2016-06-17 14:16:00

Papa: duhet një laikat në dalje, që shikon të largëtit nga Kisha


“Të nxiten gjithnjë më shumë laikët në misionin e tyre ungjillëzues, nën shenjën e Koncilit II të Vatikanit”. Është një nga detyrat, që u theksuan më shumë nga Françesku gjatë fjalimit drejtuar pjesëmarrësve në Plenaren e fundit të Këshillit Papnor për Laikët. Duke folur për reformën, që do të çojë në shkrirjen e dikasterit me atë për Familjen dhe Akademinë për Jetën, Papa vuri në dukje se kjo bëhet për të përtërirë besimin në misionin e laikëve në Kishë.

Përfundon, kështu, një etapë e rëndësishme e hapet një horizont i ri për misionin e laikatit në Kishë. Në plenaren e fundit të dikasterit për Laikët, Françesku i falënderoi sidomos të gjithë ata, që u angazhuan në këtë organizëm të Kuries, themeluar sipas dëshirës së Koncilit II të Vatikanit, e posaçërisht, të të Lumit Pali VI.

Jo, laikëve, që veprojnë me “autorizimin” e hjerarkisë

Papa kujtoi frytet e shumta, lindur këto 50 vjetët e fundit, në kontekstin e laikatit: nga DBR-ja, gjest providencial i Shën Gjon Palit II, tek lindja e shoqatave të reja laikale  e roli në rritje i gruas:

“Mund të themi se mandati, që morët nga Koncili, ishte pikërisht ai i nxitjes së besimtarëve laikë për të marrë pjesë sa më mirë në misionin ungjillëzues të Kishës, jo me autorizim të hjerarkisë, por si apostullim i tyre, si pjesëmarrje në misionin shëlbues të Kishës, në të cilin janë të gjithë deputetë të Zotit përmes Pagëzimit dhe Krezmimit (Cost. Dogm. Lumen gentium,33). Është Pagëzimi që e bën çdo besimtar laik, dishepull misionar të Zotit, kripë e tokës, dritë e botës, tharm, i cili e shndërron nga brenda realitetin.

Reforma e Kuries përfshin edhe sfida të reja për laikët

“Në Kishë - kujtoi Papa - hyhet përmes Pagëzimit, jo përmes shugurimit meshtarak ose ipeshkvnor; hyhet përmes Pagëzimit”. E të gjithë kemi hyrë nëpër të njëjtën portë. Në dritën e udhës së përshkuar, ju ftoj ta mirëprisni këtë reformë, Dikasteri i ri, që do të lindë, do të ketë si timon për vijimin e lundrimit, nga njëra anë Christifideles laici e nga ana tjetër Evangelii gaudium dhe Amoris Laetitia, duke shikuar si fusha të zgjedhura pune, familjen dhe mbrojtjen e jetës”.

“Laikat në dalje”, për të arritur të largëtit

Në kontekstin e Jubileut të Mëshirës - vijoi Papa - Kisha është e thirrur të jetë në dalje të vazhdueshme, bashkësi ungjillëzuese, që di të marrë nisma pa frikë, të gjejë rrugë të reja, duke i kërkuar të largëtit e duke u ndaluar në kryqëzimet e udhëve për t’i ftuar të përjashtuarit”.

Kemi nevojë për laikë, që i ndotin duart, me vizion drejt ardhmërisë

“Kemi nevojë për laikë, që i ndotin duart, që nuk kanë frikë se gabojnë, që ecin përpara. Kemi nevojë për laikë me vizion drejt ardhmërisë, jo të mbyllur në vogëlsitë e jetës. E ua kam thënë edhe të rinjve: kemi nevojë për laikë me shijen e jetës, që na nxisin të ëndërrojmë”.

Sot, përfundoi Papa - duke folur jashtë tekstit zyrtar - është çasti në të cilin të rinjtë kanë nevojë për ëndrrat e të moshuarve, kanë nevojë për të ëndërruar e për të na dhënë forcën e vizioneve të reja apostolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.