2016-06-27 10:12:00

Lombardi: shtegtimi i Papës në Armeni, sukses i madh


Në përfundim të shtegtimit të Papës në Armeni, të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Ky shtegtim pati tre aspekte, që u kurorëzuan vërtet me sukses të madh, nëse mund të shprehemi kështu: takimi i Papës me popullin armen, vlerësimi i madh i afërsisë së Françeskut dhe mënyra si e kuptoi Papa historinë e këtij vendi e të traditës së tij të krishterë.

Disa nga çastet themelore ishin: takimi në Pallatin presidencial e pastaj, sidomos, lutja e madhe ekumenike në Sheshin e Yerevanit, që ishte një gjë e jashtzakonshme, sepse një manifestim i tillë fetar lutjeje, në një vend publik, me të gjithë përfaqësuesit e Kombit, besoj se nuk është parë kurrnjëherë, deri më sot!

Pastaj aspekti ekumenik, mikpritja e Catholicos Karekinit të Kishës apostolike armene, që ishte një gjë e mrekullueshme. Papa banoi në shtëpinë e Catholicos Karekinit për tri ditë, prej këndej, qe vërtet një çast shumë të thellë e të sinqertë takimi.

E pati edhe çaste të tjera lutjeje të përbashkët, si gjatë vizitës në Katedralen e Shën Gregorit Ndriçues, pikërisht sapo arriti Papa, ashtu edhe më pas, në Liturgjinë Hyjnore të djeshme, gjatë së cilës pamë gjithë shkëlqimin  e kësaj liturgjie lindore, përshpirtërinë e saj të thellë, domethënien prekëse të adhurimit të misterit eukaristik, e, prej këndej, ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme shpirtërore për ata, që ishin në gjendje të hynin në kuptimin e këngëve, të fjalëve, të riteve. E pastaj dje, ishte edhe Deklarata e përbashkët, dokument që mund të themi se u vuri vulën këtyre tri ditëve të shtegtimit.

Edhe tonet e fjalimeve, posaçërisht nga ana e Papës, qenë një inkurajim tejet i madh për ekumenzmin, për dialogun dhe bashkimin e qëllimeve si dhe për vijimin e udhës drejt unitetit eukaristik. Prandaj mund të them se është një hap i rëndësishëm përpara në rrugën ekumenike, me këtë Kishë lindore shumë domethënëse, që praktikisht identifikohet me Kombin armen.

E pastaj, edhe inkurajimi i katolikëve armenë, që janë bashkësi me numër të paktë, relativisht pakicë, por plot gjallëri, e renditur fort mirë në jetën e vendit. Kjo bashkësi e ndjeu në mënyrë të posaçme praninë e bariut universal  e mundi ta bënte të dukshme edhe praninë e saj, me Meshën në Sheshin e Gyumrit; mundi, pastaj, t’i tregonte Papës, edhe veprimtaritë e veta të dashurisë së krishterë, jetimoren e vepra të tjera bamirëse….

Ishte vërtet festë e madhe, edhe për katolikët armenë, si për ata, që janë të pranishëm në atdheun historik të Armenisë, ashtu edhe për të tjerët, që janë në diasporë, por që ndjehen tejet të lidhur me Atdheun.

Shumë armenë kishin ardhur nga të katër anët e botës, me këtë rast, si nga Kisha apostolike, ashtu edhe nga ajo katolike; ishin të gjithë ipeshkvijtë  armenë katolikë, për shembull, e të gjithë bashkëkremtuan me Papën…

Mendoj se të gjitha këto aspekte u realizuan plotësisht  e mund të shtoj edhe se prania e Papës këtu, si gjithnjë, qe mesazh paqeje për mbarë rajonin, duke shpresuar se kjo do të kuptohet e edhe do të vlerësohet.

Pyetje: - Një pyetje, pikërisht në këtë kuptim. Fakti që Papa përdori fjalën “genocid” shkaktoi edhe reagime; madje u fol deri për “mendësi kryqëtarësh” nga pala turke….

Përgjigje: - Ajo që ka rëndësi është e vërteta e ndjeteve të Papës, që sigurisht nuk kishte për qëllim të bënte kurrfarë lufte fetare, por thjesht t’i vinte parakushtet mbi bazën e njohjes së vuajtjeve të së kaluarës, që në të ardhmen këto vuajtje ose mungesa e respektit për jetën dhe të drejtat e tjetrit, të mos përsëriten kurrë më... Ky, qëllimi i Papës e s’kemi ç’t’i shtojmë tjetër.








All the contents on this site are copyrighted ©.