2016-06-22 14:57:00

Koncili panortodoks, misioni e diaspora ndër temat kryesore


Vazhdojnë punimet e “Koncilit të shenjtë e të madh” të Kishave ortodokse, mbledhur të dielën e kaluar në Chania në ishullin e Kretës. Punimet kanë filluar të hënën nën drejtimin e Patrikut ekumenik të Kostandinopojës Bartolomeut I. Gjithsejtë janë të pranishme dhjetë Kisha ortodokse, ndërsa mungojnë katër, për motive të ndryshme: Patriarkana e Moskës dhe Kishat e Bullgarisë, Antiokisë e Gjeorgjisë. Mbi temat që janë trajtuar, të dëgjojmë atë Hyacinthe Destivelle, zyrtar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, i pranishëm në Koncil në cilësinë e korrespondentit për gazetën l’Osservatore Romano

Ky “Koncil i shenjtë dhe i madh i Kishës ortodokse”, është përgatitur prej vitesh. Mbledhja e tij qe vendosur gjatë Sinasit të Primatëve në janarin e vitit 2016, e edhe rendi i ditës qe vendosur gjatë kësaj mbledhjeje të Primatëve të Kishave ortodokse. Përmban gjashtë tema: misioni i Kishës ortodokse në botë, diaspora, çështja e autonomisë, çështja e agjërimit, çështja e martesës, si dhe çështja e marrëdhënieve me të krishterët e tjerë.

Sesioni i hapjes së Koncilit u bë nga Patrikut Bartolomeut, i cili e drejton këtë Koncil, e pas tij folën edhe nëntë Primatë të Kishave tjera të pranishme. Ky sesion ishte i hapur edhe për Vëzhguesit: nga ana e Kishës katolike ishte i pranishëm kardinali Kurt Koch, president i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, e mons. Brian Farrel, sekretar i të njëjtit dikaster të Selisë së Shenjtë të Romës.

Në fjalimin e tij Patriku Bartolomeu I nënvizoi rëndësinë e përforcimit të unitetit të Kishës ortodokse, nevojën e përforcimit të sinodalitetit ndërmjet Kishave ortodokse. E mos të harrojmë se arsyeja kryesore e këtij Koncili, është sidomos përforcimi i bashkimit të Kishës ortodokse, që përbëhet prej 14 Kishave të ndryshme. E bashkimi arrihet përmes sinodalitetit.

Pas sesionit të parë, cilat tema janë trajtuar?

Ka filluar diskutimi mbi dokumentet, e sipas rendit të ditës, janë gjashtë. Tema e parë është ajo e misionit të Kishës ortodokse në botë. Mirëpo këto sesione nuk janë të hapura, këndej ne nuk i dimë detajet e as cilat janë argumentet, por tekstet që do të diskutohen janë botuar. E teksti mbi misionin e Kishës ortodokse, është kryesisht një reflektim mbi antropologjinë e krishterë, sepse misioni parë i kumtimit ungjillor të Kishës, është sidomos ai i kumtimit të njeriut të ri, të rilindur në Krishtin. Nga ky tekst do të ketë një argument tjetër, i cili ndoshta do të trajtohet sot pasdite, ai mbi diasporën.

Për shkak të emigracionit të popullsive ortodokse në Perëndim në shek. XX, Kishat janë detyruar t'i emërojnë ipeshkvijtë për kujdesin shpirtëror të besimtarëve të tyre në diasporë në vende të ndryshme. Atëherë, shtrohet edhe çështja e shumëzimit të strukturave kishtare në diasporë. Teksti formulon edhe një propozim të përkohshëm për të zgjidhur këtë problem të diasporës.

Ndër temat qendrore, është edhe ajo e persekutimit të të krishterëve në Lindjen e Mesme?

Nuk është ndër temat që rezulton në rendin e ditës, por në mbarimin e punimeve të Koncilit do të publikohet një mesazh, në të cilin me siguri do të jetë çështja e persekutimit të të krishterëve. Por nuk është në rendin e ditës së punimeve të këtij Koncili, i cili trajton çështjet e brendshme të Kishës ortodokse. Por sigurisht persekutimi i të krishterëve është në zemrën e të gjithëve ipeshkvijve që kanë këtu.

Sipas jush, ky Koncil do t’i ndihmojë edhe marrëdhëniet ndërmjet Kishës ortodokse e Kishës katolike?

Sigurisht, ky Koncil është shumë i rëndësishëm për Kishën katolike, në rend të parë sepse bashkimi i Kishave ortodokse lehtëson dialogun me Kishën katolike, por edhe për faktin se Kisha katolike është reflektuar edhe mbi sinodalitetin.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.