2016-06-11 10:57:00

Më 11 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Barnabën Apostull.


Më 11 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Barnabën Apostull. Quhej Jozef, para se të lidhej me apostujt. Me origjinë nga Qipro, ai shiti gjithçka pati dhe paratë që fitoi nga shitja e pasurive, i vuri tek këmbët e Apostujve, të cilët që nga ai çast nisën ta thërrasin Barnaba, që do të thotë Bir i ngushëllimit. Në Veprat e Apostujve, Barbana, paraqitet pikërisht përmes këtij gjesti, që flet për kthesë rrënjësore të jetës së tij duke përqafuar udhën e Jezu Krishtit.

Barnaba është një figurë që del në plan të parë në bashkësinë e flaktë të krishterë të Jerusalemit pas Rrëshajësh. Ndonëse u përket 72 nxënësve të Krishtit, thirret apostull. Gëzon një respekt aq të madh ndërmjet të Dymbëdhjetëve, sa që ata e zgjedhin për të ungjillëzuar Antiokinë.

Barnaba, qe i pari që përhapi dyshime mbi kthimin e Shën Palit në fenë e krishterë pranë bashkësisë besëpakë të Jerusalemit, i pari që e shoqëroi Palin në shtegtimin e tij të parë apostolik, por edhe i pari që u ndesh me të për praninë e Gjon Markut në shtegtimin e dytë.

“Pra, edhe ndërmjet shenjtorëve ka mosmarrëveshje e mospërkime – pati thënë Papa Benedikti XVI gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme të 31 janarit 2007, kushtuar bashkëpunëtorëve të shën Palit. E kjo mua më duket shumë ngushëlluese, sepse shikojmë që shenjtorët nuk ranë nga qielli, por ishin njerëz si ne, me probleme e edhe me mëkate. Të jesh shenjt nuk do të thotë të mos kesh gabuar kurrë, por të kesh aftësinë të pendohesh, të rifillosh e, mbi të gjitha, aftësinë të pajtohesh e të falësh”.

Në se Barnaba me gatishmërinë e tij fillestare për t’i shërbyer Saulit të Tarsit, qe ai që ia ktheu Palin Kishës, Sila ose Silvani qe ai që qëndroi përkrah Palit, pas ndarjes nga Barnaba, Shkrimet apokrife flasin për një udhëtim të Barnabës në Romë dhe martirizimin e tij, rreth vitit 70 në Salaminë, ku u mbyt me gurë nga hebrenjtë e diasporës greke.

********

Shenjtorët janë njerëz si ne e shenjtërimi është fryt i pendesës dhe i aftësisë për të rifilluar jetën pas mëkatit sipas vullnetit të Zotit: kështu tha Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 31 janarit 2007 kushtuar bashkëpunëtorëve të shën Palit.

“Shenjtorët janë njerëz si ne, me probleme e mëkate; shenjtëria e tyre është fryt i pendesës dhe i aftësisë për të rifilluar, pas mëkatit”: kështu u shpreh Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 31 janarit 2007 duke folur për Barnabën, Silvanin e Apolin, shokë të Shën Palit në misionet e tij të para.
Shenjtorët janë njerëz si ne, me probleme e mëkate e shenjtëria e tyre është fryt i pendesës dhe i aftësisë për të rifilluar rrugën e Zotit, pas mëkatit: kështu u shpreh Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 31 janarit 2007 kushtuar bashkëpunëtorëve të Shën Palit, Barnabës, Silës dhe Apolit, duke vënë theksin mbi rëndësinë e shërbimit të besimtarëve në Kishë, secili në rolin e vet.

Duke filluar nga Papa, tek kardinajtë, ipeshkvijtë e deri tek besimtari më i përvujtë, çdo i krishterë është shërbëtor i Ungjillit dhe i Kishës. E të gjithë janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, sepse edhe ndërmjet shenjtorëve ka pasur mospërkime theksoi Papa Ratzinger. Tek shenjtëria nuk arrihet vetëm përmes një jete pa mëkat, por edhe përmes aftësisë për t’u penduar për mëkatet. Këta janë dy mësimet kryesore, nënvizuar në mes të duartrokitjeve, që karakterizuan audiencën e të përgjithshme të 31 janarit 2007 të Benediktit XVI, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, në praninë e 8 mijë besimtarëve, kushtuar bashkëpunëtorëve të Shën Palit, Barnabës, Silës dhe Apolit.

Papa Benedikti XVI foli për tre apostuj, modele zemërgjerësie e bujarie, që i lidh një fill i vetëm: bashkëpunimi me Shën Palin në kohë e vende të ndryshme. Paraqiti tre shembuj të unitetit të një Kishe, e cila nuk bën dallime ndërmjet atyre që i shërbejnë Ungjillit.
Për këtë reflektim mbi brishtësinë e natyrës njerëzore, nga e cila nuk përjashtohen as njerëzit e Kishës, Ati i Shenjtë Ratzinger e mori shtytjen nga marrëdhëniet, shpeshherë të trazuara, ndërmjet Shën Palit dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Shën Barnabës. Duke gërshetuar njohuritë e biblistit me humanitetin e personazheve, që ishin në qendër të katekizmit.

Benedikti XVI foli për Barnabën, Silvanin e Apolin, shokë të Shën Palit në misionet e tij të para, por edhe njerëz të cilëve nuk u munguan mosmarrëveshjet ndërmjet tyre e edhe me bashkësitë që i mirëpriten e strehuan. Rasti më i njohur - kujtoi Papa Ratzinger - është ai i Barnabës, i pari që përhapi dyshime mbi kthimin e Shën Palit në bashkësinë besëpakë të Jerusalemit, i pari që e shoqëroi Palin në shtegtimin e tij të parë apostolik, por edhe i pari që u ndesh me të për praninë e Gjon Markut në shtegtimin e dytë.

“Pra, edhe ndërmjet shenjtorëve ka grindje, mosmarrëveshje e mospërkime – tha Papa Benedikti XVI. E kjo mua më duket shumë ngushëlluese, sepse shikojmë që shenjtorët nuk ranë nga qielli, por ishin njerëz si ne, me probleme e edhe me mëkate. Të jesh shenjt nuk do të thotë të mos kesh gabuar kurrë, por të kesh aftësinë të pendohesh, të rifillosh e, mbi të gjitha, aftësinë të pajtohesh e të falësh”.

Në se Barnaba - vërejti Benedikti XVI - me gatishmërinë e tij fillestare për t’i shërbyer Saulit të Tarsit, qe ai që ia ktheu Palin Kishës, Sila ose Silvani qe ai që qëndroi përkrah Palit, pas ndarjes nga Barnaba, gjatë udhëtimeve në Maqedoni ndërmjet Filipit e Selanikut. Në letrën drejtuar Selanikasve – shpjegoi Papa Ratzinger – ai njihet si i dërguar së bashku me Palin e me Timoteun. E kjo e dhënë nuk është pa rëndësi. “Edhe kjo më duket e rëndësishme. Pali nuk vepron i vetëm, thjeshtë si individ, por me bashkëpunëtorët e Kishës, të cilët i quan ‘ne’. Pali nuk është kurrë i izoluar, i mbyllur në ‘unin’ e vet; ‘uni’ i tij është gjithnjë i lidhur me njerëzit e Kishës e të fesë apostolike, që ai i quan ‘ne’.

Shoku i tretë i Palit është Apoli, hebre me origjinë nga Aleksandria e Egjiptit. Kur, pas kthimit në fenë e krishterë, arrin në Korint për të predikuar Ungjillin, aftësia me të cilën kumton vlerësohet aq shumë, sa të krishterët e Korintit nisin t’u kundërvihen anëtarëve të tjerë të Kishës. Lind, kështu, një mosmarrëveshje e re, që shkakton reagimin e Palit, i cili shkruan: “Si unë, si Apoli, nuk jemi tjetër, veçse diakonë, dmth shërbëtorë të thjeshtë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që i dha Hyji”. Edhe prej këndej – vijoi Benedikti XVI, marrim një mësim të çmuar.
“Kjo fjalë vlen edhe për sot. Të gjithë, Papa, kardinajtë, ipeshkvijtë, meshtarët, laikët, jemi të gjithë shërbëtorë të përvujtë të Jezu Krishtit. I shërbejmë për aq sa mundemi Ungjillit, sipas dhuratave tona e i lutemi Zotit ta përhapë sa më shumë Ungjillin e tij, Kishën e tij”.

Sfidat e sotme kërkojnë nga Kisha guxim apostolik – tha Papa Benedikti XVI dhe, duke iu drejtuar besimtarëve, theksoi: - Pishtari i fesë që keni marrë në pagëzim, duhet mbajtur i ndezur me lutje e me ndjekjen e sakramenteve; ai duhet të ndrisë në fjalët tuaja e në shembullin tuaj, në mënyrë që të gjithë të marrin dritë e ngrohtësi nga drita e ngrohtësia juaj.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.