2016-06-25 10:30:00

Mesha e Papës: të ndërtohen ura, feja është shpresa e armenëve


U hap në shenjën e kujtimit dhe të uratës dita e dytë e Papa Françeskut në Armeni. Me një lutje të zjarrtë në Memorialin e Jerevanit kushtuar kujtimit të vikitmave të masakrimit të popullisë armene nga otomanët në vitin 1915, Papa Françesku e filloi ditën e dytë të shtegtimit të tij apostolik në Armeni, vendi i parë i krishterë, siç thotë motoja e vizitës. Intensive e prekëse vizita bërë sot në mëngjes, 25 qershor, në memorialin kushtuar viktimave të “Keqes së Madhe”, shfarosjes që pësuan armenët në fillimin e shekullit njëzetë nën perandorinë otomane. Ati i Shenjtë Bergoglio vendosi një kurorë me lule në monument dhe, duke përshkuar rrugën e përvijuar nga fëmijët, që mbanin në duar tabela me emrat e martirëve të 1915-ës, mbërriti në dhomën ku digjet Flaka e pashuar, së bashku me Katolikosin e gjithë armenëve dhe me autoritetet vendore.

Qe një ceremoni ekumenike, pasi së bashku me katolikët ishin të pranishëm edhe të krishterët apostolikë. Më pas, Papa Françesku shkoi në parkun e Memorialit, ku bekoi dhe vaditi një pemë, që do t’u kujtojë brezave të ardhshëm vizitën e tij në armeni. Në terracën e muzeut, ku ruhen dokumentet dhe sidomos fotografitë e persekutimit armen nga turqit otomanë, Ati i Shenjtë Bergoglio u takua me një grup pasardhësish të të mbijetuarve nga martirizmi, që asokohe, u shpëtuan nga Papa Piu XI, i cili i shtrehoi në Castel Gandolfo.

Mesha me besimtaret katolike ne Gyumri

Por pa dyshim, përqafimi i Françeskut me popullsinë e sidomos me besimtarët katolikë, u realizua në meshën e kremtuar në Gyumri, ku Papa u transferua sot paradite – mesha e vetme e kremtuar nga Ati i Shenjtë gjatë këtij udhëtimi. Tri baza të qëndrueshme, mbi të cilat mund ta ndërtojmë jetën e krishterë, ishin në qendër të homelisë së Papës Françesku, që u foli njerëzve të mbledhur në sheshin Vartanàns, kryesori në Gyumri. Kujtesa, feja dhe dashuria e mëshirshme na ndihmojnë të jemi të krishterë të mirë, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili i shqyrtoi këto elemente një për një.

Kujtoni ç’ka bërë Zoti për ju

Së pari kujtesa, vërejti Papa Françesku, kujtesa e gjithçkaje ka realizuar Zoti në ne e për ne, duke na zgjedhur, duke na dashur, duke na thirrur e duke na falur mëkatet. Por ekziston edhe kujtesa e një populli, që duhet ruajtur, nënvizoi Ati i Shenjtë, e kujtesa e popullit tuaj, iu drejtua armenëve, është e lashtë dhe e çmuar:

“Në zërat tuaja tingëllojnë ato të shenjtorëve dijetarë të së kaluarës; në fjalët tuaja ndjehet jehona e atyre, që krijuan alfabetin, me qëllim që të shpallnin Fjalën e Zotit; në këngët tuaja shkrihen vajet dhe gëzimet e historisë suaj. Duke menduar për gjithë këto, mund ta shihni sigurisht praninë e Hyjit: Ai nuk ju ka lënë vetëm, as në mes të fatkeqësive më të tmerrshme”.

Feja nuk duhet mbyllur në arkiva

Hyji, vijoi Papa Françesku, është kujtuar se i keni qëndruar besnikë Ungjillit, që në fillimet e fesë, dhe e keni dëshmuar, duke paguar edhe me gjak. E keni kuptuar se dashuria e Zotit vlen më shumë se jeta e këtë nuk duhet ta harroni, u tha Françesku armenëve, duke kaluar në bazën e dytë, mbi të cilën, sipas tij, duhet ndërtuar jeta: feja. Ajo, theksoi Ati i Shenjtë, nuk duhet konsideruar si diçka e bukur, por që i takon vetëm së kaluarës:

“Nëse mbyllet në arkivat e historisë, feja e humbet forcën e saj shndërruese, bukurinë e saj plot gjallëri, hapjen e saj pozitive ndaj të gjithëve. Feja lind e rilind nga takimi gjallërues me Jezusin, nga përvoja e mëshirës së Tij, që i jep dritë çdo situate në jetë”.

Duhet ta lejojmë Zotin të veprojë në jetën tonë, theksoi Papa Françesku: të na prekë, të na ndezë gëzimin në zemra, të na e risojë jetën. E duhet t’i përgjigjemi nëse na thërret, sepse Ai na do e na njeh me të vërtetë, iu drejtua Ati i Shenjtë të rinjve, të cilët i nxiti të mos kenë frikë e t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Hyjit.

Dashuria konkrete është kartëvizita e të krishterit

Dashuria e mëshirshme është shtylla e tretë, mbi të cilën i krishteri duhet ta mbështesë jetën, sipas Papës. E jo çfarëdolloj dashurie, por dashuria konkrete është kartëvizita e të krishterit, i cili, përmes saj, duhet të ndërtojë ura bashkimi, të jetë shembull respekti e dialogu, t’u çojë Lajmin e Mirë të mjerëve. Zoti banon në zemrën e atyre, që duan shumë, theksoi Ati i Shenjtë:

“Kemi nevojë për të krishterë, që të mos përkulen para lodhjes e të mos çkurajohen nga problemet, por të jenë disponibël e të hapur, të gatshëm për të shërbyer: kemi nevojë për njerëz vullnetmirë, që me fakte e jo vetëm me fjalë, t’i ndihmojnë vëllezërit dhe motrat në vështirësi; kemi nevojë për shoqëri më të drejta, ku secili të ketë një jetë dinjitoze e pikë së pari, një punë të paguar si duhet”.

Shën Gregori i Narekut, “fjala dhe zëri i Armenisë”

Por si mund të bëhemi të mëshirshëm? E këtu, Ati i Shenjtë Bergoglio nuk mund të mos përmendte shembullin e shën Gregorit të Narekut (951-1003), të cilin e quajti “fjala dhe zëri i Armenisë”. Vërtet, ai qe poet, murg, teolog e filozof mistik armen, që edhe sot e kësaj dite mbahet si njëri ndër poetët më të mëdhenj të vendit. Papa Françesku citoi një sërë shkrimesh të tij, për ta mbyllur homelinë, me një lutje marrë nga Himni i shenjtit për Rrëshajët:

“Me fjalët e tij, dua t’i lutem Zotit të dikojë mëshirën e Tij hyjnore dhe dhuratën për të mos u lodhur kurrë së dashuri të tjerët: o Shpirt i Shenjtë, ‘mbrojtës i fuqishëm, ndërmjetës dhe pajtor, Ty t’i drejtojmë lutjet tona përgjëruese… Na jep hirin të na inkurajosh në dashuri e në vepra të mira… o Shpirt i ëmbëlsisë, i dhembshurisë, i dashurisë për njeriun dhe i mëshirës… Ti, që nuk je tjetër, veçse mëshirë… ki mëshirë për ne, o Zot, Hyji ynë, në sajë të mëshirës tënde të madhe”.

 E në përfundim të kremtimit, duke falenderuar të gjithë për pjesëmarrjen, Papa Françesku përshëndeti veçanërisht ata, që impenjohen në ndihmën për nevojtarët e pati rastin të përmendë motrat e Nënë Terezës:

“Mendoj sidomos për spitalin e Ashotskut -  përuruar 25 vjet më parë dhe i njohur si ‘Spitali i Papës’: lindur nga zemra e shën Gjon Palit II – i cili është akoma një prani e rëndësishme, afër atyre që vuajnë; mendoj për veprat e bashkësisë katolike lokale, çuar përpara nga motrat armene të Zojës së Papërlyer dhe nga Misionaret e Dashurisë të së Lumes Nënë Terezë”.

Pas Meshës, Papa Françesku shkoi për drekë në Kuvendin e Zojës së Armenisë, ku murgeshat e Zojës së Papërlyer kujdesen për 60 jetimë.








All the contents on this site are copyrighted ©.