2016-06-25 02:00:00

Gyumri dhe Ordinariati për Armenët Katolikë në Evropën Lindore


Qyteti i dytë i Armenisë për nga numri i banorëve (1.509 metra mbi nivelin e detit, 146 mijë banorë në vitin 2012), kryeqendër e provincës veriperëndimore të Shirakut. Sipas disa burimeve, kjo zonë njihet si zonë e banuar që nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit, por disa arkeologë e shohin origjinën e qytetit me kolonizimin e grekëve në shekullin V para Krishtit.

Studiues të tjerë mendojnë se themelimi i qytetit është bërë në shekullin VIII para Krishtit, kur qendra quhej Kumayri. Pushtohet më pas nga persianët, arabët, mongolët. Pas pushtimit nga rusët në vitin 1837, car Nikolla I e ripagëzoi me emrin “Aleksandopoli”, nga emri i të shoqes. Qyteti ndryshoi sërish emër në “Leninakan” pas vdekjes së Leninit, në vitin 1924.

Së fundi, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1990, mori emrin aktual. Gyumri, i mbiquajtur “qyteti i artizanatit dhe i artit”, është i famshëm për institutet e veta edukative dhe për teatrot. Qyteti i parë i Armenisë, që ka një shoqëri teatrale (1865), një teatër opere (1923) dhe që organizon shfaqje baleti klasik (1924) e themelon një teatër proze (1928). Gyumri ishte qendra kryesore edukative e Armenisë së veriut dhe qyteti më i industrializuar i vendit, kur u godit nga një tërmet i fuqishëm në vitin 1988, i cili shkaktoi kaq shumë dëme, sa e detyroi popullsinë të jetonte për vite me radhë në konteiner. Nuk vonoi solidariteti ndërkombëtar dhe këngëtari i atëhershëm franko-armen, Charles Aznavour, filloi një fushatë për mbledhjen e fondeve. Shtatorja e tij u vendos më vonë në qytet.

Ordinariati për Armenët Katolikë në Evropën Lindore

Themeluar më 13 korrik 1991 përfshin 600 mijë katolikë, të nadrë në 44 famulli. Në kuadrin e këtij Ordinariati shërbejnë 11 meshtarë dioqezanë, 11 meshtarë rregulltarë, 10 rregulltarë jo meshtarë, 20 murgesha e 4 seminaristë. Në territorin e tij ka 1 institut edukimi dhe 29 bamirësie. Vitin e fundit janë pagëzuar 769 fëmijë.

Ipeshev dioqezan për Armenët Katolikë të Evropës Lindore është imzot Raphael François Minassian, i Institutit të Klerit Patriarkal të Bzommar, kryeipeshkëv itullar i Çezares së Kapadokisë së Armenëve, emëruar më 24 qershor 2011.

Pra, Gyumri është një qytet historik i Armenisë, ku vlerat shekullore të krishtera janë lulëzuar, ku janë formuar në mënyrë të harmonishme historia dhe kultura e popullit dhe shpirti i tij bujar. Kështu tha Karekin II, catholicos-i suprem i të gjithë armenëve, në përshëndetjen drejtuar Papa Françeskut në fillim të kremimit në Gyumri.








All the contents on this site are copyrighted ©.