2016-06-20 12:23:00

Armenia pret Papën Françesku. Fjalët e një rregulltari


Të premten, Papa Françesku do të niset për në Armeni, ku do të qëndrojë për tri ditë, deri më 26 qershor. Vendi e ka pranuar Ungjillin e Krishtit që në vitin 301, siç kujtohet edhe në moton e udhëtimit apostolik “Vizita në vendin e parë të krishterë”. Armenia është etapa e parë e një udhëtimi, që në shtator, do ta çojë Papën edhe në Gjeorgji e në Azerbaixhan. Bashkësia armeno-katolike e pret me padurim çastin e takimit me Atin e Shenjtë, siç na thotë, në mikrofonin tonë, drejtori i spitalit të kamilianëve në Ashotsk, atë Mario Cuccarollo. Qendra njihet si “Kryqi i parë i Kuq” i Kaukazit, një kompleks në 2000 metra lartësi, ku vepron “Redemptoris Mater”, spitali i ngritur me dëshirën e Shën Gjon Palit II, nga Karitasi Italian, për të ndihmuar më të varfërit, pas tërmetit të 1998-ës. Atë Mario Cuccarollo flet pikërisht për këtë strukturë, duke shpresuar se Papa Françesku do të bëjë një ndryshim programi e do të shkojë për të përqafuar pacientët.

“Spitali është ndërtuar nga Karitasi Italian me kërkesën e Gjon Palit II. Praktikisht, e ka risuar krejtësisht shërbimin shëndetësor në gjithë zonën e ish-rajonit të Ashotskut, e cila përfshin 21 ambulanca në terren. Është një parafabrikat, pjesë e një zone të banuar nga rreth 15 mijë vetë, por pret pacientë nga e gjithë Armenia e shumë nga Gjeorgjia fqinje. Papa, pa dyshim, pritet me padurimin më të madh. Pritet si njeriu më i rëndësishëm i botës, prandaj njerëzit mezi përmbahen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.