2016-06-22 15:30:00

Papa: në Armeni si shërbëtor i Ungjillit, shtegtar i paqes


Në një videomesazh para nisjes për në Armeni, Papës Françesku thotë: vij si shërbëtor i Ungjillit dhe shtegtar i paqes. Të mos i lejojmë kujtimet e dhimbshme të bëhen zot në zemrën tonë, u thotë Ati i Shenjtë Bergoglio armenëve, duke kujtuar masakrimin e tyre nga otomanët, por u jep edhe shpresë: vij në tokën tuaj të bekuar për të përforcuar bashkimin ndërmjet nesh. Ja fjalët e Papës:

“Të dashur vëllezër e motra,

pas pak ditësh do të kem gëzimin të jem mes jush, në Armeni. Që tani, ju ftoj të luteni për këtë udhëtim apostolik.

Me ndihmën e Zotit, vij ndërmjet jush për të bërë, siç thotë motoja e udhëtimit, një ‘vizitë në vendin e parë të krishterë’. Vij si shtegtar, në këtë Vit Jubilar, për të marrë nga shpresa e lashtë e popullit tuaj e për të pirë në burimet e fesë suaj, shkëmbore (prej graniti) si kryqet tuaja të famshme, skalitur në gur.

 Vij drejt lartësive mistike të Armenisë si vëllai juaj, i frymëzuar nga dëshira për t’ju parë në fytyrë, për t’u lutur së bashku me ju e për të ndarë dhuratën e miqësisë me ju. Historia dhe ngjarjet e popullit tuaj të dashur zgjojnë admirim e dhimbje në mua: admirim, sepse keni gjetur në kryqin e Jezusit e në inteligjencën tuaj, forcën për t’u ringritur gjithnjë në këmbë, edhe nga vuajtje, të cilat janë ndër më të tmerrshmet, që kujton njerëzimi; dhimbje për tragjeditë, që etërit tuaj i kanë përjetuar deri në palcë.

Por të mos i lejojmë kujtimet e dhimbshme të bëhen zot në zemrën tonë; të mos dorëzohemi, edhe para sulmeve të vazhdueshme të së keqes. Të bëjmë si Noe, që, pas përmbytjes universale nuk u lodh së shikuari qiellin e së lëshuari disa herë pëllumbin, deri sa, një herë, shpendi u kthye tek ai, duke sjellë një gjethe të njomë ulliri (Zan 8,11): ishte shenja se jeta mund të rifillonte dhe shpresa mund të rilindte.

Si shërbëtor i Ungjillit e lajmëtar i paqes dëshiroj të vij ndër ju, për të mbështetur çdo përpjekje në udhën e paqes e për të ndarë hapat në shtigjet e pajtimit, që zgjon shpresën.

Shenjtorët e mëdhenj të popullit tuaj, sidomos Dijetari i Kishës, Gregori i Narekut, bekofshin takimet tona, që i pres me dëshirë të madhe. Në veçanti, pres të përqafoj Vëllain tim Karekin e, së bashku me të, t’i jap hov të ri udhës tonë drejt bashkimit të plotë.

Vitin e kaluar, nga vende të ndryshme, erdhët në Romë e pranë Varrit të Shën Pjetrit, u lutëm të gjithë së bashku. Tani, vij në tokën tuaj të bekuar për të përforcuar bashkimin ndërmjet nesh, për të ecur përpara në udhën e pajtimit e për ta lënë shpresën të na frymëzojë.

Faleminderit e shihemi së shpejti! Tsdesutiun!”








All the contents on this site are copyrighted ©.