2016-06-19 14:53:00

Françesku: ne jemi me refugjatët. Urim Koncilit Panortodoks


“Dëshirojmë të jemi me ta!”. Në Engjëllin e Tënzot Papa e bëri të vetën moton e OKB-së për Ditën e nesërme botërore të refugjatit, duke përsëritur thirrjen për mirëpritje. Françesku i nxiti të krishterët të marrin ditë për ditë mbi shpinë “kryqin e detyrës së tyre”, të “gatishmërisë” për t’u shërbyer  më të fundmëve dhe përfundoi duke i ftuar të luten për Kishat ortodokse, mbledhur në Koncilin e Kretës.

Nëse do të ishte e mundur të jepej përgjigjja, që Pjetri i pati dhënë Jezusit: “Ti je Krishti i Zotit” - e të krishterët, pohoi Papa, janë të thirrur të përgjigjen kështu -  duhet ta pranonin menjëherë mbi supe kryqin e detyrës së tyre e të solidaritetit me më të varfërit.

Dëshirojmë të rrimë me refugjatët

Reflektimi ishte parapërgatitje shpirtërore për thirrjen që pasoi, të cilën Papa vijon ta nënvizojë, duke shfrytëzuar çdo rast, për ta ngulitur në ndërgjegjen e botës. Thirrje për t’i mirëpritur refugjatët, të cilët nuk janë numra të një mase, që duhet mënjanuar, por “korpi i Krishtit”, që duhet mirëpritur e duhet ndihmuar. Prej këndej, ftesa për ta bërë tonën moton e zgjedhur nga OKB-ja për Ditën Botërore të Refugjatit: “Ne jemi nga ana e atyre, që detyrohen të ikin”- të cilën Françesku e citoi në prag të ngjarjes:

“Refugjatët janë njerëz si të gjithë. Njerëz, të cilët lufta i la pa shtëpi, pa punë, pa të afërm, pa miq. Historitë e tyre e fytyrat e tyre na kujtojnë se duhet ta përtërijmë angazhimin për të ndërtuar paqen në drejtësi. Prandaj duam të rrimë me ta, t’i takojmë, t’i mikpresim, t’i dëgjojmë, për t’u bërë së bashku, artizanë të paqes, sipas vullnetit të Zotit”.

Zbrazësia dhe përgjigjja

Para thirrjes, Françesku i drejtoi turmës pyetjen, që u pati bërë Jezusi dishepujve, zemër e liturgjisë të së dielës; “Ju, kush thoni se jam unë?”. Papa e bëri edhe këtë të vetën, duke ua drejtuar atyre, që po e ndiqnin: “Kush është Jezusi për secilin nga ne?”. Përgjigjja e fesë - vijoi - nuk mund të jetë tjetër, veçse ajo e Pjetrit, drejtuar një bote, që ka më shumë se kurrë nevojë për Krishtin, për shëlbimin e Tij e për dashurinë e Tij përdëllyese:

“Shumë njerëz – e nganjëherë edhe ne - vërejnë rreth vetes e brenda vetes vetëm zbrazësi; jetojnë të zhytyr në ankth, pasojë e mungesave dhe e konflikteve. Të gjithë kemi nevojë që dikush t’u përgjigjet pyetjeve tona, problemeve tona konkrete, ekzistenciale(…). Jezusi e njeh zemrën e njeriut, siç nuk e njeh askush tjetër. Prandaj edhe mund ta shërojë, duke i dhuruar jetë e ngushëllim”.

Kryqi, shërbim, jo stoli

Pas pyetjes së dishepujve, Jezusi u tregon atyre e edhe Kishës, çdo ditë, përgjegjësinë që duhet të marrë mbi vete kush, në Krishtin, pranon Birin e Zotit. Të pranosh Krishtin, do të thotë të pranosh kryqin,  ta ngarkosh mbi supe kryqin, secili të vetin:

“Nuk bëhet fjalë për një kryq dekorativ, ose ideologjik, por për kryqin e jetës, kryqin e detyrës, kryqin e flijimit për tjetrin me dashuri - për prindërit, fëmijët, familjen, miqtë e armiqtë – kryqin e gatishmërisë për të qenë solidarë me të varfërit, për t’u angazhuar në favor të drejtësisë e të paqes”.

Ka nga ata, që nuk mohojnë

Sigurisht, vërejti duke folur lirisht Papa, po e more mbi shpinë kryqin, humbet diçka, gjithnjë. E megjithatë…

“… është humbje, për të fituar. E i kujtojmë të gjithë vëllezërit tanë, që i vënë ende në jetë ditë për ditë këto fjalë të Jezusit, duke falur kohën e tyre, punën e tyre, mundin e djersën e tyre e deri edhe jetën, për të mos e mohuar besimin e tyre në Krishtin”.

Të lutemi për Koncilin Panortodoks

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Foggia, u lumnua mistikja e ‘700-tës, Maria Celeste Crostarosa e, më pas, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, u lartua një urim i veçantë, drejtuar Kishave, që hapën, në Kretë, Koncilin Panortodoks:

“Të bashkohemi në lutje me vëllezërit tanë ortodoksë. T’i lutemi Shpirtit Shenjt t’i ndihmojë me dhuratat e tij Patrikët, Kryepeshkopët e Peshkopët e mbledhur në Koncil. E gjithë së bashku t’i lutemi Zojës së Bekuar për tërë vëllezërit tanë ortodoksë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.