2016-06-12 15:32:00

Jubileu i të sëmurëve. Papa: të sëmurët duhet t’i duam e jo t’i rrethojmë “me gardh”.


Thirrje për kujdes e dashuri ndaj të gjymtuarve e të sëmurëve: Papa Françesku ua drejtoi besimtarëve sot paradite, gjatë Meshës kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit për Jubileun, që u kushtohej pikërisht atyre. Përballë mijëra të gjymtëve, vullnetarëve dhe shoqëruesve, Françesku tërhoqi fort vëmendjen e shoqërisë, duke theksuar se të sëmurët nuk duhen getizuar, nuk duhen rrethuar me gardh. Udha e vetme për të qenë të lumtur, të sëmurë e të shëndoshë, është të duhen.

Dashuria e Françeskut për të sëmurët

Eshtë e paharrueshme dhembshuria me të cilën i trajton Françesku të sëmurët: fëmijë, të rritur apo pleq qofshin. Përdor me ta një gjuhë gjestesh e fjalësh, që sot u ndje fort në përfundim të Meshës, kur iu afrua disa të sëmurëve dhe shoqëruesve të tyre. Gjuhë, që tregon si e kupton  mëshirën Ati i Shenjtë: gjuhë përqafimesh, buzëqeshjesh, me një fjalë, gjuhë, e cila flet për mikpritje:

“Lumturia, që e dëshiron secili, mund të shprehet në një mori mënyrash e mund të arrihet vetëm nëse jemi të aftë të duam. Kjo  është rruga! Është gjithnjë çështje dashurie, rrugë tjetër s’ ka. Sfida e vërtetë është e atij, që do më shumë. Sa njerëz të gjymtë e të vuajtur  rikthehen në jetë, sapo zbulojnë se dikush i do! E sa dashuri mund të gurrojë nga zemra, edhe pas një buzëqeshjeje të vetme! Terapia e buzëqeshjes…!”.

Jezusi i kupton gjymtimet tona, sepse i ka provuar ai vetë e, sidomos, sepse është mjek, që di të shërojë me ilaçin e dashurisë. “Ç’vërejtje mund t’i bëjmë Zotit për gjymtimet e vuajtjet tona - pohoi Papa -  kur i shikojmë të gjitha të vulosura mbi fytyrën e Birit të Tij të kryqëzuar?”.

Prandaj mijëra të sëmurët e të gjymtuarit, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nuk e morën fare parasysh kohën e keqe, nuk u trembën nga shiu e as nga rreziku i marrjes së ndonjë sëmundjeje të re, vetëm e vetëm për t’u takuar me Françeskun, për ta parë sy në sy atë, që flet fjalë, të cilat  shprehin dashurinë e Zotit për njeriun.

Të sëmurët nuk duhen getizuar, por duhen mirëpritur

Në homelinë e Meshës, Papa tregoi një mirëkuptim të plotë për realitetin njerëzor; të gjithë, heret a vonë - vërejti - ndeshemi me sëmundjet tona a të tjetërkujt, përvojë dramatike njerëzore. E Papa e di se përballë këtyre vuajtjeve mund të lindin sjellje të ndryshme, edhe cinike. Dikush mund të mendojë se gjithçka zgjidhet duke pësuar; dikush tjetër, duke llogaritur vetëm forcat vetjake ose duke i mbështetur gjithë shpresat mbi mjekësinë, që sigurisht nuk është në gjendje t’i shërojë të gjitha sëmundjet. Në epokën, kur  kujdesi për trupin është bërë mit masiv e edhe çështje ekonomike, e papërkryera duhet fshehur, sepse cënon lumturinë dhe qetësinë e njerëzve të privilegjuar dhe vë në krizë modelin sundues të jetës. Më mirë t’i veçojmë këta njerëz, mendon ndokush, t’i rrethojmë me ndonjë gardh të praruar, ose të shfrytëzojmë asistencializmin, që të mos ngatërrohet ritmi i rremë i mirëqenies sonë. E kjo, në rastin më të mirë. Kur nuk mendohet për t’i hequr qafe sa më shpejt, sepse të sëmurët mund të bëhen edhe barrë ekonomike e papërballueshme. Papa Françesku zbuloi edhe iluzionin e madh, që struket në këto mendime:

“Por në të vërtetë, cila është shpresa e kotë e njeriut të sotëm, kur i mbyll sytë përballë sëmundjes e gjymtimit? Ai nuk arrin ta kuptojë domethënien e vërtetë të jetës,  që të kujton se ka edhe vuajtje e ka edhe një kufi. Bota nuk bëhet aspak më e  mirë, kur përbëhet vetëm nga njerëz ‘të përkryer’, për të mos thënë ‘të maskuar’, por kur shtohet solidariteti ndërmjet njerëzve, kur thellohet mikpritja e respekti reciprok”.

Një Meshë kushtuar të gjymtuarve edhe në gjuhën që u përdor

Gjatë Meshës u përdor një gjuhë, që iu kushtua pikërisht gjymtimit; të gjitha leximet u përkthyen nga njerëz të shurdhër, prej kombeve të ndryshme, në gjuhën e shenjave ndërkombëtare. Të sëmurë e të gjymtuar shpallën Leximet e thanë lutjet. Por e reja e madhe ishte ajo e Ungjillit; për herë të parë në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa shpallej Ungjilli, një grup  njerëzish me kufizime mendore e paraqiti ngjarjen ungjillore, veshur me kostume të epokës së Jezusit. E kjo, për të krijuar kushte, që teksti të kuptohej edhe nga shtegtarët me kufizime mendore. Ishte Ungjilli - kujtoi Papa - që i kushtohej figurës së mëkatares, e cila “gjykohet” nga njerëzit e pranohet nga Jezusi. Dhembshuria e Tij - nënvizoi Ati i Shenjtë - është shenjë e dashurisë së Zotit për njerëzit që vuajnë e që përjashtohen.

E vuajtja nuk është vetëm fizike. Një nga sëmundjet më të përhapura sot, është ajo që prek shpirtin. Sëmundja e trishtimit, e quajti Françesku, vuajtja, që të trishton, sepse e ndjen veten të padashur ose të tradhtuar në marrëdhëniet më të rëndësishme, pa të cilat vetë jeta e humbet kuptimin:

“Tundimi për t’u mbyllur në vetvete bëhet tepër i fortë. Krijohet rreziku për të humbur rastin e jetës: të duash, pavarësisht nga gjithçka! Të duash, pavarësisht nga të gjitha!”.

Kuptimi i vuajtjes gjindet në Krishtin

Misteri i jetës së krishterë përmblidhet në dinamizmin e Pashkëve, të vdekjes e ngjalljes së marrë në Pagëzim. Me zhytjen në ujë, njeriu duket sikur varroset bashkë me Krishtin, për të ridalë përsëri përmbi, me një jetë të re. E kështu edhe vuajtja e vdekja në Krishtin gjejnë kuptimin e tyre të fundit. Papa Françesku nënvizoi se mënyra si e jetojmë sëmundjen dhe gjymtimin, bëhet treguese e dashurisë, që jemi të gatshëm ta dhurojmë:

“Mënyra sesi e përballojmë vuajtjen dhe cakun e fundit, është kriteri i lirisë sonë për t’i dhënë kuptim përvojave të jetës, edhe kur duken abusurde e të pamerituara. Të mos turbullohemi, prandaj, nga këto trazira”.

Kisha, Korpi i Krishtit, ruan plagët, që u shndërruan përgjithnjë në dashuri.

Gjatë Meshës u ndoqën disa dëshmi feje, në situata dhimbjeje, si ajo e Enrico Petrillo-s, bashkëshort i Chiara Corbella-.s, vdekur vetëm 28 vjeçe për shkak të një tumori, zbuluar gjatë shtatzanisë, si dhe e rregulltarit të njohur redentorist, atë Cyril Axerols, shurdh-memec, që dëshmoi se ka akoma shumë të bërë në ndihmë të të gjymtuarve, si ai vetë.

Në përfundim mund të themi me plot gojën se i sotmi ishte një kremtim eukaristik, që u shqua për mikpritjen, për përfshirjen e të gjithëve e, sidomos, për mëshirën e  provuar në të gjithë forcën e saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.