2016-06-16 12:13:00

Agonia e Halebit: Atë Ishak: jemi shënjestër e raketave


Në Siri ushtarakë gjermanë, amerikanë e francezë luftojnë përkrah forcave demokratike siriane në betejën kundër Is, mbi lumnin Eufrat. E pohojnë aktivistët dhe Vëzhguesit sirianë për të drejtat e njeriut. Gjithnjë sipas Vëzhguesit, forcat e huaja nuk marrin pjesë në aksionet ushtarake, por ndihmojnë në çmontimin e minave të Is. Për Ministrinë siriane të Punëve të Jashtme, e gjithë kjo quhet “shkelje e sovranitetit kombëtar”. Ndërkaq situata humanitare po keqësohet në gjithë Sirinë, posaçërisht në zonën e Halebit. Në mikrofonin tonë, dëshmia e rregulltarit atë Samhar Ishak, mëkëmbës famullitar i famullisë së Halebit:

Përgjigje: - Për fat të keq, gjendja bëhet gjithnjë më e vështirë.  Shpresojmë gjithnjë se do të përmirësohet, ndërsa vijon të keqësohet. Halebi është ndarë përgjysëm: një pjesë, nën kontrollin qeveritar, pjesa tjetër, nën kontrollin e rebelëve. Lufta vijon me tërbim, posaçërisht këto ditë, kur nuk pushojnë së fluturuari predhat e raketave. Rebelët sulmojnë pjesën perëndimore të qytetit, ku është edhe famullia jonë, zonë e kontrolluar nga qeveria siriane. Është, pastaj, edhe problemi i ujit dhe i elektricitetit, që mungojnë prej ditësh, sepse nën kontrollin e rebelëve. Por përveç gjithë këtyre shqetësimeve, ka edhe shumë të vdekur e të plagosur, shumë shtëpi të dëmutuara e shumë familje, që vijojnë të ikin nga Halebi. Nuk mund të jetojnë më në këtë gjendje, që vijon të keqësohet vazhdimisht.

Pyetje: - Halebi është i ndarë ndërmjet ushtarëve të qeverisë siriane e rebelëve. Por, kush janë këta rebelë?

Përgjigje: - Janë grupe të ndryshme. Nuk mund të themi se bëhet fjalë për një grup të bashkuar rebelësh. E as se kemi të bëjmë me Is-in apo me al- Nusrën, Jo, janë krejt të ndryshëm; janë shumë prej këtyre grupeve. Nuk është një grup i vetëm…

Pyetje: - Janë të bashkuar?

Përgjigje: - Jo, jo, janë edhe në luftë ndërmjet tyre, posaçërisht al-Nusra me Is-is.

Pyetje: - A përpiqet ushtria siriane ta marrë Halebin?

Përgjigje: - Shpresojmë. Po vepron rreth Halebit e po i merr nën kontroll shumë zona, që ishin nën kontrollin e Is-it, të al-Nusrës, ose të grupeve të tjera. Po e rimerr gjithë zonën rreth Halebit, por shpresojmë se do të arrijë të hyjë edhe në zonën lindore, në mënyrë që edhe kjo zonë të jetë më e sigurt.

Pyetje: - Në këto rrethana, të krishterët e Sirisë a ia dalin mbanë ta ruajnë fenë e tyre?

Përgjigje: - Në  Haleb, por edhe në mbarë Sirinë, të krishterët e ndjejnë veten të persekutuar, edhe pse jo drejtpërdrejt. Lufta nuk është kundër të krishterëve, por kundër gjithë vendit. Shikojmë se nganjëherë si Is, ashtu edhe al-Nusra hyjnë në fshtatrat e krishtera e masakrojnë, vrasin, ose i detyrojnë banorët të ikin. Të krishterët e ndjejnë fort këtë persekutim, ndonëse nuk janë të vetmit që persekutohen. Persekutohen edhe shumë myslimanë të moderuar. Ne kemi jetuar gjithnjë pranë e pranë. Po jap vetëm një shembull, atë të një familjeje të Halebit, që humbi djalin e vetëm, 21 vjeç, për shkak se një raketë ia goditi shtëpinë. Kur shkova t’i takoj, më dhanë një dëshmi me të vërtetë të fortë feje. Më thanë: “E dimë se Zoti nuk ka të bëjë me këto gjëra. E falënderojmë për gjithçka e i lutemi të na japë forcë e fe për të ecur përpara, sepse pa Të nuk mund të bëjmë asgjë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.