2016-06-10 13:56:00

Më 10 qershor kalendari Kishtar përkujton të Lumin Gjon Dominiçi


Më 10 qershor kalendari Kishtar përkujton të Lumin Gjon Dominiçi. Gjon Dominiçi është njëri ndër rregulltarët më të shquarit e Urdhrit të Domenikanëve. I madh për doktrinën e shenjtërisë, hartoi (shestoi) dhe aktualizoji reformën e kuvendeve rregulltare e të manastireve. Me veprën e tij e me autoritetin që gëzonte ndihmoi në ribashkimin e skizmës së Kishës në Koncilin e Konstancës.

Gjon Dominiçi qe mësues i të Lumit Angjeliko dhe të shëna Ndout të Firences. Lindi nga fundi i vitit 1355 nga Paola Zorzi, një fisnike veneciane, që mbet e vejë në moshën 20 vjeçare, pak para lindjes së djalit. Në moshën 17 vjeçare Gjoni hyri në kuvendin e rregulltarëve dominikan të Santa Maria Novella në Firence, ndonëse belbëzonte, gjë që mund ta pengonte seriozisht në rrugën e formimit të tij meshtarak, duke pasur parasysh se etërit dominikanë janë të njohur posaçërisht si predikatarë të Fjalës së Zotit. Po Gjoni u shërua mrekullisht me ndërmjetësimin e shën Katerinës.
Ende i ri, Gjoni u emërua ambasador i zotërinjve fiorentinë. Më pas u emërua dhe shugurua ipeshkëv i Raguzës, pastaj u krijua kardinal e shpesh herë qe delegat papnor. Gregori XII e ngarkoi ta përfaqësonte në Koncilin Kishtar në Konstancë. Ndërroi jetë më 10 qershor të vitit 1418 në Budapest, ku e kishte dërguar Papa Martini V për të kërkuar rrugën e pajtimit me husitët.








All the contents on this site are copyrighted ©.