2016-06-10 00:00:00

Viti Shenjt i Mëshirës: "Nga mëshira, tek kujdesi"


 “Jubileu i Vitit Shenjt të Mëshirës”. Në emisionin radiofonik n. 42: nga mëshira, tek kujdesi. Në rubrikën radiofonike kushtuar Vitit Shenjt të Mëshirës, në emisionin e 41-të, folëm, për  tragjedinë e njeriut, në prag të vdekjes, që krijon konflikt dramatik ndërmjet një Samaritani e dy priftërinjve të Tempullit. Drama luhet në kornizën e njërës nga shëmbëlltyrat më të njohura, rrëfyer nga Jezusi në Ungjill, për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “Kush është i afërmi im? Ai, që më braktis në orën e zezë të jetës? Që më shkakton trazira? Që më ngul thikën pas shpine? Apo i afërmi është  krejt tjetër.  Prift a besimtar shekullar qoftë”.

Shëmbëlltyra, që e ndoqëm në dy emisionet e mëparshme radiofonike, sot arrin tek kthesa, duke saktësuar se një Samaritan pati mëshirë për njeriun, që po jepte shpirt (33), aq sa, në fund të fundit, edhe doktorit të Ligjit i duhet të pranojë se “i afërmi është ai, që e mëshiroi  njeriun e handakosur” (Lk 10,37). Ia vlen të ndalohemi tek folja  që shpreh dhembshurinë e Samaritanit. Folja “e mëshiroi” (në hebraisht splanchnízomai) rrjedh nga emri splánchna që, në greqisht, ka kuptimin  e përmbrendcave njerëzore, përfshirë edhe zemrën. Sipas mënyrës së zakonshme të mendimit në kohën e Jezusit, fjala përmbrendca kishte kuptimin e ndenjave: dashurisë, dhembshurisë, mëshirës. Samaritani nuk  rri duke e shikuar  për seri njeriun në prag të vdekjes, por preket deri thellë në përmbrendca: kjo ndjesi, që përfshin gjithë qenien e tij, e shtyn ta shpëtojë njeriun në grahma.

Dhembshuria nuk është vetëm ndjenjë, por edhe veprim, që të nxit të kujdesesh për të afërmin. Duke i kushtuar vëmendje hollësive, Jezusi tregon fill e për pe si e ndihmoi Samaritani njeriun e flakur përdhe, pa frymë: iu afrua, ia lau plagët, ia lidhi, e ngarkoi mbi kal, e çoi në bujtinë e e mjekoi me duart e veta. E, si kaloi nata e parë, më e rrezikshmja, Samaritani vërejti se i sëmuri ishte ende i gjallë. Atëherë lëshoi në dorë të të zotit të bujtinës dy denarë, që përkojnë me dy ditë pune. E ndërsa u bë gati t’i jepte lamtumirën, për të vijuar shtegtimin e nisur, e siguroi se po të shpenzonte më shumë, do ta paguante sapo të rikthehej.

Shëmbëlltyra fillon e mbaron pa thënë asnjë fjalë për njeriun, në hjekashpirt: nuk flitet as për origjinën e tij, e as për gjendjen e tij shoqërore. E gjithë vëmendja përqendrohet mbi atë, që e merr nën kujdes aq, sa është gati ta paguajë me jetën e vet, shpëtimin e tjetrit. Dhembshuria e vërtetë i shërben së mirës e fiton, pavarësisht nga humbja e kohës dhe e parave, që shkrihen për tjetrin a për të tjerët. Komenton mirë Shën Ambrozi i Milanos: “Nuk është gjaku, por dhembshuria, që të bën të afërt me tjetrin” (Paraqitje e Ungjillit sipas Lukës). E populli shqiptar: “Vëlla të kam, por të afërm s’të kam” (Fjalë të urta).

Përmbysja
Pyetjes së doktorit të ligjit, Jezusi i gjegjet me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë; e shembëlltyra e ndriçon jetën, sepse e kthen përmbys  mënyrën e zakonshme të të menduarit. Lidhur me diskutimet e ndezura të kohës së Jezusit, vërejtëm se pyetja “Kush është i afërmi”, ishte në qendër të vëmendjes. Çdo grup a lëvizje kishte mendimin e vet për të afërmin, që duhej dashur. Jezusi jep përgjigjen më origjinale të mundshme, sepse, me ndihmën e ngjarjes që rrëfen shëmbëlltyra, e përmbys krejt diskutimin.

Nëse në krye i afërmi është gjysëm i vdekuri, në fund është Samaritani. Njeriu, që po jep shpirt, i përgjigjet pyetjes së doktorit “Kush është i afërmi im”, ndërsa Samaritani, asaj të Jezusit: “Kush prej këtyre të treve ishte i afërmi i fatziut, që e sulmuan cubat?” (v.36). Doktori nuk kujtohet akoma se po bëhet palë në gjykim. Me një vërtetësi çarmatosëse pranon se i afërmi nuk është më njeriu në grahma, por kush pati mëshirë për të. Kështu detyrohet të japë gjegjen, të cilën nuk do ta dëshironte: i afërmi është Samaritani, të cilit, megjithatë, nuk ia shpërblen goja t’ia kujtojë emrin.

Atëherë Jezusi i dëfton se shëmbëlltyra e ndriçon jetën. E nxit të hyjë në logjikën e saj, si hyn lexuesi në rrëfim, e të veprojë si Samaritani, duke u shndërruar në të afërmin e tjetrit. E bërë duke u nisur nga tjetri, pyetja  për të afërmin nxit një diskutim pa fund. Vetëm kur i drejtohet vetvetes, krijohet edhe mundësia e zgjidhjes së çështjes: Shëmbëlltyra e shndërron mënyrën e zakonshme të të menduarit për tjetrin, duke u nisur nga vetvetja. Të kujton se duhet t’i bësh tjetrit, atë që të pëlqen të ta bëjnë ty! E se i afërm nuk mund  të quhet njeriu, që dallohet për origjinën fetare, kulturore ose shoqërore, por ai, që ka mëshirë për ty, domethënë, për të afërmin.  








All the contents on this site are copyrighted ©.