2016-06-15 16:32:00

Papa, të moshuarve: Zoti nuk ju braktis, jeni kujtesë e gjallë


“Të dashur të moshuar, Zoti nuk ju braktis, është me ju! Me ndihmën e Tij, ju jeni kujtesa e gjallë për popullin tuaj”. Kështu shkruan Papa Françesku në faqen e tij në Twitter, pikërisht kur bota kremton Ditën e sensibilizimit kundër abuzimeve me të moshuarit. Të shumta e të fuqishme kanë qenë thirrjet e Atit të Shenjtë gjatë tre viteve të papnisë, në favor të respektit për të moshuarit, shpesh, viktima të kulturës së mënjanimit:

         “Sa do të doja një Kishë, që sfidon kulturën e hedhurinave me gëzimin përmbytës të një përqafimi të ri ndërmjet të rinjve e të moshuarve”.

         Është kjo një nga ëndërrat e Françeskut, Papa, i cili, që nga fillimi i papnisë, deshi një Kishë të varfër për të varfërit. E Ati i Shenjtë e ngre shpesh zërin për të moshuarit, duke denoncuar atë lloj kulture, që i mënjanon, që nuk i pranon, sepse tepër të ngadalshëm e të brishtë për furinë e kohëve moderne, tepër të sëmurë ndoshta, me nevojën e domosdoshme që dikush të kujdeset vazhdimisht për ta:

         “Ka diçka prej burracaku në këtë kulturë të hedhurinave… kujtoj kur vizitoja shtëpitë e pleqve e flisja me secilin prej tyre: ‘Si je? Si i ke fëmijët?’. ‘Mirë, mirë’. ‘Sa fëmijë ke?’. ‘Shumë’. ‘A vijnë për vizitë?’. ‘Po, po. Vijnë përherë’. ‘Kur kanë ardhur herën e fundit?’. Kujtoj një grua të moshuar, që më tha: ‘Për Krishtlindje’. Ishim në gusht! Tetë muaj pa u parë me fëmijët, tetë muaj e braktisur! Ky quhet mëkat mortar, morët vesh?”.

         I moshuari, përsërit gjithnjë Papa Françesku, ashtu si fëmija dhe emigranti, mund t’i japë shumë shoqërisë, ndërsa mënyra si sillet shoqëria me ta është masë për të gjykuar nivelin e qytetërimit të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.