2016-06-16 13:18:00

Papa: “Atyna” është gur themeli i lutjes sonë


 Kur themi “Atynën”, ndjejmë shikimin e Tij mbi ne: këtë pohoi Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se për të krishterin lutjet nuk janë “fjalë magjike” dhe  kujtoi  se “Atë” është fjala, që Jezusi e shqipton gjithnjë në çastet e forta të jetës.

Mos i shpërdoroni fjalët, si paganët, e as mos mendoni se lutjet janë “fjalë magjike”. Papa Françesku e mori shtytjen nga Ungjilli i sotëm, në të cilin Jezusi u mëson dishepujve të vet “Atynën”, për t’u ndaluar posaçërisht tek vlera që ka për të krishterin lutja drejtuar Atit. Jezusi - tha Papa - e tregon hapësirën e lutjes në një fjalë: “Atë”.

Jezusi i drejtohet gjithnjë Atit në çastet e forta të jetës

Ky Atë - vërejti Papa - që e di fare mirë për çka kemi nevojë, para se t’ia kërkojmë, ky Atë, që dëgjon në fshehtësi, në sekret, si Jezusi, na kërkon edhe ne të lutemi në fshehtësi:

“Ky Atë, që na jep identitetin e bijve! E kur them ‘Atë’, arrij deri në rrënjët e identitetit tim: identiteti im i krishterë është të jesh bir e ky është hir i Shpirti Shenjt. Askush nuk mund të thotë ‘Atë’, pa hirin e Shpirtit Shenjt. ‘Atë’ është fjala, që Jezusi e përdorte në çastet më të forta: kur ishte përplot me gëzim, me emocion: ‘Të lumnoj o Atë, sepse ti ua zbulon këto sende fëmijëve’; ose duke dënesur para varrit të Lazrit: ‘Të falënderoj, o Atë, sepse ma dëgjove lutjen’; ose më pas akoma, në fund, në çastet e mbrame të jetës, në fund të fundit”.

Në çastet më të forta - vuri në dukje Papa - Jezusi thotë “Atë”. E kjo është fjala, që e përdor më shumë. Ai flet me Atin. Eshtë udha e lutjes e, prandaj – pohoi – më lejoni të them, hapësira e lutjes. Nëse nuk e ndjejmë se jemi bij, nëse nuk e ndjejmë veten bij, nëse nuk themi ‘Atë’ – kujtoi – lutja jonë është pagane, është lutje fjalësh”.

T’i lutesh Atit është guri i këndit, Ai i njeh të gjitha nevojat tona

Natyrisht, shtoi, mund t’i lutem Zojës, engjëjve, shenjtorëve. Por – rikujtoi – guri i themelit të lutjes është Atyna. Nëse nuk jemi të aftë të fillojmë lutjen, duke u nisur nga kjo fjalë, lutja nuk ka si të shkojë mirë:

“Atë! Do të thotë ta ndjej vështrimin e Atit mbi mua, të ndjej se kjo fjalë “Atë”, nuk është shpërdorim, si fjalët e lutjeve të paganëve: është thirrje drejtuar Atij, që më dha identitetin e birit. Kjo është hapësira e lutjes së krishterë - ‘Atë’ - e pastaj mund t’u lutemi gjithë shenjtorërve, engjëjve, të bëjmë procesione, shtegtime… Gjithçka ësht e bukur, por pasi të jetë nisur me “O Ati ynë” e me vetëdijen se jemi bij e se e kemi një Atë, që na do e na i njeh të gjitha nevojat. Kjo është hapësira”.

Françesku kujtoi, më pas, pjesën e Atynës, në të cilën Jezusi flet për ta falur të afërmin, ashtu si na fal ne Zoti. Nëse hapësira e lutjes është të thuash “Atë”, atmosfera është të thuash “ynë”: jemi vëllezër, jemi një familje e vetme - vijoi - duke kujtuar, më pas, atë që i ndodhi Kainit, i cili  nisi ta urrejë të vëllain. Ati na jep identitet e familje.  Prej këndej ka shumë rëndësi aftësia për të falur, për t’i harruar fyerjet. Zakon i mirë, ky: ‘Ta lëmë mënjanë këtë punë, ta lëshojmë në dorë të Zotit. Di Ai, si të bëjë’, e të mos mbajmë mëri, mllef, inat, të mos brehemi nga dëshira për të marrë hak”.

Na bën mirë ta pyesim ndërgjegjën: “Si i lutemi  Atit?”

T’i lutesh Atit duke i falur të gjithë, duke i harruar fyerjet – nënvizoi Papa – është lutja më e mirë që mund të bëhet:

“Është gjë e mirë që nganjëherë të bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes për këtë. Për mua Zoti është Atë, po unë e a ndjej si Atë? E nëse nuk e ndjej, i lutem Shpirti Shenjt të më mësojë ta ndjej kështu. E të jem i aftë për t’i harruar fyerjet, për të falur e për t’i harruar e për t’i thënë Atit: ‘Po edhe këta janë bijtë e tu, më kanë bërë keq… po Ti më ndihmo t’i fal’”.

Ta rrëmojmë kështu ndërgjegjen. Do të na bëjë mirë, mirë, mirë. Ati është yni e na jep identitetin e bijve e na jep edhe një familje për të ecur së bashku në jetë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.