2016-06-12 18:12:00

Në Monreale, në Sicili, lumnohet Maria e Jezusit Santocanale


Në katedralen e Monreale, në Sicili, sot pasdite u lumnua Maria e Jezusit Santocanale, themeluese e Motrave Kapuçine të Zojës Lurdë. Kremtimin eukaristik e kryesoi kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe përfaqësues i Papës. Bashkëkremtuan me të të gjithë ipeshkvijtë e zonës, si dhe të tjerë, ardhur edhe nga Brazili, Shqipëria, Meksika e Madagaskari, vende ku janë të pranishme shtëpitë e rregulltareve kapuçine.

“Zonja Nënë” - kështu thirrej Maria e Jezusit Santocanale, për të nënvizuar si fisnikërinë, ashtu edhe shenjtërinë e saj, në përkim sa me prejardhjen aristokratike, aq edhe me sjelljen amtare, mikpritëse, dashamire, pikërisht ashtu si i takon  dishepulles së Krishtit.

Në shekull Karolina Konçeta Angjela, lindi në Palermo, më 2 tetor 1852, në një familje të pasur të borgjezisë së lartë, ku mori edukim vërtetë të denjë për bijtë e shtresës, së cilës i përkiste. Fëmijërinë e kaloi në një atmosferë të trazuar nga ndryshimet shoqërore e politike të kohës. Shumë aktive në famulli, në vitin 1887 shkoi në Cinisi, ku nisi apostullimin e zellshëm përmes mësimeve të katekzimit e veprimtarive bamirëse. Në të njëjtin vit veshi zhgunin e terciares françeskane kapuçine, duke marrë emrin Motër Maria e Jezusit. 

Kardinali Amato reflekton kështu për të Lumen e re:

“Laikë e rregulltarë të shumtë japin dëshmi nga më prekëset për dritën ungjillore, që rrezatonte e Lumja Maria e Jezusit, shpirt vërtet i zgjedhur. Jo vetëm laikët, por dhe meshtarët kishin nderim aq të thellë e devocion aq të madh ndaj saj, sa ia puthnin dorën. Kur shikonte se nuk po e vërente kush, i afrohej portëzës së tabernakullit e trokiste në të. I kërkonte Krishtit hiret e nevojshme për të kapëcyer vuajtjet e përditshme, që nuk u mungojnë as shenjtorëve. Përkundrazi, ndoshta i kanë dhe më të rënda se të njerëzve të zakonshëm. E fryma e fesë së saj shprehej edhe përmes devocionit të thellë ndaj Zojës Rruzare”.

E lumja themeloi Motrat kapuçine të Zojës Lurdë, për të shkolluar fëmijët e të varfërve e për t’i ndihmuar, kështu, edhe prindërit e tyre skamnorë e të sëmurë, edhe në shtëpi, po të kishin nevojë. Prej këndej sa ishte ende gjallë,  meritoi një titull të veçantë: “Dom Bosko me fustan”.








All the contents on this site are copyrighted ©.