2016-06-14 15:34:00

Doktrina e Fesë: dhuratat karizmatike dhe hierarkike bashkëjetojnë në Kishë


Dhuratat hierarkike dhe ato karizmatike janë njëlloj të rëndësishme për jetën e Kishës: kjo është pika qendrore e Letrës “Iuvenescit Ecclesia” (Kisha rinohet), publikuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë. Dokumenti i nënshkruar nga prefekti, kardinali Ludwig Müller dhe nga sekretari, imzot Luis Ladaria, u drejtohet ipeshkvijve të Kishës Katolike dhe trajton marrëdhëniet ndërmjet dhuratave hierarkike e karizmatike për jetën e misionin e Kishës.

Lëvizjet e misionet t’i binden ipeshkvit

         Shpjegojmë se dhurata hierarkike quhen ato, që merren përmes Sakramentit të shugurimit diakonal, meshtarak apo ipeshkvnor. Ndërsa, dhuratat karizmatike janë ato, që Shpirti Shenjt i dikon lirisht mbi të gjithë. Nga këto dhurata karizmatike frymëzohen edhe lëvizjet e bashkësitë e reja, që lindin në Kishë. Dokumenti, i miratuar nga Papa Françesku, dëshiron të vendosë rregull në lindjen e këtyre lëvizjeve e bashkësive, që fillimisht kërkojnë lejen e ipeshkvit vendas. Mëse një herë, Ati i Shenjtë ka kërkuar që lëvizjet e reja të mos jenë autonome, por t’i binden ipeshkvit vendas, i cili, me masat e fundit marrë nga Françesku, përmes një Rescriptum-i, duhet të kërkojë me parë mendimin e Vatikanit.

         Në veçanti, Letra “Iuvenescit Ecclesia” ndalet në çështjet teologjike e jo në ato baritore dhe praktike, që rrjedhin nga marrëdhëniet ndërmjet institucionit kishtar dhe lëvizjeve e bashkësive të reja, duke theksuar lidhjen e harmonishme e plotësuese ndërmjet tyre, në kuadrin e “pjesëmarrjes së frytshme dhe të rregullt” të karizmave në bashkimin e përgjithshëm kishtar. Pra, karizma personale nuk mund t’i autorizojë lëvizjet e bashkësitë e reja të mos i binden hierarkisë kishtare dhe as t'u japë atyre të drejtën e një shërbimi autonom në Kishë.

Të mos kundërvihen Kisha institucionale me Kishën e bamirësisë

         Këto lëvizje e bashkësi u përgjigjen dhuratave karizmatike në Kishë e nuk duhen konsideruar të kundërta me dhuratat hierarkike. Nuk kemi, nënvizon dokumenti, nga njëra anë Kishën e “institucionit” e, nga ana tjetër, Kishën e “bamirësisë”, sepse në Kishë “edhe institucionet thelbësore janë karizmatike” dhe “karizmat duhet të institucionalizohen për të pasur koherencë e vazhdimësi”. Prandaj, të dyja këto përmasa “bashkëpunojnë për ta bërë të pranishëm misterin dhe veprën shëlbimprurëse të Krishtit në botë”.

Kriteret për të dalluar karizmat e vërteta

         Por si mund ta dallojmë karizmën e vërtetë? Letra e Kongregatës për Doktrinën e Fesë sqaron se shoshitja e sqarimi i karizmave u takon autoriteteve kishtare, sipas kritereve të veçanta, si: janë apo jo mjet shenjtërimi në Kishë?; a impenjohen në përhapjen misionare të Ungjillit?; a e shpallin haptas fenë katolike?; a e dëshmojnë bashkimin faktiv me gjithë Kishën, duke pranuar besnikërisht mësimet e saj doktrinore dhe baritore?; a i njohin e vlerësojnë përmasat e tjera karizmatike në Kishë?; a i pranojnë me përvuajtëri çastet e sprovës?; a kanë fryte shpirtërore si bamirësia, gëzimi, paqja, humaniteti?; a kujdesen për përmasën shoqërore të ungjillëzimit, të vetëdijshëm se “shqetësimi për zhvillimin e gjithanshëm të më të braktisurve të shoqërisë nuk mund t’i mungojë një realiteti autentik kishtar”?.

Njohja juridike, sipas së Drejtës kanonike

         Përveç kësaj, Letra “Iuvenescit Ecclesia” cakton dy kritere të tjera themelore për njohjen juridike të realiteteve të reja kishtare, sipas formave të Kodit të së Drejtës Kanonike. I pari është “respektimi i veçorive karizmatike të secilit prej bashkimeve kishtare”, në mënyrë që të mos gjenden justifikime juridike të kota, të cilat e mbysin risinë që në fillim. Kriteri i dytë ka të bëjë me “respektin për ‘regimen’ kishtar themelor”, duke favorizuar ndërthurjen e vërtetë të dhuratave karizmatike në jetën e Kishës, por duke shmangur konceptimin e tyre si realitete paralele, pa referim të rregullt ndaj dhuratave hierarkike.

Lidhja ndërmjet Kishës universale dhe Kishave të veçanta

         Dokumenti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë vë, pastaj, në dukje se karizmat i dhurohen gjithë Kishës, por realizohen gjatë shërbimit në një dioqezë konkrete, ku kthehen, me të vërtetë, në mundësi për ta jetuar e zhvilluar thirrjen personale, qoftë ajo martesa, celibati meshtarak apo shërbimi rregulltar. Edhe jeta e shuguruar, nënvizohet, bën pjesë në përmasën karizmatike të Kishës, sepse përshpirtëria e saj mund të bëhet pasuri si për besimtarin laik, ashtu edhe për presbiterin, duke i ndihmuar të jetojnë secili, thirrjen e vet. Në fund, Letra u bën ftesë të gjithëve të ndjekin shembullin e Zojës, e cila, iu bind me përvuajtëri, veprimit të Shpirtit Shenjt.








All the contents on this site are copyrighted ©.