2016-06-18 06:30:00

Në Foggia, shpallet e Lume, Maria Celeste Crostarosa


U shpall e Lume dje, në Foggia të Italisë, themeluesja e Urdhërit të të Shenjtnueshmit Shëlbues, Maria Celeste Crostarosa. Meshën e kremtoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për çështjet e Shenjtorëve. Për thellësinë e shkrimeve të saj shpirtërore, për forcën e personalitetit, për mprehtësinë e kundrimit të Zotit, e Lumja e re konsiderohet si një nga mistiket më të mëdha të Gjashtëqindës italiane.

         Lindi në Napoli, më 31 tetor 1696, nga prindër me prejardhje fisnike abruceze. Që në moshë të njomë dëshmoi një inteligjencë, që ua kalonte asaj të moshatareve. Shkollën e kreu në shtëpinë prindërore, e drejtuar nga don Bartolomeo Cacace, i cili i dha forcë e siguri shpirtërore. Në vitin 1716, së bashku me të ëmën, përcolli të motrën, Orsola, në manastirin Terezian të Marigliano-s, në të cilin vendosi të qëndronte edhe ajo vetë. Ishte 20 vjeç. Pas shtatë vjetësh, me mbylljen e kuvendit, shkoi së bashku me të motrën, pas atit shpirtëror, Tommaso Falcoia, i cili kishte themeluar një manastir sipas rregullës së Vizitacionit, në Scala të Salernos.

         Pikërisht aty, më 25 prill 1725, kur ishte akoma rishtare, i zbulohet Hyji, që i kërkon një Institut të ri, sipas rregullave të jetës së Krishtit Shëlbues. Pati shumë pengesa për konfirmimin e Rregullës, e cila u miratua përfundimisht nga një këshill teologësh napoletanë. Në shtator 1730 mbërrin në Scala për pushime, shën Alfonso de’ Liguori, themelues i Redemptoristëve, i cili, sapo u njoh me Rregullën, e bën ligj të kuvendit më 13 maj 1731. Atë Falcoia, fillimisht nxitës i institucionit të ri, nxjerr më pas pengesa, duke e ndryshuar Rregullën pjesërisht e duke i imponuar Nënës Maria Celeste pranimin e ndryshimeve, ose daljen nga Instituti. Kështu, më 1733, Maria Celeste detyrohet të largohet për në Noçerën e Poshtme, ku ipeshkvi vendas e ngarkoi me detyrën e reformimit të kuvendit, ku ishte strehuar. Entuziazmi iu kthye pas takimit me atin e ri shpirtëror, don Bernardino Sommantico.

         U thirr në Foggia për themelimin e kuvendit të ri, sipas Rregullës, që i kishte diktuar Zoti 14 vjet më parë e kështu, më 19 mars 1738, Maria Celeste mundi ta realizojë ëndrrën e saj për jetën rregulltare. U quajt nga populli “Eprorja shenjte”. Vdiq pikërisht në Foggia më 14 shtator 1755, ndërsa çështja e lumnimit për të u hap më 11 gusht 1901.








All the contents on this site are copyrighted ©.