2016-06-10 19:44:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 11-të gjatë vitit “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik. Liturgjia e  Fjalës e kësaj së diele, na thërret të reflektojmë mbi përdëllimin dhe faljen e Hyjit. Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është falja.

Programin e plot kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund ta dëgjoni edhe këtu........

Ungjilli i së dielës na kujton se Jezu Krishti është fytyra e mëshirshme e Hyjit Atë që mishërohet. E njëra prej tipareve themelore që karakterizon ungjillin e Lukës, është fakti se në Jezu Krishtin, Hyji e ka manifestuar mëshirën e vet për ne, burra e gra mëkatarë. E pasi që vetëm Zoti mund t’ua falë njerëzve mëkatet e tyre dhe t’i pranojë sërish në përqafimin e vet, duke bërë këtë Jezusi shfaqet si ‘Bir’ i Hyjit.

Fragmenti ungjillor i kësaj së diele duke folur për faljen e gruas mëkatare, na flet për mëshirën e Atit Qiellor që shfaqet në Krishtin ndaj çdo njeriu mëkatar. Ai nuk e përçmon tryezën e farisenjve dhe me ta thur një dialog, por nuk e përbuzë e nuk e refuzon as mëkatarin. Pikërisht duke na kujtuar këtë perspektivë, Kisha sot, na thërret edhe ne të reflektojmë mbi mëshirën e Zotit, madje për faljen e pakufishme të Hyjit, duke na vënë para dy figura mëkatarësh të penduar: Davidin dhe një grua mëkatare publike.

Falja, që Jezusi ia ofron gruas mëkatare, është një vepër mëshire bujare, falas, që një krijesë nuk mund ta meritojë, mirëpo gjithmonë mund ta kërkojë. Falja e fituar nga Zoti na bënë të jetojmë si vëllezër. Dashuria e Hyjit, shfaqet e mishërohet pikërisht në faljen e pakufishme në Jezu Krishtin, i cili na shpëton nga mëkatet e na bën pjesëtarë të përqafimit të Atit Qiellor. Njeriu, që pendohet e rrëfehet me sinqeritet për mëkatin e vet para Hyjit, fiton e përjeton pikërisht përdëllimin e pa masë të Tij Hyjnor.

E mirë pra, të pajtuar e të bashkuar me Hyjit Atë, me e në flijimin e Krishtit, së pari duhet ta falënderojmë Hyjin e Gjithëpushtetshëm, që na ofron faljen e shëlbimin e, së dyti duhet të përgatitemi, madje të falim edhe ne njëri-tjetrin, ashtu siç na fal Ai ne. Të mos harrojmë se falja e pajtimi, në Bibël, nuk janë thjesht një fshirje me shpuzë e mangësive, e mëkateve dhe gabimeve tona ndaj Zotit e të afërmit, që kemi bërë në të kaluarën. Po shumë më tepër, do të thotë rivendosje e një kontakt të ri, do të thotë të jetosh si bir e bijë e rilindur e Zotit, pjesëmarrës të Jetës Hyjnore.
Jezu Krishti na mëson se përdëllimi (mëshira) i Hyjit nuk është edukim, por dashuri që dhuron jetën, që rilind zemrën, atë jetë që nuk ka mbarim e që buron vetëm e vetëm nga Hyjit Atë. 

           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Sam 12, 7-10. 13
Davidi ka bërë një mëkat të madh, por profeti Natan shpall se Hyji nuk mendon për ndëshkim dhe ritet e pastrimit nuk kanë vlerë. Nuk janë ndëshkimet apo ritet e larjes që ndreqin të keqen e kryer, por marrëdhëniet personale të njeriut me Hyjin dhe vëllezërit. 
Pas mëkatit njeriu që kthehet, mund të rizbulojë një marrëdhënie më të thellë me Hyjin.

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit. Në dorën tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde, e lëshova edhe mbarë Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër. 
Pse atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve të Amonit! Për këtë arsye askurrë nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote.” Atëherë Davidi i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit!”  E Natani i tha Davidit: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh. Fjala e Zotit.

Psalmi 32
Ma e jep, o Zot, faljen tënde! 

----- ----- -----
Lum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!
Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron 
ndër mëkatarë,
në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
----- ----- -----
Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,”
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
----- ----- -----
Ti je strehimi im, ti më ruan 
prej vështirësisë,
do të më rrethosh me këngë gëzimi.
----- ----- -----
Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë,
brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.
----- ----- -----

Leximi i dytë Gal 2, 16. 19-21
Pali për herë të parë këndon vdekjen e Krishtit në vetvete. Për Palin kryqi bëhet mënyra për të kryqëzuar ligjin, për të shkatërruar në ne hipokrizinë e bindjes së jashtme ndaj ligjit. 
Kryqi na bën të aftë për të jetuar dhuratën falas të Hyjit në lirinë e vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, e dimë se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e ligjit, sepse askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë me anë të veprave të ligjit. 
Sepse, me anë të ligjit, vdiqa për ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua. Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi po u fitoka me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Hape, o Zot, zemrën tonë, 
që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja

Ungjilli Lk 7, 36 – 8, 3
Për njerëzit të hash në të njëjtën tavolinë do të thotë të takohesh, të kesh një dialog, të mësosh të njihesh, të vendosësh bazat për një miqësi që zgjat, duke iu dhuruar njëri-tjetrit. 
Por, në drekën në të cilën merr pjesë Jezusi, të ftuarit, i flasin me urrejtje në zemër. Hyn në sallë një prostitutë që ndez situatën: të pranishmit gjykojnë keq jo vetëm Jezusin, por edhe gruan, sepse janë të mbyllur në hipokrizinë e tyre. 
Por Jezusi e mikpret dhe pranon prej saj gjeste dashurie.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, zuri vend pas tij, te këmbët e tija, dhe, duke qarë, filloi me lot t’ia lajë këmbët, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.
Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.” 
Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Simon, dua diçka të të them.” “Fol, Mësues!” – iu përgjigj ai. “Një huadhënës – vazhdoi Jezusi – kishte dy detyrës. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë dinarë. Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta duajë më fort?” Simoni iu përgjigj: “Mendoj ai, të cilit i fali më shumë.” “Mirë pleqërove!” – i tha Jezusi. 
Dhe, si u suall kah gruaja, i tha Simonit: “A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, qysh se hyri, nuk pushon të m’i puthë këmbët. Ti nuk ma leve kryet me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.” Atëherë i tha gruas: “Të janë falur mëkatet!” 
Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendojnë në vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!” Por ai i tha gruas: “Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!” Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të dymbëdhjetët dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta i ndihmonin Jezusit e nxënësve. Fjala e Zotit. 

Ajo grua, qe guximtare, Jezus:

hyri në shtëpinë e një fariseu,

të një personi me moral të ‘pastër’,  të ‘ndarë’.

të një personi që i mbante në distancë

ato që ishin si ajo grua,

ato me të kaluarën e tyre

jo bash aq të ndershme.

 

E nëse gruaja ia behu papritmas në atë sallë,

në midisin e drekës e para të gjithëve,

nuk e bëri për të sfiduar

atë grup njerëzish të ditur,

por pse të kërkonte ty.

 

Ajo grua nuk hezitoi

as për një çast, Jezus,

të ekspozohej personalisht:

i lagu me lot këmbët tua,

i fshiu me flokët e vet,

i puthi dhe i leu me parfum.

 

Nëse i bëri këto gjeste,

nuk i bëri për të vënë ty në vështirësi,

për të krijuar një situatë të palakmueshme,

por për ta treguar deri në fund

tërë dashurinë e vet, përzemërsinë e vet,

tërë dëshirën e vet për t’u

pranuar, falur, ndryshuar

nga mirësia jote e pamasë.

 

Ti e kuptove dhe e pranove, Jezus,

fenë e asaj gruaje,

ti i vlerësove gjestet e saj bërë me përzemër,

ti ia lexove zemrën e saj,

thellësinë e shpirtit të saj.

 

Dhe e shkëpute prej kthetrave të së keqes,

e shndërrove dhe pajtove,

ia hape udhën e shpëtimit.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.