2016-06-23 13:35:00

Papa priti në audiencë Kreun e Urdhrit të Maltës, ju bëni kaq mirë në botë


Papa Françesku priti sot paradite në audiencë në Vatikan Kreun e Urdhrit Sovran të Maltës, Mjeshtrin e Madh Fra’ Matthew Festing, bashkë me delegacionin prej njëmbëdhjetë kalorësh me uniform. Frà Festing i dhuroi Papa Françeskut medaljen e argjendtë me figurën e shën Gjonit të jerosolimitanëve, pjesë e një edicionit të veçantë për jubileun. Papa i dhuroi Mjeshtrit të Urdhrit të Maltës medaljen me figurën e shën Martinit që ia dhuron gjysmën e mantelit një të varfri, dhe kopjen e “Evangelii gaudium”, të “Laudato siì” e të “Amoris laetitia”.

E me këtë rast Papa Bergoglio u tha atyre: ‘Ju bëni kaq mirë’, dhe në përfundim të audiencës, Papa u kërkoi ta “lusin së bashku Zojën e Bekuar, çdonjëri në gjuhën e vetë”, e të gjithë recituan “Të falemi Mari”.

I quajtur shkurtimisht Urdhri i Maltës, është krijuar në shekullin XI, dhe është një organizatë katolike sovrane, selia e së cilës në Romë gëzon një status ekstraterritorialiteti. Kjo e bën Urdhrin e Maltës të vetmen strukturë qeveritare në botë me vokacion humanitar, të pranuar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare publike, njësoj si një shtet. Pra, Urdhri ushtarak i Kalorësve të Maltës, themeluar në shekullin e XI, vijon të jetë aktiv ende sot dhe tashmë ka natyrën e një organizate të madhe humanitare ndërkombëtare.

Urdhri nuk lufton më me shpata, por me mjete paqësore kundër sëmundjeve, varfërisë, mënjanimit social e natyrisht, mbrojtjes e kultivimit së besimit në Zotit.Themeluar rreth vitin 1050, Urdhri i Maltës në atë kohë njihej si komuniteti i Hospitalierëve të Shën Gjonit të Jerusalemit, me të drejtën e zgjedhjes së udhëheqësve të vet. Urdhri Sovran i Maltës themeluar nga Gerardi i Bekuar, është Urdhër laikë-rregulltarë mase 900 vjeçar. Të gjithë anëtarët e urdhrit kanë për detyrë dhe impenjohen të jetojnë një jetë shembullore e në përkim me mësimet ungjillore. Ia përkushtojnë veten ndihmës humanitare. Urdhri u njoh nga Kisha katolike si organizatë zyrtare nga Papa Pashku II (1113-2013) në shkurt 1113.

Në fillim Urdhri u krijua nga disa kryqtarë aristokratë evropianë, të cilët u kujdesën për besimtarët shtegtarë dhe sëmurët në Jerusalem në shekullin e 12-të, kur morën edhe njohje zyrtare nga Papa. Pas disa dekadash u larguan nga Jerusalemi për në Rodi, pastaj Qipro e së fundi, në Maltë, ku qeverisën ishullin për disa shekuj. Nga Malta ata u përzunë nga Napoleon Bonaparti gjatë fushatës së tij në Egjipt, e aktualisht e selia e këtij Urdhri është në një pallat të lashtë në qendër të Romës, në afërsi të Vatikanit.

Sot, Urdhri Maltës ka spitale dhe nisma të ndryshme humanitare në ma shumë se 120 vende të ndryshme të botës. Ekzistenca e tyre gjatë shekujve është shoqëruar me legjenda të ndryshme. Urdhri sot thotë se dëshiron të heqë imazhin që ka si një klub aristokratësh të pasur evropianë e po gjithnjë më shumë përfshinë talente të reja për të vijuar misionin e vet universal kudo mase 120 Vende të botës.

Fra’ Matthew Festing, është i 79-ti Mjeshtër i Madh i Urdhrit të Maltës, që ka institucionet e veta në të pesë kontinentet me 13.500 anëtarë, 80.000 vullnetarë, të mbështetur nga mase 25.000 mjekë, infermierë e infermiere, që punojnë e drejtojnë në spitale, qendra mjekësore e shoqërore, shtëpi për të moshuar e persona ma handikap, qendra për pacientë të sëmurë nga kanceri, trupa vullnetarësh të shpërndarë në mase 120 Vende të ndryshme të botës. Kujtojmë se marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë e Urdhrit të Maltës datojnë që nga viti 1994.








All the contents on this site are copyrighted ©.