2016-06-16 12:06:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Rebeka


Në emisionin e sotëm, në kuadrin e veprës së mëshirshme, që na këshillon t’u japim të pijnë të eturve, do t’ju japim shembullin e Rebekës, e cila duke kryer këtë vepër, u bë një nga gratë e rëndësishme në historinë e shëlbimit.

Rebeka nuk ishte vetëm e ëmbël, por edhe shpirtmirë, e gatshme për t’u shërbyer të tjerëve. E pikërisht kjo shpirtmirësi e bëri të hyjë në historinë e shëlbimit si një nga nënat e Izraelit. Kjo karakteristikë e Rebekës u duk kur Elizeri, shërbëtori i Abrahamit, me të mbërritur në pusin jashtë portës së qytetit të Nahorit, pas një udhëtimi shumë të gjatë, i kërkoi ujë për të pirë. Ajo, jo vetëm i shuajti atij etjen, por u dha për të pirë edhe deveve. Nuk e dinte se me atë gjest po i përgjigjej lutjes së Elizerit, që kishte marrë rrugën për t’i gjetur një nuse të denjë Isakut, djalit të Abrahamit, e i kishte kërkuar Zotit t’i jepte një shenjë kur të haste në vajzën e përshtatshme: “Bëj, pra, që vajza, të cilës t’i them: ‘Ule katrovën tënde, që të pi’, dhe ajo të përgjigjet: ‘Pi, por edhe deveve të tua po u jap të pinë’, të jetë ajo që ti e caktove për shërbëtorin tënd Izakun. Me këtë gjë do ta kuptoj se dëftove miqësi ndaj zotërisë tim”(Zan 24,14).

Rebeka nuk u kursye, por me zell, nxorri ujë për dhjetë deve, duke dhënë prova për gatishmërinë dhe mirësinë e saj. Sipas rabinit të njohur Rabbi Hirsh, teolog hebre, bujaria e jashtëzakonshme e Rebekës vlerësohet më mirë, nëse sqarohet ç’kuptim kishte oferta e saj. Nuk dha thjesht një shtambë me ujë për çdo deve - megjithse edhe vetëm kjo gjë do të thoshte të nxirrte dhjetë herë ujë nga pusi - por ajo nxorri ujë derisa devetë e shuan krejtësisht etjen (Zan 24,22). E dihet se deveja pi një sasi të jashtëzakonshme uji, sepse e përdor atë për disa ditë. Rebeka i impenjua megjithsej në këtë punë, pavarësisht se nuk ishte ajo, por shërbëtoret e saj, që shkonin përditë të merrnin ujë në pus, pra, për të, ishte punë e jashtëzakonshme. Torah pohon se ajo nxitohej e vraponte, pa u trembur nga Elizeri, nga ky burrë me forcë mashkullore, i cili nuk e ngriti as gishtin për ta ndihmuar atë, që ishte vetëm vajzë e re. Ai rrinte aty në këmbë, ndërsa Rebeka lodhej e vetme e pa ndihmë. Kur devetë pinë, Elizeri i dha Rebekës disa stoli: “nxori një unazë ari të rëndë një gjysmë sikli dhe ia vuri në hundë dhe dy mëdorëza për duar, të rënda dhjetë sikla” (Zan 24,22).

Sipas Midrashit hebraik (tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt), Elizeri pa të ashtuquajturën “ghemilut chasadim” të Rebekës e në bazë të saj, e zgjodhi për nusen e Isakut. Duke i dhënë stolitë, ai i tregoi tërthorazi Rebekës se për meritë të veprave të saj, hynte në shtëpinë e Abrahamit. Në këtë shtëpi, ajo e pasardhësit e saj do të gjenin plotësinë sipas tri përmasave: Torah (Shkrimi Shenjt hebraik), Avodà (kulti) dhe Ghemilut Chasadim (përgjigjja me akte dashurie), të cilat janë tri shtyllat, që mbajnë botën, sipas hebrenjve. Unaza, që i vuri në hundë - pra, në kokë, seli e inteligjencës - përfaqëson Torah. Mëdorëzat apo byzylykët ishin dy, pra çift, ashtu si mëshira dhe veprat e mira janë dy faqe të së njëjtës medalje. Mëdorëza e veprave të mira vendoset në dorën e djathtë, ndërsa ajo e mëshirës, në dorën e majtë, sepse me të djathtën jepet e me të majtën merret.

 Kështu, Rebeka me stolitë e saj bëhet ikonë e cilësive të Izraelit, ajo që do të nxjerrë në dritë njeriun me emrin Izrael e, bashkë me të, edhe popullin e Izraelit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.