2016-06-15 14:29:00

Katekizmi i Papës në audiencën e përgjithshme: mëshira është dritë


Të gjithë “tundohemi” t’i shikojmë si të bezdisshëm mërgimtarët e  refugjatët. Edhe Papa. E tha vetë Ati i Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë audiencës së përgjithshme, kushtuar temës: “Mëshira është dritë”. Indiferenca dhe armiqësia - nënvizoi - e bëjnë njeriun të verbër e të shurdhër. Prej këndej, Françesku i nxit të gjithë të jenë të ndjeshëm e t’i ndihmojnë nevojtarët: duke ndjekur Krishtin - shtoi - mund të vëmë në qendër të udhës sonë “atë që ishte i përjashtuar”.

Tundimi i bezdisë

Ndeshemi shpesh me indiferencën, armiqësinë, bezdinë ndaj shumë njerëzve, që edhe sot përjashtohen nga radhët e shoqërisë për shkak të ndonjë të mete fizike, ose të ndonjë natyre tjetër. Papa Françesku vëren shoqëritë tona në të cilat - kujton - mund të takojmë njerëz që, për arsye të ndryshme, flaken në skutat e jetës, e shpesh, ndonëse pa fjalë, bërtasin e kërkojnë shpëtim, lypin ndihmë, përgjërohen për pakëz interes, për mëshirë, për një gjest sado të vogël solidariteti a dëshire për t’i rikthyer edhe ata në jetë. Prej këndej Papa, nga Sheshi i Shën Pjetrit, bëri thirrje për rrëmimin e ndërgjegjes. Secili duhet ta pyesë vazhdimisht veten për qëndrimin që mban ndaj nevojtarëve, të sëmurëve, të uriturve, por edhe   mërgimtarëve e refugjatëve. Duke komentuar fragmentin ungjillor, në të cilin tregohet sesi Jezusi ia kthen dritën e syve të verbërit të Jerikos, i ftoi besimtarët të reflektojnë për qëndrimin e turmës, që nuk pati pikë mëshire për të:

“Sa herë ne, kur shikojmë një mori njerëzish udhës - njerëz nevojtarë, të sëmurë, që nuk kanë ç’të hanë - ndjehemi të bezdisur. Shpesh herë, edhe kur ndodhemi para një mori mërgimtarësh e refugjatësh, ndjejmë bezdi. Tundim, që e kemi të gjithë, ky. Të gjithë, edhe unë”!

Indiferenca dhe armiqësia shndërrohen në sulm e fyerje

Në rrugën e shtegtimit tonë tokësor - vërejti Françesku - mund të takojmë njerëz që, për arsye të ndryshme, flaken në skajet e shoqërisë. Përjashtohen prej saj. Na tërheqin vëmendjen, por ne shpesh herë u përgjigjemi me indiferencë e edhe me armiqësi. Po Fjala e Zotit na mëson ta kuptojmë se indiferenca dhe armiqësia të bëjnë të verbër e të shurdhër, të pengojnë t’i  vëresh vëllezërit e të shikosh në ta vetë Zotin:

“Nganjëherë kjo indiferencë e kjo armiqësi bëhen edhe sulm, e deri fyerje.  E atëherë dëgjojmë shprehje nervoze, si ‘Flakini përjashta të gjithë këta njerëz’, ‘Na i hiqni qafe!’. ‘Zhdukini ku të mundeni!’. Po këtë qëndrim mbante turma, kur i verbëri  i kohës së Krishtit bërtiste. ‘Zhdukeni që këtu! Hajt, mos fol më e, sidomos, mos na shurdho këtu, në mes të rrugës”.

Jezusi shpëton e çliron

Nga ana tjetër, kur kalon Jezusi - siç ndodh në Jeriko - sjell gjithnjë me vete çlirim e shëlbim. Të verbërit, që e kërkon, i duket sikur po vijnë Pashkët e tij. Pa u trembur aspak nga kërcënimet e turmës, e thërret me zë të lartë Jezusin, duke e njohur si Bir i Davitit, si Mesia i pritur që, sipas Izaisë profet, do t’ua hapte sytë të verbërve (krh Is 35,5). Në ndryshim nga turma, ky i verbër shikon me sytë e fesë. Falë kësaj, lutja e tij ka fryt të fuqishëm. Prej këndej Jezusi, duke e dëgjuar, ndalet dhe e vë në qendër të vëmendjes:
“Të mendojmë edhe ne sesi, kur ishim në gjendje të keqe, edhe në gjendje mëkati, pikërisht Jezusi na mori për dore e na hoqi nga rruga, ku ishim flakur, për të na dhuruar shëlbimin”.

Ftesa për të ndjekur Jezusin

Në këtë mënyrë Jezusi “i detyron” të gjithë të bëhen të vetëdijshëm se lajmi i mirë të kërkon ta vësh në qendër të udhës sate, atë që ishte i përjashtuar: kalimi i Zotit, - shpjegon Papa - është takim mëshire, që i bashkon të gjithë rreth Tij, për të  mundur, kështu, t’i njohë nga afër ata, që kanë nevojë për ndihmë e ngushëllim:

“Jezusi kalon edhe në jetën tonë, e kur kalon Jezusi e unë kujtohem, kjo është ftesë për t’iu afruar, për të qenë më i mirë, për të qenë i krishterë i vërtetë, për ta ndjekur Jezusin”.

Udha jonë: nga lypës, dishepuj

Jezusi e pyet të verbërin çfarë dëshiron: bëhet pra - vëren Françesku – shërbëtor i njeriut mëkatar. E i verbëri e thërret “Zot e Zotëri”, titull që Kisha ia jep Krishtit të ngjallur që kur ishte në fasha, dhe kërkon ta shohë. Dëshira  tij plotësohet: e dëshmoi fenë e vet duke iu lutur Jezusit e duke dashur ta takojë patjetër, e pikërisht kjo i solli si dhuratë shpëtimin. Kështu njeriu i padashur e ndjeu se Jezusi e donte e nisi ta ndiqte e u bë dishepull i Tij:

“Nga lypsar, dishepull, e kjo është edhe udha jonë; të gjithë jemi lypës, të gjithë. Kemi nevojë gjithnjë për shëlbim. E të gjithë ne, për gjithë ditë, duhet ta bëjmë këtë hap: nga lypës, dishepuj”.

Mëshirë për të gjithë

Ajo që i ndodhi të verbërit - shtoi Papa - ua hapi sytë edhe të tjerëve për të parë se Jezusi e dikon mëshirën e tij mbi të gjithë njerëzit, që takon: i thërret, i bën të vijnë vetë, i mbledh, i shndrit, duke krijuar një popull të ri, që kremton mrekullitë e dashurisë së tij përdëllyese:

“Ta lëmë edhe ne Jezusin të na thërrasë, ta lëmë të na shërojë, të na falë, e të shkojmë pas Jezusit duke lumnuar Zotin”.

Përshëndetjet

Në përfundim të audiencës, një përshëndetje të veçantë Papa ua drejtoi, ndërmjet tjerëve, besimtarëve të ardhur nga Siria si dhe shtatëdhjetë djemëve të Institutit penal për të mitur të Airolës. Ndërmjet të pranishëmve në Shesh, edhe rreth njëqind shtegtarë ardhur enkas nga Kina.








All the contents on this site are copyrighted ©.