2016-06-17 18:30:00

Koncili panortodoks: hapja, të diel, pa Moskën


Të dielën e ardhshme, me kremtimin e liturgjisë hyjnore të Rrëshajëve ortodokse, në katedralen e Shën Menës Iraklion, do të hapet formalisht Koncili panortodoks i Kretës, që do t’i nisë punimet të hënën, për të vijuar deri më 26 qershor. Ndonëse do të jetë i pari që prej më se një shekulli, me pesëdhjetë vjet parapërgatitje, i vendosur njëzëri, vetëm 10 nga 14 kishat që duhet të merrnin pjesë, do të jenë realisht të pranishme. Mungesa më domethënëse, ajo e Moskës.

Koncili Shenjt i Madh është misioni ynë kishtar. Kështu u shpreh, duke arritur këto ditë në Kretë, Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, frymës unitare të të cilit, trashëguar nga Atenagora, duhet t’i njihet merita e etapës greke të udhës ortodokse. Pesë vjet më parë, pohoi, duke u kthyer nga “sinassi” - takim i primatëve në Chambesy të Svicrës - morëm një vendim e edhe vumë firmat: në Kretë do të duhej të realizohej një vizion unitar, i ndjekur nga të gjitha Kishat tona, që dëshirojnë të shqyrtojnë problemet e botës ortodokse, për t’i zgjidhur së bashku.

Mungojnë katër Kisha

Sot 10 nga 14 primatët tashmë kanë arritur në Kretë, ku janë mbledhur për të shqyrtuar agjendën dhe mesazhin përfundimatr të Koncilit, që do të ketë hapje e mbyllje publike, por zhvillim me porta të mbyllura. Nga munguesit, duhet kujtuar në radhë të parë Moska. “Nuk është refuzim, as dorëheqje, shpjegon Patriarkana, që sqaron se shkaku i mospranisë është mungesa e bazës për thirrjen e Koncilit, domethënë, miratimi nga ana e të gjithëve”. Prej këndej, më mirë do të ishte që koncili të shtyhej e të punohej akoma për dokumentet përgatitore, siç e kërkojnë edhe primatët e Kishave lokale të Bullgarisë, Antiokisë e Gjeorgjisë, shkaqet e mungesës së të cilave janë të ndryshme.

Arsyet e mungesave

Posaçërisht për Antiokinë, arsyeja kryesore është çështja shumëvjeçare me Jeruzalemin rreth jurisdiksionit mbi Qatar-in, ndërsa për Gjeorgjinë, pengesë janë marrëdhëniet me konfesionet e tjera të krishtera, një nga pikat e agjendës, së bashku me misionin e Kishës ortodokse në botën bashkëkohore, me atë në diapsorë, me statusin e autonomisë, pengesat e martesës dhe rëndësinë e agjërimit. Jemi para një panoramike të të gjithë krishterimit të Lindjes e të një ngjarjeje, të cilën edhe Kisha katolike e shikon me shumë vëmendje, ngaqë e di mirë sa për zemër e ka Papa Françesku unitetin dhe harmoninë ndërmjet Kishave motra, por edhe konceptin e sinodalitetit të plotë.








All the contents on this site are copyrighted ©.