjekje të mundshme për zgjidhjen e konflikteve të armatosura në Lindjen e Mesme.

Ishte një punë intensive, me praninë e 290 delegatëve, përfaqësues të 10 Kishave ortodokse, që hartuan 6 dokumente, botuan një Enciklikë si dhe mesazhin përfundimtar, drejtuar “Popullit ortodoks dhe gjithë njerëzve vullnetmirë”. Ishte një takim jo krejt i thjeshtë, si për tematikat e ndërlikuara, që u prekën, ashtu edhe për mungesën e Kishës së Rusisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Antiokisë, që në çastin e fundit, vendosën të mos marrin pjesë. Por - shtoi  Bartolomeu – duke u kthyer në shtëpi, mund të themi se “dhamë edhe një herë provën e unitetit tonë në Krishtin”.

Kishat ortodokse, siç lexohet në mesazhin përfundimtar, hyjnë në mijëvjeçarin e tretë me një sjellje të re dhe e pranojnë  sfidën ta bëjnë këtë, duke mbetur besnike të traditës. Ky Koncil - lexohet - hapi horizontin tonë drejt botës. Kisha ortodokse e ndjen thellë dëshirën e popujve të botës për paqe e drejtësi dhe e shpall Lajmin e Mirë të Shëlbimit të Zotit, duke i kumtuar  lavdinë e Tij dhe mrekullitë e tij ndërmjet gjithë popujve”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.