2016-06-14 15:05:00

Do të beatifikohet grupi i 115 martirëve të Luftës civile spanjolle


Së shpejti do të bëhen të Lumë 115 martirë të Luftës civile spanjolle, e do të njihen virtyteve heroike të shtatë prej Shërbëtorëve e Shërbëtoreve të Zotit. Kështu vendosi sot paradite Papa Françesku duke miratuar, gjatë audiencës me kardinalin Angelo Amato, shpalljen e Dekreteve përkatëse të Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve.

Në dokument pranohet martirizimi i Shërbëtorëve të Hyjit José Alvarez-Benavides y de la Torre, dekan i Kapitullit të Katedrales së Almerìa-s, e të 114 Shokëve, vrarë për shkak të urrejtjes së Fesë ndërmjet viteve 1936 e 1938.

Pas kryengritjes ushtarake të 17 korrikut 1936 kundër Republikës Spanjolle, shpërtheu menjëherë lufta. Që në fillim të kësaj tragjedie ndodhën ngjarje që tregonin qartë se po niste persekutimi fetar. Historiani anglez Hug Tomas pohon se në asnjë çast të historisë evropiane e ndoshta edhe botërore, nuk është shprehur një urrejtje kaq e tmerrshme kundër fesë e të gjitha veprimtarive të saj. Kujtojmë se gjatë luftës civile spanjolle, shumë priftërinj, rregulltarë e laikë qenë vrarë nga dora e republikanëve; shumë prej këtyre viktimave janë beatifikuar apo kanonizuar nga Kisha katolike romake.

Ndokush mund edhe të thotë se nuk është e nevojshme të rikujtohet e kaluara, por duhet shikuar e sotmja dhe e ardhmja. Ç’mesazh na sjell, në këtë drejtim, lumnimi i martirëve? Kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përgjigjet kështu:

Natyrisht, nuk duhet të kapemi vetëm pas së kaluarës, e sidomos, nuk duhet të lejojmë të përsëriten ngjarjet e saj mizore e çnjerëzore, siç ndodh shpesh në histori, kur harrohen! Ngjarje si persekutimi i viteve ’30. Prandaj mesazhi i lumnimit të martirëve të Luftës civile spanjolle është lajm i mirë për sot. Martirët mbjellin dashuri, jo urrejtje. Transmetojnë  ngrohtësinë e pranisë së Zotit, deri në zemrat e atyre, që s’dinin tjetër, veçse të vrisnin. Jeta e tyre e mirë lehtëson dhembjet  e shëron zemrat  e prekura nga sëmundjet e urrejtjes e të përçarjes. Martirët e bëjnë më të bukur e më të banueshme shtëpinë e njeriut, duke ftuar të mos përsëritet më e kaluara  e errët e gjakatare, por të ndërtohet e të jetohet një të sotme e ndritshme e vëllazërore. E ky është lajmi i mirë, që sjell çdo lumnim. Lumnimet na ftojnë t’i përgjigjemi hakmarrjes me falje, vdekjes me jetë, dhunës me dashuri. Prandaj Kisha vijon t’i kremtojë e t’i lumnojë martirët!  








All the contents on this site are copyrighted ©.