2016-06-21 13:09:00

Një vit nga “Lëvduar qofsh” hapet një faqe e re mbi enciklikën ekologjike të Papës


Një vit nga enciklika e Papa Françeskut “Lëvduar qofsh” (Laudato si’), Këshilli Papnor për Drejtësi e Paqe ka hapur një faqe të re të internetit “Laudatosi.va”, për ta promovuar edhe më shumë enciklikën ekologjike të Atit të Shenjtë Bergoglio. Faqja e re e internetit “Laudatosi.va” përmban materiale të ndryshme në pesë gjuhë (anglisht, italisht, frëngjisht, portugalisht e spanjisht), e synon përhapjen e përmbajtjes dhe promovimin e enciklikës së Papës, një vit pas shpalljes, më 18 qershor 2015.

Në këtë kuadër, Këshilli Papnor për Drejtësi e Paqe, ka organizuar në Romë, në bazilikën e Shën Marisë në Montesanto, një takim me rastin e 1 përvjetorit të enciklikës papnore. Kardinali Peter Turkson, president i dikasterit të Vatikanit, bënë të ditur se qëllimi i kësaj nisme është “për ta kuptuar, aplikuar dhe komunikuar enciklikën” përmes materialit ndihmës, video-ve, artikujve e fjalimeve më domethënëse.

Enciklika na kujton përgjegjësinë e madhe që ka njeriu ndaj mjedisit, sepse siç pohon Papa në një nga fragmentet e Enciklikës “Laudato si’”, “nuk mund ta konsiderojmë natyrën si diçka, që nuk ka të bëjë me ne, ose si një kornizë të thjeshtë të jetës sonë”. Dokument papnor vë në plan të parë urgjencën e promovimit të një ekologjie të gjithanshme, që përfshin përmasat njerëzore e shoqërore.

Vizioni i botës, propozuar nga Papa në këtë enciklikë, është një vizion global, i gjerë, që nënvizon larminë e pafundme të qenieve të gjalla, lidhjet dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Bota, për Papën Françesku, është ambient e jo objekt për t’u zotëruar. Prej këndej, mund të themi se jemi para një vizioni shumë pozitiv të realitetit, shqyrtuar deri në hollësi.

Në enciklikën “Lëvduar qofsh” Papa flet për insektet e për atomet, por duke e parë gjithçka si një rrjet më të madh marrëdhëniesh, kemi një vizion pragmatik, e njëkohësisht, edhe tejet poetik. Në këtë enciklikë kemi pra vizionin e botës, që natyrisht, është edhe antroplogjik, por jo antropocentrik. Në të roli i njeriu nuk është ai i sundimtarit, por i rojtarit. Papa disa herë bën thirrje për kthesë ekologjike, dëshiron që njeriu të zbulojë rolin e tij si rojtar i një dhurate të çmuar që vjen prej Zotit. E kjo nuk është opcionale, e as një aspekt i dorës së dytë i përvojës së krishterë.

Në enciklikë Papa Bergolgio e thotë qartë se kujdesi për mjedisin është pjesë përbërëse e jetës së krishterë: të mos e bësh, është mëkat. Ndoshta gjëja më interesante, më me vlerë, është se çështja ambientale, me këtë Enciklikë, bëhet një kapitull i Doktrinës Shoqërore të Kishës katolike.

Duke shfletuar përmbajtjen, shihet se enciklika “Laudato si’” është dokument, që flet për ekologji të gjithanshme: ambientale, ekonomike, shoqërore…. E vërtetë, karakteristika e kësaj Enciklike është gjerësia e thellësia. “Laudato si’” është enciklikë shoqërore, jo vetëm ekologjike: inkuadron jetën e njeriut mbi tokë, duke e lidhur varfërinë me brishtësinë e planetit. Në këtë kuptim, vë në qendër të vëmendjes tokën e varfër, pohon se duhet mundur kultura e hedhurinës, në favor të kulturës së kujdesit. Prej këndej, mund të themi se është Enciklikë globale, që flet për jetën e njeriut mbi Tokë.








All the contents on this site are copyrighted ©.