2016-06-23 17:05:00

Armenia në pritje të Papës, shtegtarit të paqes


Nesër Papa Françesku shkon në Armeni, në tokën biblike,  ku do të qëndrojë deri më 26 qershor. Në kryeqytet Yerevan (Erevan) dhe në mbarë vendit gjithçka është gati për pritjen e mysafirit të jashtëzakonshëm, që shkon si “shërbëtor i Ungjillin e shtegtar i paqes”, për të përqafuar mbarë popullin, i cili ka mëse një vit që po përgatitet për këtë ngjarje të madhe e historike. Mbi këtë flet mons Nareg Naamo, rektor i Kolegjit Papnor Armen:

Fryma e pritjes është plot mirënjohje e entuziazëm. E kjo, sepse vitin e kaluar, në Meshën e kremtuar më 12 prill, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e njëqindvjetorit të genocidit, Ati i Shenjtë u takua me krerët e Kishës armene katolike e apostolike, e edhe me Presidentin e Republikës armene, e të gjithë e patën ftuar ta vizitojë Armeninë. Përgjigjja është kjo vizitë: Papa vjen të na takojë e të na vizitojë.

 Si e gjen Papa Armeninë gjatë kësaj vizite?

Është vizitë historike për ne armenët, por edhe vizitë, që ndiqet nga shumë sy; vizitë që prek një mori pikash: si në nivelin fetar, ashtu edhe në atë ekumenik e, posaçërisht, politik. Zona, ku do të shkojë për të kremtuar Ati i Shenjtë, shumë vjet më parë u dëmtua rëndë nga një tërmet i fuqishëm, që bëri dëme të mëdha, shkaktoi mijëra viktima e i la shumë njerëz, akoma sot, pa strehë.  Prej këndej, vizita e Papës është tejet e rëndësishme në nivelin politik, në nivelin ndërkombëtar e edhe në atë njerëzor e ungjillor.

Sipas jush, çfarë frytesh mund të sjellë vizita papnore?

Përgjigje: - Në vizitën e Papës, kohët e fundit, shikojmë gjithnjë karizmën e tij, që të ndryshon në drejtimin shpirtëror, por edhe në atë njerëzor. Meqenëse Ati i Shenjtë do të bëjë një vizitë paqeje, e jo vetëm në Armeni, por, muajtë e ardhshëm, edhe në Gjeorgji e Azerbajxhan, dy vende kufitare me Armeninë, me të cilën nuk kanë marrëdhënie të mira, posaçërisht     Azerbajxhani, nga kjo vizitë presim shumë fryte…

 Pak më parë kujtuat aspektin ekumenik, pikë tjetër e rëndësishme e kësaj vizite…

E njohim shumë mirë Atin e Shenjtë, karizmën e tij të afrimit, që i bën njerëzit të ndjehen mirë kur janë pranë tij. Për popullin tonë, që në vitet e kaluara vuajti shumë për fenë e vet, për lidhjen me Kishën Katolike, vizita e Papës do të jetë fllad shprese, fllad dashurie: është Ati, që vjen t’i vizitojë të bijtë. E dimë mirë se Kisha armene apostolike, edhe pse nuk ka përkatësi dogmatike me Kishën katolike, është shumë pranë saj: ka dhënë shumë martirë, teologë, doktorë, posaçërisht vitin e kaluar, me njohjen e Shën Gregorit të Narek si Doktor i Kishës Universale nga ana e Atit të Shenjtë. Të gjitha këto dhurata, këto fryte, të cilat po ua jep Kisha katolike Kishave, që nuk janë të bashkuara me të, na sjell sot një fllad të freskët shprese e jete ekumenike.








All the contents on this site are copyrighted ©.