2016-06-20 13:29:00

Papa: të krishterët të shikohen në pasqyrë, para se të gjykojnë


Para se t’i gjykojmë të tjerët, ta shikojmë veten në pasqyrë për të parë si jemi. Ky, qortimi i Papës gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, e fundmja me homeli, para pushimeve verore. Papa nënvizoi se çka e dallon gjykimin e Zotit nga yni, nuk është gjithëpushteti, por mëshira.

Gjykimi i përket vetëm Zotit, prandaj, nëse nuk duam të gjykohemi, nuk duhet as t’i gjykojmë të tjerët. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, përqendruar tek Ungjilli i sotëm. Të gjithë ne - vërejti - dëshirojmë që, në ditën e  Gjyqit, Zoti të na shikojë dashamirësisht, dëshirojmë që Zoti t’i harrojë mbrapshtitë që bëmë  sa ishim në jetë.

Jezusi na quan hipokritë, kur i gjykojmë të tjerët

Nëse ti i gjykon vazhdimisht të tjerët - kujtoi me qortim Papa - nuk duhet të harrosh se me të njëjtën masë edhe do të gjykohesh. Prej këndej, Zoti  na kërkon të shikohemi në pasqyrë:

“Shikoju në pasqyrë, por jo për t’u trukuar, për t’i fshehur rrudhat. Jo, jo, jo! Nuk është kjo këshilla. Shikoju, për ta parë vetveten ashtu si je, ‘Pse   e shikon lëmishtën në sy të vëllait, e nuk kujtohesh fare për traun, që ke në sy tënd?’. Ose, si do të mund t’i thuash tënd vëlla: ‘Më lërë të ta heq lëmishtën që ke në sy, ndërsa në syrin tënd ke traun?’. E si na cilëson Zoti, kur veprojmë kështu? I mjafton një fjalë e vetme: “Hipokrit, hiqe më parë traun nga syri yt, e atëherë do të shikosh më mirë për t’ia hequr vëllait  lëmishtën nga syri”.

Të lutemi për të tjerët, në vend që t’i gjykojmë

Shihet - tha Papa - se Zoti është paksa i zemëruar kur na quan hipokritë, ngaqë e shikon se duam të ulemi në vendin e Tij. E kjo histori nis që në zanafillë, me gjarpërin, që i bindi Adamin e Evën të silleshin kështu: “Nëse ju do të hani prej kësaj, do të jeni si Ai”. Ata - kujtoi Papa - donin të  zinin vendin e Zotit:

“Prandaj është gjë tejet e keqe të gjykosh. Gjykimi i përket vetëm Zotit, vetëm Atij! Ne na përket dashuria, mirëkuptimi, lutja për të tjerët, kur shikojmë  gjëra, që nuk janë të mira, por edhe të flasim me ta: 'Epo, dëgjo, unë shikoj këtë e këtë…ndoshta…'. Por kurrë të mos gjykojmë. Kurrë! E kjo është hipokrizia: gjykimi nga ana jon"ë.

Gjykimit tonë i mungon mëshira. Vetëm Zoti mund të gjykojë

Kur gjykojmë - vijoi Papa - vihemi në vendin e Zotit, por gjykimi ynë është gjykim i varfër, nuk mund të jetë kurrën e kurrës i vërtetë. E pse - pyeti Françesku - gjykimi ynë nuk mund të jetë si ai i Zotit? E pse Zoti është i gjithëpushtetshëm e ne jo? Jo, u përgjigj menjëherë Papa, sepse gjykimit tonë i mungon mëshira. E kur Zoti gjykon, gjykon me mëshirë:

“Të mendojmë sot për këtë, që na thotë Zoti: mos gjykoni, që të mos gjykoheni: mënyra, masa me të cilën do të gjykojmë, do të jetë e njëjtë me atë, që do të përdoret për ne; e e treta, të shikohemi në pasqyrë, para se të gjykojmë: ‘Po ky bën këtë e atë.. e ai atë e këtë… Po, prit paksa…’. Të shikohem në pasqyrë e pastaj të mendoj. Në të kundërtën, do të jem hipokrit, sepse do të vihem në vendin e Zotit e edhe pse gjykimi im do të jetë gjykim i mjerë, që do t’i mungojë diçka tejet e rëndësishme, të cilën gjykimi i Zoti e ka; do t’i mungojë mëshira. Zoti na bëftë t’i kuptojmë mirë këto gjëra!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.