2016-06-26 12:03:00

Papa Françesku në Armeni: Lutja në Manastirin e Khor Virap


Sot pasdite, pas takimit me delegatët dhe bamirësit e Kishës Armene Apostolike, Papa vizitoi Manastirin e Khor Virap, një nga vendet më të shenjta të Kishës Armene, në kufi me Turqinë, rrëzë Malit Ararat. Një herë burg, ku u kalb së gjalli Gregori Ndriçues, i flakur për 13 vjet rresht në një pus të thellë gjashtë metra e gjysëm,  pastaj manastir, seminar e qendër studimesh, ky vend i dha jetës fetare e kulturore të Armenisë disa nga personalitetet më të njohura. Kisha, e ndërtuar mbi pusin e Shën Gregorit, u shndërrua shpejt në cak shtegtimesh të vazhdueshme nga e gjithë Armenia. Françesku është Papa i dytë, që e viziton këtë vend të shenjtë, pas Shën Gjon Palit, që shkeli këtu më 27 shtator 2001, në përfundim të udhëtimit të tij triditor në Armeni.

Papa Françesku, i shoqëruar nga Catholicos Karekini, vizitoi Sallën e Pusit të Shën Gregorit, ku ndezi një qiri dhe, më pas, iu drejtua Krishtit me këtë lutje:

“O Krisht, Zoti ynë  

prijës i jetës, dhurues i paqes,

na prij me drejtësi të gjithëve

në udhën e hapave të tu,

që, me ndihmë të mëshirës sate ,

të arrijmë qetësisht

në limanin e jetës e të shëlbimit,

sepse ti je ndihma jonë,

Shëlbuesi ynë ti je;

Ty të përkasin  lumnia, pushteti e nderimi

Tash  e përgjithmonë, në shekuj të shekujve. Amen!

Në përfundim të lutjes, Papa e Catholicos dolën me procesion nga kapela, në tarracë, ku lëshuan dy pëllumba të bardhë, që rrahën flatrat drejt majave të Araratit.

Ishte veprimtaria e fundit e Papës, para ceremonisë së lamtumirës në Aeroportin Ndërkombëtar “Zvartnots”  dhe nisjes për udhën e kthimit në Romë/Ciampino.








All the contents on this site are copyrighted ©.