2016-06-26 15:08:00

Papa Françesku e Karekin II, Catholicos: fitoftë paqja, jo fundamentalizmi


Respekti ndaj ndryshimeve fetare është “kusht i nevojshëm për bashkëjetesën paqësore”. Këtë theksojnë sot, në një Deklaratë të përbashkët, Papa Françesku dhe Catholicos Karekin II . Sot, në Etchmiadzin-in e Shenjtë, në Yerevan, qendër shpirtërore e gjithë Armenëve, ne, Papa Françesku e Karekini II, Catholicos i Gjithë Armenëve, i lartojmë mendjet tona e zërat tonë për të falënderuar të Gjithëpushtetshmin për afërsinë e vazhdueshme e gjithnjë në rritje në fe e dashuri ndërmjet Kishës Apostolike Armene e Kishës Katolike, në dëshminë e tyre të përbashkët ndaj mesazhit të Ungjillit, në një botë të tronditur thellë nga konfliktet, plot etje për ngushëllim e shpresë”.

Janë këto fjalët e para të Deklaratës së përbashkët të Papës Françesku dhe Karekinit II, në vijim të së cilës kujtohen çastet më të rëndësishme të takimit ndërmjet dy Kishave, duke nisur nga viti 2001, kur Gjon Pali II vizitoi Armeninë, me rastin e 1700-vjetorit  të shpalljes së krishterimit si fe e vendit, duke hapur një faqe të re në marrëdhëniet ndërmjet dy palëve, për të vijuar me liturgjinë, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë, më 12 prill 2015, në të cilën të dyja palët u angazhuan t’i kundërvihen çdo lloj forme të diskriminimit e të dhunës dhe përkujtuan viktimat e asaj, që Deklarata e Përbashkët e Gjon Palit II dhe Karekinit II e quajtën “shfarosje e një milion e gjysëm të krishterëve të Armenisë, që zakonisht njihet si genocidi i parë i shekullit XX” (27 shtator 2001).

Në Deklaratë të dyja palët falënderojnë Zotin që feja e krishterë është përsëri sot realitet i prekshëm, duke kujtuar, në vijim, tragjedinë e re, të pafundme, të një numri të madh njerëzish të pafajshëm të vrarë, të internuar e të detyruar të marrin rrugët e mërgimit për shkak të konflikteve të vazhdueshme me bazë etnike, politike e fetare, në Lindjen e Mesme e në anë të tjera të Botës.

Si pasojë, pakicat etnike e fetare bëhen pikësynim persekutimesh e trajtimesh mizore deri në atë pikë, sa këto vuajtje për shkak të përkatësisë së një konfesioni fetar, janë tashmë realitet i përditshëm. Martirët u përkasin të gjitha Kishave e vuajtjet e tyre përbëjnë  “ekumenizmin e gjakut”, që shkon përtej përçarjeve historike ndërmjet të krishterëve.

Miliona njerëz presin paqe e drejtësi

Prej këndej, thirrja drejtuar të gjithëve për të promovuar unitetin e dukshëm të dishepujve të Krishtit. Të lutemi së bashku për shndërrimin e zemrave të të gjithë atyre, të cilët kryejnë krime të tilla  e edhe të atyre, që mund ta ndalojnë dhunën - fton Deklarata – e cila vijon me lutjen drejtuar krerëve të kombeve që ta dëgjojnë britmën e miliona qenieve njerëzore, në pritje të ankthshme të paqes, të drejtësisë, të respektimit të të drejtave, të dhuruara nga Zoti. Këta njerëz – nënvizohet fort në Deklaratë - kanë nevojë urgjente për bukë, jo për armë!

Fundamentalizmi që përligj urrejtjen është i papranueshëm

Për fat të keq – vijojnë Krerët e dy Kishave të krishtera - vërehet se feja dhe vlerat fetare paraqiten në mënyrë fundamentalistike, përdoren për të përligjur përhapjen e  urrejtjes, të diskriminimit, të dhunës. Përligjja e shumë krimeve  mbi bazën e ideve fetare është e papranueshme, sepse “Hyji nuk është Zot pështjellimesh, por Zot i paqes”(1 Kor 14,33).

Paqe në Nagorno Karabakh

Veç kësaj, respekti për larmitë fetare është kusht i nevojshëm për bashkëjetesën paqësore të bashkësive të ndryshme etnike e fetare. Pikërisht pse jemi të krishterë, duhet të kërkojmë e të hapim udhë pajtimi e paqeje. Me këtë rast shpresojmë se do të gjindet edhe rruga për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me Nagorno-Karabakh.

Në vijim, në Deklaratë u bëhet thirrje besimtarëve të të dyja Kishave për t’ua hapur zemrat dhe duart viktimave të luftës e të terrorizmit, refugjatëve dhe familjeve të tyre. Është në lojë vetë kuptimi i humanitetit tonë, i solidaritetit tonë, i mëshirës, i bujarisë, që mund të shprehet në mënyrë të përshtatshme vetëm përmes shfrytëzimit të menjëhershëm e praktik të burimeve.   

Është bërë shumë - pranohet në Deklaratë - por mbetet ende shumë për t’u bërë nga ana e drejtuesve të politikës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që të mund të sigurohet e drejta e të gjithëve për të jetuar në paqe e siguri, për të mbështetur shtetin e së drejtës, për të mbrojtur pakicat fetare dhe etnike, për të luftuar trafikun dhe kontrabandën e qenieve njerëzore.

Në lojë, kuptimi i humanitetit

Më pas, në Deklaratë preket një nga problemet më të mprehta të kohës, ai i shekullarizmit. Shekullarizimi - shkruhet - i përhapur gjerësisht në shoqëri, me largimin e tij nga gjithçka shpirtërore e hyjnore, çon në mënyrë të  pashmangshme në një vizion  desakralizues e materialistik të njeriut e të familjes njerëzore. Në këtë drejtim, çka bëhet më shqetësuese, është kriza e familjes në shumë vende. Kisha Apostolike Armene dhe Kisha Katolike  kanë të njëjtin vizion për familjen e bazuar mbi martesën, akt dhurimi e dashurie besnike ndërmjet një burri e një gruaje.

Në vijim, të dyja palët pohojnë me kënaqësi se, pavarësisht nga ndarjet ndërmjet të krishterëve, e kanë kuptuar më qartë që çka i bashkon është shumë më  e madhe, sesa ajo që i ndan.

Kështu shkruhet në Deklaratën e përbashkët të Papës Françesku dhe Karekinit II, e cila vijon me sukseset e fazës së re në marrëdhëniet ndërmjet Kishës Apostolike Armene e asaj Katolike. Sot të dyja palët - nënvizohet - janë të bindura për rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve si dhe të bashkëpunimit jo vetëm në fushën teologjike, por edhe në lutje e bashkëpunim më të ngushtë në nivelin e bashkësive lokale, në perspektivën e bashkimit të plotë e të shprehjeve konkrete të tij. Rruga e pajtimit dhe e vëllazërimit është e hapur para nesh - vijon Deklarata - Shpirti Shenjt, që na prin drejt së vërtetës së plotë (krh Gjn 16,13) na ndihmoftë në çdo përpjekje për ndërtimin e urave të dashurisë e të bashkimit ndërmjet nesh.

Nga Etchmiadzin-i Shenjt - përfundon Deklarata - i ftojmë të gjithë besimtarët tanë të bashkohen me ne në lutje, me fjalët e Nersesit të Hirshëm:

“O Zot i lumnueshëm, pranoji lutjet e shërbëtorëve të tu e dëgjoji me mirësinë tënde, kërkesat tona, me ndërmjetësimin e Nënës së Shenjtë të Zotit, të Shën Gjon Pagëzuesit, të Shën Shtjefnit Martir, Shën Gregorit Ndriçues, Shenjtorëve Apostuj, Profetëve, Shenjtorëve “Hyjnorë”, Martirëve, Patriarkëve, Jeremive, Virgjërave, të gjithë Shenjtorëve të tu në qiell e mbi dhe. E Ty, o e padukshmja Trini, të qoftë lumni e lavd në shekuj të shekujve. Amen.

Etchmiadzini Shenjt, 26 qershor 2016

Shenjtëria e Tij Françesku -  Shenjtëria e Tij Karekini II








All the contents on this site are copyrighted ©.