2016-06-11 04:00:00

Papa do të takohet me anëtarët e ROACO-s, ndihmë për Kishat Lindore


Nga 13 deri më 16 qershor, do të mbahet në Vatikan, si çdo vit, Asambleja e 89-të e Përgjithshme e ROACO-s (Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), kryesuar nga Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri. Do të shqyrtohet gjendja e Kishave Katolike Lindore në Lindjen e Mesme, në Ukrainë, në Tokën Shenjte e në diasporën e këtij riti në Indi. Me praninë e disa ekspertëve në këtë fushë, një sesion i veçantë do t’i kushtohet formimit të meshtarëve dhe të rregulltarëve të ritit katolik lindor.

Do të jenë të pranishëm edhe nuncët apostolikë në Lindjen e Mesme e në Ukrainë, si edhe përfaqësues të dikasterve të ndryshme të Kuries Romake. Përveç kësaj, marrin pjesë disa ipeshkvij nga India e nga Toka Shenjte. Papa Françesku do t’i presë në përfundim të asamblesë, më 16 qershor.

Kujtojmë se ROACO është një Komitet, që mbledh të gjitha agjencitë e veprat e vendeve të ndryshme të botës, të cilat impenjohen në mbështetjen financiare të Kishave Lindore në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga ndërtimi i vendeve të kultit tek bursat e studimit, nga institutet edukative e shkollore në ato, që i kushtohen ndihmës shoqëroro-shëndetësore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.