2016-06-10 15:07:00

Papa Kishave të reformuara: të bashkuar, për të dëshmuar Mëshirën e Zotit


Gjithë të krishterët të jenë të bashkuar në dëshmimin e mëshirës, në një botë, që jeton “sikur të mos kishte Zot”. Është thirrja e Papës në audiencën me delegacionin e Kryesisë së Bashkimit Botëror të Kishave të Reformuara. Ngjarje - nënvizoi - që duhet parë si një hap i ri në udhën ekumenike. E, në vijim, i nxiti të pranishmit ta thellojnë ekumenizmin që promovon misionin e përbashkët të shërbimit. Kujtojmë se vizita e fundit  e një delegacioni të Kishave të reformuara tek Papa, u bë dhjetë vjet më parë, nën papninë e Benediktit XVI.

“Shenjë e frytshme e vendosmërisë sonë ngulmuese për të ecur së bashku në shtegtimin drejt bashkimit të plotë”. Françesku e quajti kështu audiencën me delegacionin e Kryesisë së Bashkimit Botëror të Kishave të reformuara, për të vënë menjëherë pas theksin mbi hapat e bëra nga Kisha katolike dhe Kishat e reformuara gjatë viteve të fundit. Një vëllazërim - nënvizoi duke i bërë jehonë Shën Gjon Palit II - që i ka rrënjët në pranimin e një Pagëzimi të vetëm e nuk është pasojë e ndonjë filantropizmi liberal. Papa kujtoi, më pas, edhe rëndësinë e përfundimit të fazës së dialogut teologjik ndërmjet Bashkimit Botëror të Kishave të reformuara dhe dikasterit për Bashkimin e të Krishterëve me temë: “Shfajsimi dhe sakramentaliteti: bashkësia e krishterë si veprimtare e drejtësisë”.

Feja jonë në Krishtin - vijoi Papa - na nxit ta jetojmë dashurinë e krishterë përmes gjestesh konkrete. E - shtoi në vijim - në një botë ku ndeshemi shpesh me shkretëtira shpirtërore, gjithë të krishterët janë të thirrur ta dëshmojnë së bashku dashurinë e mëshirshme të Zotit, ilaç i vërtetë përballë përhumbjes dhe indiferencës, që duket sikur na rrethojnë.

 “Especialmente allí donde se vive como si Dios no existiera…”

Posaçërisht atje, ku jetohet sikur të mos kishte Zot - tha në vijim Ati i Shenjtë - bashkësitë tona të krishtera janë të thirrura të jenë amfora, që shuajnë etjen e njeriut për shpresë, prani, që janë në gjendje të frymëzojnë vëllazërimin, takimin, solidaritetin, dashurinë e vërtetë, pa kurrfarë interesi. Ato - vijoi - janë të thirrura ta pranojnë e ta gjallërojnë hirin e Zotit, për të mos u mbyllur në vetvete e për t’i hapur udhën misionit. Nuk është e mundur - kujtoi Papa - ta komunikosh fenë, duke e jetuar në mënyrë të izoluar, ose në grupe të mbyllura, të ndara, në një lloj autonomie të rreme e imanentizmi komunitar. Duke vepruar kështu, nuk mund t’i japim përgjigje etjes së Zotit, që na thërret e që buron edhe nga forma të tjera, të  shumënumërta, të të jetuarit të fesë.

“Se necesita urgentemente un ecumenismo…”

Kemi nevojë urgjente për ekumenizëm - shtoi Papa - në mënyrë që njëherësh me përpjekjet teologjike për të kapërcyer moskuptimet doktrinore ndërmjet të krishterëve, të promovojmë misionin e përbashkët të ungjillëzimit e të shërbimit. Natyrisht - vijoi - ka një mori nismash  e bashkëpunimesh të frytshme, në vise të ndryshme. Gjithsesi – kujtoi përsëri Papa - mund të bëjmë më shumë së bashku, për t’i dhënë një dëshmi të gjallë kujtdo, që pyet për arsyen e shpresës sonë: të transmetojmë dashurinë përdëllyese të Atit tonë, të cilën e marrim falas e falas jemi të thirrur edhe ta japim përsëri.

“Que este encontrarnos sirva de ánimo…”

Uroj që takimi ynë - përfundoi Françesku - t’i frymëzojë të gjitha bashkësitë e reformuara dhe ato katolike, ta vijojnë punën së bashku për t’ua transmetuar gëzimin e Ungjillit burrave e grave të kohëve tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.