2016-06-21 12:50:00

Papa: tregjet financiare nuk mund të vendosin fatin e popujve


Akademikë, politikanë, bankierë dhe njerëz të Kishës mblidhen nga 26 deri më 28 qershor në Vatikan për një konferencë mbi investimin e përgjegjshëm (Vatican Impact Investing Conference), që synon të shqyrtojë ndikimin e investimeve financiare mbi popullsitë dhe ambientin.

 Nisma promovohet nga Këshilli Papnor për Drejtësinë dhe Paqen dhe nga Catholic Relief Services (organizata e ipeshkvijve amerikanë për të varfërit nëpër botë). Ideja është të shihet si mund të shfrytëzohen investimet private nga Kisha Katolike dhe institucionet e tjera fetare për të mbështetur misionin e tyre shoqëror në favor të më të varfërve e më të brishtëve. Do të marrin pjesë eksponentë me emër në fushën e financave.

“Është e rëndësishme që etika të gjejë vendin e vet në financë e që tregjet të vihen në shërbim të interesave të popujve e të së mirës së përbashkët të njerëzimit”, pati thënë Papa Françesku në fjalën e mbajtur para dy vjetësh, në konferencën e parë vatikanase mbi investimin e përgjegjshëm. “Nuk mund të tolerojmë më gjatë që tregjet financiare të vendosin për fatet e popujve, në vend që t’u shërbejnë nevojave të tyre, ose që pak vetë të pasurohen duke përdorur spekulimin financiar, ndërsa shumë të tjerë ta pësojnë rëndë nga pasojat e tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.