2016-06-16 13:58:00

Papa, artistëve të rrugës: përhapni mirësi e bukuri


Ju mbillni bukuri e gëzim në një botë, që nganjëherë, është e zymtë dhe e trishtë. Kështu u tha Papa Françesku rreth 7 mijë artistëve të rrugës, që i priti në Sallën e Palit VI në Vatikan, me rastin e Jubileut të tyre. Para audiencës, njerëz të cirkut, banda muzikore, zhonglerë e piktorë rrugësh, dhanë shfaqje për Atin e Shenjtë.

Zejtarë të festës

Natyrisht, nuk i bie gjithnjë radha Papës të përkëdhelë një tigër, ashtu siç i ndodhi sot, me pjesëmarrësit e Jubileut të Spektaklit endacak, të cilët i quajti “zejtarë të festës, të mrekullisë, të së bukurës”:

 “Mund edhe ta frikësoni Papën, që përkëdheli atë tigrin… Jeni shumë të fuqishëm! E s’mund ta imagjinoni sa mirë bëni: mirësi, që mbillet. Faleminderit për këtë. Faleminderit!”.

Bartës të mëshirës hyjnore

Shfaqjet tuaja, reflektoi Ati i Shenjtë, “e pasurojnë shoqërinë e gjithë botës dhe ushqejnë ndjenjat e shpresës e të besimit, e lartojnë shpirtin, dëshmojnë guximin në ushtrime veçanërisht të vështira, tërheqin me habinë para së bukurës dhe propozojnë raste për një argëtim të shëndoshë”. Përmes argëtimit, vërejti Papa, mund t’u çosh njerëzve edhe mëshirën e Zotit:

“Festa e hareja janë shenjat dalluese të identitetit tuaj… Ju jeni pasuri e veçantë: me zhvendosjet e vazhdueshme, mund t’u çoni të gjithëve dashurinë e Zotit, përqafimin e mëshirën e Tij. Mund të jeni bashkësi e krishterë endacake, dëshmitarë të Krishtit, që është gjithnjë në udhë për t’u takuar edhe me më të largtit”.

Afër të fundmëve

Papa Françesku u përshëndet nga kryetari i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve dhe të endacakëve, kardinali Antonio Maria Vegliò, të cilit, më pas, i shprehu mirënjohjen për faktin se gjatë vitit jubilar, disa tenda cirku dhe komplekse panairesh i hapën dyert për më të fundmit e shoqërisë. Gjithashtu, lavdëroi impenjimin e shumë artistëve, që e çojnë artin e tyre në zonat e luftës, të fatkeqësive natyrore e të dhunës:

“Ju përgëzoj, sepse, në këtë Vit Shenjt, ua keni hapur dyert e shfaqjeve edhe nevojtarëve, të varfërve dhe të pastrehëve, të burgosurve dhe të rinjve me probleme. Edhe kjo është mëshirë: të mbjellësh bukuri dhe gëzim në një botë, nganjëherë, të zymtë e të trishtë”.

Kisha u qëndron pranë artistëve të rrugës

Një nga format më të lashta të argëtimit, për xhepat e të gjithëve, mjet i kulturës së takimit dhe i argëtimit në bashkësi, spektakli endacak e popullor, uroi së fundi Papa, t’i mirëpresë gjithnjë të vegjlit e nevojtarët. Kisha është me ju, i siguroi artistët Françesku, duke vënë në dukje vështirësitë për t’ua përshtatur ritmet e jetës, punës së tyre, gjithnjë në rrugë e në udhëtim:

“Prandaj, ju ftoj të kujdeseni për fenë. Shfrytëzoni çdo rast për të marrë Sakramentet. Transmetojuani fëmijëve dashurinë për Zotin e për të afërmin. Siç e dini, Kisha shqetësohet për problemet, që shoqërojnë jetën tuaj endacake e dëshiron t’ju ndihmojë në zhdukjen e paragjykimeve, që nganjëherë, ju mënjanojnë”.

         Në përfundim të audiencës, pjesëmarrësit kaluan Portën Shenjte të bazilikës e, deri pasdite, vazhduan shfaqjet në Sheshin e Shën Pjetrit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.