2016-06-24 16:00:00

Papa në Armeni: në Fortesën e Dallëndysheve, memoriali i “së Keqes së Madhe”


Nesër, më 25 qershor paradite, vizita e parë e Papës Françesku, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Armeni, do të jetë ajo në Memorialin kushtuar masakrimit të armenëve nga otomanët rreth vitit 1915. Është monumenti i ngritur në Jerevan, për të kujtuar përjetësisht “metz yeghern” apo “të Keqen e madhe”, siç e quajnë vendasit shfarosjen e mëse 1 milion e gjysëm armenësh nga xhonturqit e Perandorisë Otomane.

Mauzoleumi ndodhet në majë të kodrinës, që njihet si “Fortesa e Dallëndysheve”. Sipas legjendës, dallëndyshet që çonin e merrnin lajmet e zotëve paganë, Marsi dhe Afërdita, e kishin këtu folenë. Çdo vit, më 24 prill, armenët nga e gjithë bota ngjiten në këtë kodër për të përkujtuar viktimat e masakrimit të popullsive të tyre. Vizitorë të shumtë të kryeqytetit Jerevan shkojnë në këtë vend për të çuar buqeta lulesh, që vendosen pranë “flakës së pashuar”, e cila mbahet gjallë në amshim, ashtu siç i përjetshëm duhet të jetë kujtimi i martirëve.

Monumenti u ndërtua kur Jerevani përkujtoi 50-vjetorin e së Keqes së Madhe, në vitin 1965, me manifestime të mëdha popullore. Rezultati i parë i këtij mobilizimi popullor qe leja për realizimin e Memorialit, që filloi në vitin 1966 e përfundoi pas një viti. Autori është arkitekti Artur Tarkhanian (bashkëautor S. Kalascia, skulptor Van Khatchadour). Mauzoleumi u përurua më 29 nëntor 1967.  

         Një shtyllë guri, e lartë 44 metra, përfaqëson rilindjen e armenëve. 12 pllaka të pjerrta, veshur me gur, formojnë një qark, në qendër të të cilit digjet flaka e përjetshme në kujtim të viktimave. Materialet e përdorura për veshjen e pllakave janë bazalti dhe graniti i zonës Pambak. Mbi murin prej guri, 100 metra i gjatë, anës rrugës që çon drejt hyrjes së memorialit, janë skalitur emrat e qyteteve dhe të zonave kryesore të prekura nga genocidi. Në vitin 1995, mbi pllajën e Memorialit, u përurua muzeu i nëndheshëm, ku janë mbledhur të gjitha dokumentat, që dëshmojnë ngjarjet e vitit 1915. Aty janë ekspozuar dokumente historike e sidomos, fotografitë e Armin T. Wegner. Pranë muzeut ndodhet Parku i Kujtesës, zonë ku janë mbjellur pemë në kujtim të viktimave, nga personalitete të huaja.

Nesër në mëngjes, Papa Françesku do të pritet në këtë Memorial nga presidenti i Armenisë, do të vendosë një kurorë lulesh, do të lutet para flakës së pashuar e do të mbjellë edhe ai një pemë në Park. Pastaj, në terracë, do të takohet me një grup pasardhësish të të mbijetuarve nga masakrimi otoman, të cilët u shpëtuan, në atë kohë, nga Papa Piu XI, që i strehoi në Castel Gandolfo, rezidenca verore e papëve. Çast tjetër kryesor i udhëtimit do të jetë të shtunën mbrëma, në orën 19.00 (ora e vendit), kur do të zhvillohet takimi ekumenik dhe lutja për paqen në Sheshin e Republikës në Jerevan, së bashku me përfaqësuesit e Kishës Apostolike Armene. Parashikohet pjesëmarrje e madhe, me dhjetra mijëra vetë, që presin me padurim ç’do t’u thotë Papa.

Pikërisht kujtimi i “genocidit” – term që edhe tani kundërshtohet nga Turqia, negacionizmi i së cilës i ka sjellë probleme edhe me Gjermaninë, që e miratoi rezolutën për njohjen e genocidit armen – është një nga aspektet delikate të udhëtimit. Një incident serioz diplomatik ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Turqisë ndodhi vitin e kaluar, kur Papa Françesku, gjatë kremtimit në Shën Pjetër të 100-vjetorit të së Keqes së Madhe, e quajti martirizimin armen “genocidin e parë të shekullit XX”. Gjithsesi, në mesazhin e tij për armenët, Ati i Shenjtë uronte të rifillonte udha e pajtimit ndërmjet popullit armen e atij turk dhe të arrihej paqja për Nagorno Karabakun. Temë kryesore kjo, edhe në këtë udhëtim apostolik.








All the contents on this site are copyrighted ©.