2016-06-13 13:38:00

Më 13 qershor, Kisha katolike përkujton Shëna Ndoun e Padovës


Më 13 qershor, Kisha katolike përkujton Shëna Ndoun e  Padovës, meshtar françeskan e Doktor i Kishës. Lindur në Portugali, njohu Shën Françeskun e Asizit e në saje të mandatit të tij predikoi në Itali, ku shumë shpejt u bë i famshëm për holemitë e tij të përqendruara mbi dashurinë e përvujtërinë e duke kritikuar ashpër hipokrizinë, koprracinë e mendjemadhësinë. “Predikimi është i frytshëm atëherë kur flasin veprat” – thoshte shëna Ndou duke këshilluar: “të merrnin fund, ju lutëm, fjalët, le të flasin veprat”. Sot, Shëna Ndou apo Shën Antoni është i njohur në mbarë botën si “Shenjti i Popullit” e “Taumaturg” – “Mrekullibërës”. E kudo në botë, posaçërisht në Padovë të Italisë e Lisbonë të Portugalisë, po edhe ndër shqiptarë, Shën Antoni festohet me nderim të posaçëm e me solemnitet të veçantë në Laç të Sebastes, në Kurbnesh, në Gjakovë, në Prishtinë, Glloxhan e vende tjera, ku mijëra besimtarë shtegtojnë në Kishat kushtuar shenjtit në trojet shqiptare.

Po të ndalemi te figura e këtij teologu të shquar e këtij mësuesi shembullor të jetës baritore, që është Shën Antoni. Doktori ungjillor, siç e quajti Papa Piu XII Shën Antonin, lindi në Lisbonë, në gjirin e një familjeje fisnike, rreth vitit 1195 e u pagëzua me emrin Fernand. Hyri ndër kanonikët që ndiqnin rregullin e Shën Agostinit, së pari në kuvendin e Shën Vinçencit, në Lisbonë, më pas, në Atë të Shëna Krygjës, në Koimbra, asokohe qendër e njohur kulturore e Portugalisë.

Iu kushtua me zell studimit të Biblës e të Etërve të Kishës, duke fituar atë shkencë teologjike, të cilën më pas e vuri në jetë me fryt në veprimtarinë e mësimdhënies e të predikimit. Në Koimbra ndodhi ngjarja, që do të shënonte kthesën e madhe të jetës së tij: këtu, më 1220, u vendosën për nderim në elter, reliket e pesë misionarëve të parë françeskanë, që kishin shkuar në Marok, ku ishin martirizuar. Fundi i jetës  tokësore të martirëve ngjalli në zemrën e Fernandit të ri dëshirën për të ecur në gjurmët  e tyre e për të përparuar në udhën e përsosurisë së krishterë. Lypi, atëherë, të largohej nga Kononikët agostinanë e të bëhej vëlla i vogël.

Kërkesa e tij u pranua e, si mori emrin Anton, u nis edhe ai për në Marok, por Provania hyjnore vendosi ndryshe. Pas një sëmundjeje të rëndë, u detyrua të rikthehej në Itali e, në vitin 1221, mori pjesë në Kapitullin e famshëm të rrogozave, në Asizi, ku u takua me Shën Françeskun. Më pas jetoi në heshtje të plotë, në një kuvend pranë Forlìsë, në veri të Italisë, ku Zoti e thirri për një mision tjetër.

I dërguar rastësisht për të predikuar  në shugurimin meshtarak të një sivëllait, tregoi se ishte i pajisur me aftësi të shquara shkencore e me gojëtari të bindshme. Atëherë eprorët menduan t’i kushtohej posaçërisht predikimit. E ai nisi, më parë në Itali e pastaj në Francë, një veprimtari apostolike të dendur e të frytshme, përmes së cilës arriti t’i rikthejë në gjirin e Kishës shumë njerëz, që ishin shkëputur prej saj. Antoni qe edhe një nga mësuesit e parë të teologjisë të vëllezërve të vegjël, për të mos thënë i pari.

Nisi të japë mësim në Bolonjë, me bekimin e vetë Shën Françeskut i cili, duke i njohur virtytet e Shenjtit të ardhshëm, i dërgoi një letër të shkurtër, që hapej me këto fjalë: “Më pëlqen që u mëson teologji vëllezërve”. Antoni hodhi bazat e teologjisë françeskane që, e kultivuar nga figura të tjera  mendimtarësh të shquar, arriti majat me Shën Bonaventurën nga Banjorexhio dhe me të Lumin Duns Skot.

Si u bë Epror provincial i Vëllezërve të vegjël françeskanë të Italisë veriore, vijoi të predikonte, pa hequr dorë nga drejtimi i provincës, që i qe besuar. Pasi përfundoi detyrën e ngarkuar, u tërhoq në Padovë, ku kishte shkuar edhe herë të tjera. Pas një viti, mbylli sytë tek Portat e qytetit, më 13 qershor 1231. Padova, që e kishte pritur me entuziazëm e dashuri në jetë, e bëri të vetin, me nderim e devocion, edhe pas vdekjes.

Vetë Papa Gregori IX, pasi e kishte dëgjuar duke predikuar, e quajti “Arka e Besëlidhjes” dhe e shpalli shenjt vetëm një vit pasi ndërroi jetë, më 1232, pas mrekullive të mëdha, që ndodhën me ndërmjetësimin e tij.

Në periudhën e fundi të jetës, Antoni shkroi dy cikle me titullin ‘Sermone’ (Predikime), të cilat i titulloi “Sermonet  e së dielës” dhe ‘Sermonet kushtuar shenjtorëve”, për përdorim nga predikatarët dhe nga  mësuesit e teologjisë të Urdhrit Françeskan. Aq të pasura në mësime shpirtërore ishin këto dy vepra, sa  Papa Piu XII, në vitin 1946, e shpalli Antonin “Dijetar i Kishës”, duke i dhënë titullin “Doktor ungjillor”, sepse nga shkrimet e tij, që mund t’i lexojmë edhe sot e kësaj dite,  buron freskia e bukuria e Ungjillit.

SHNA NDOU I PADOVËS
Në lypë, o njeri mrekulli
si n’idhnim si në zor, si në dekë,
të kqijat zhduken gjith unji
i shndoshtë kjosh a fill tue hjekë.
(kthesa) O i mrekullueshmi Shejti Shna Ndue,
ty qielli e toka asht tue të nderue.
Na nder kambë tua sod të kemi ra
dhe na po të lut’mi ndihmë me na u bâ.
Djalli rrebtë me shumë duhi,
E gërbula në shum ezgjet,
zhduken shpejt, emnin tue ndî
e Shna Ndout kur kush e thrret. (kthesa).
Fashitë deti me tallaze,
Zgidhen robët në robní shtërngue:
paqja bje, s’rri mâ në maraze
njeri jet kryekput i gëzue. (kthesa)
Gja në të pasët hupë për ta gjetë ké,
e burrë në kjosh a plak a i ri:
zor, rrezik, çka të keshë mbi dhé
me u zhdukë ka, veç n’ emën të ti. (kthesa).
Padovanët pa prâ diftojnë
gjith kto punë që bajnë vaki,
nji mbas tjetrit i kallzojnë
nderim shejtit tue i përtrî. (kthesa).
Atit të madh i kjoftë lumni,
që me Birin bashkë sundoftë,
e me Shpirtin gjith Shejtní
të treve bashkë lumni u kjoftë. (kthesa).
Marrë nga “Mësim i kshtenë”, Dom Frano Illia

Shëna Ndout të Padovës
O i lumi e i mrekullueshmi shenjti shna Ndue,
ndër këmbë të tua po biejmë,
e me gjithë fuqi të zemrës sonë
po të lutemi të na nxjerrësh prej Tenzot
hir e forcë që të ndjekim në përvujtëri shenjtë,
ça është aq e këndshme para Zotit,
e aq e dobishme për shpirt.
O shenjti i bardhë,
ti që je i mëshirshëm e dorëdhenë me gjithkënd,
dëgjo lutjen tonë e na plotëso dëshirën e zemrave tona.
Bën o Hyj, që e kremtja e kushtuar shna Ndout,
Dëshmitarit tënd e Dijetarit,
të gëzojë Kishën tënde,
kështuqë kjo, e forcuar prej hirit tënd shpirtëror,
të meritojë e të kapet në gëzime të pambaruara. Amen

Shën Antonit të Padovës
O Zot ki mëshirë!
O Krisht, ki mëshirë!
O Zot, ki mëshirë!
O Krisht ndijena ne!
O Krisht, dëgjona ne!

O Hyj Atë në Qiell, ki mëshirë për ne!
Hyj Bir, Shëlbuesi i botës,
Hyj Shprit Shenjt,
Trini e Shenjtë, një Hyj i vetëm.

ose
Ati prej qiellit Zot, ki mëshirë për ne!
Biri, shpërblyesi i botës, Zot,
Shpirti Shenjt, Zot,
Shenjta Trini, një i vetmi Zot.

Shën Antoni I Padovës, lutu për ne!
Ti nxënës besnik i shën Françeskut,
Ti stoli e Rendit të vëllezërve të Vegjël,
Ti dritë dhe shtyllë e Kishës,
Ti i fejuari I shenjtëi i varfërisë,
Ti shëmbëlltyrë e përvujtërisë,
Ti shembull i durimit,
Ti shëmbëlltyrë e dëgjesës,
Ti lilaku më i bukur i paprishur i çiltërisë,
Ti që u denjove të bartësh Jezusin Fëmijë
në duart e tua të shenjta,
Ti që Hyjin tënd me krejt zemër e deshe,
Ti pasqyrë e shenjtërisë së lartë,
Ti shembull i përshpirtërisë së vërtetë,
Ti që më hirin e Hyjit qe mbushur,
Ti kumtuesi i zellshëm i Ungjillit të shenjtë,
Ti mësues dashuriplotë i fesë,
Ti udhëzues i saktë i të lajthiturve,
Ti kundërshtar i forte i gabimeve dhe mëkateve,
Ti ngushëllim i të mjeruarve,
Ti streha e të braktisurve,
Ti ndihmëtari i nevojtarëve,
Ti rigjetësi i sendeve të humbura,
Ti mrekullibërësi i forte,
Ti ndërmjetës lavdishumë i Padovës.

Jezu Krisht, ki mëshirë!

Përmes meritave të shërbëtorit tend të shenjtë, ki meshire per ne!
Përmes durimit dhe mirësisë së tij,
Përmes varfërisë së tij të vetëzgjedhur,
Përmes pendesës dhe rojës së tij,
Përmes vetmohimit të tij të madh,
Përmes punës së tij të madhe për nderin Tënd,
Pëmes predikimeve të tij apostolike dhe mësimeve,
Përmes zellit të flaktë të përshpirtërisë së tij,
Përmes dashurisë së tij të madhe kundrejt të afërmit,
Përmes bashkëdhimbjes dhe mëshirës së tij,
Përmes gjakimit për kurorën e martirizimit,
Përmes të gjitha vështirësive që duroj për shkakun Tënd,
Përmes të gjitha shërbimeve të tij kushtuar Ty,
Përmes dashurisë fëmijërore të tij ndaj teje,
Përmes dashurisë, me të cilën Ti e ke pranuar në qiell.

Ne mëkatarët e shkretë, po të lutemi na dëgjo!
Që të na mëshirosh,
Që përmes meritave të Shën Antonit prej çdo njolle të na ruash,
Që në vuajtjet tona të na japësh qëndresën,
Që të denjohesh që në mjerimet tona ndihmen e Shen Antonit ta sprovojmë,
Që sipas dëshirës së tij nga vdekja të na mbrosh,
Që në Mbretërinë tënde të amshuar të na pranosh.

Shpagues hyjnor, pot ë lutem na dëgjo!

O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, na fal ne o Zot.
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, dëgjona ne o Zot.
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

O Krisht, ndjena ne!
O Krisht, dëgjona ne!

V. Lutu për ne o Shën Anton,
R. që të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit.

Të lutem!
O Hyj, Ti që shërbëtorin tënd, Shën Antonin, e zgjodhe për shërimin e botës, dhe përmes shembullit të shenjtë të tij dhe predikimeve të zellshme, të cilat i hoqën doresh dhunës së Satanit shpirtrat, bëj që përmes lutjeve të forta të tij dhe shikimit tënd kah shërbëtori yt të fitojmë hirin hyjnor dhe të kemi pjesë në gëzimin e amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tone. Amen.

       LUTJA SHËN ANTONIT TË PADOVËS

O Hyj, Atë i mirë dhe i mëshirshëm, Ti e ke zgjedhur shën Antonin për dëshmitar të Ungjillit dhe për lajmëtar të paqes në Kishën Tënde. 
Po Të lutemi me ndërmjetësinë e tij: 
Shenjtëroji familjet tona: le të rriten në fe, shpresë dhe dashuri! 
Ruaji në bashkim, paqe dhe gëzim!
Bekoji fëmijët tanë, mbroje rininë tonë nga veset, varësitë dhe nga çfarëdo e keqe tjetër. 
Ndihmoji ata, të cilët i sprovojnë sëmundjet e ndryshme, vuajtja dhe vetmia.
Ktheji mëkatarët, e atyre që janë në shtratin e vdekjes ua fal hirin e pendimit dhe të kthimit.
Bekoji të gjithë dashamirët dhe mirëbërësit tanë të dashur!
Të gjithë neve na jep hirin e besnikërisë ndaj premtimeve të pagëzimit, që të qëndrojmë në rrugën pas Jezusit, të vetmit Shpëtimtarit tonë. 
Me ndërmjetësinë e Nënës sonë qiellore dhe të shën Antonit le të vijë të gjithë neve Shpirti Shenjt!
Ndërmjetësia e shën Antonit le të na lirojë gjithmonë për atë çka është e mirë dhe çka të pëlqen Ty, o Atë qiellor!
Për këtë po Të lutemi nëpër Krishtin, Zotin tonë. 
Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.