2016-06-10 12:49:00

Françesku: Zoti takohet në këmbë, në heshtje e në dalje


Jeta e të krishterit mund të përmblidhet në tri mënyra sjelljeje: të jetë “në këmbë” për të pritur Zotin; “në heshtje” durimtare, për t’ia dëgjuar zërin; “në dalje” për t’ua kumtuar të tjerëve. E shpjegoi Papa gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Mund të jesh mëkatar i penduar, që ke vendosur të rifillosh takimin me Zotin, ose i përzgjedhur, që ia ka kushtuar gjithë jetën Atij, por sidoqofsh, mund të të pushtojë frika se nuk je i aftë për të arritur atë që do e kështu mund të të pushtojë gjendja e depresionit, kur feja mjegullohet.

Në këmbë e për udhë

Për ta thelluar këtë aspekt e për të treguar si mund të dilet nga tuneli, Papa kujtoi për një çast gjendjen e djalit plangprishës, zhytur në dëshpërim ndërsa, i uritur për vdekje, shikon derrat që hanë sa ngopen, por sidomos, u përqendrua tek personazhi i liturgjisë së ditës, profeti Elia. Ai, kujtoi Papa, është fitmtar, njeri, që luftoi shumë për fenë, që mundi qindra idhujtarë mbi Malin e Karmelit. Por më pas, kur rifilloi persekutimi,  që e vuri rishtas në shënjestër, e lëshoi zemra. U shtri pa pikën e guximit nën një pemë, duke pritur me dëshirë vdekjen. E edhe do të kishte vdekur, në atë shkretëtirë, nëse Zoti, në këtë gjendje përhumbjeje, nuk do t’i kishte dërguar një engjëll, me urdhërin: “Ngreu, ha, dil!”:

“Për ta takuar Zotin, është e nevojshme të kthehesh në gjendjen, në të cilën ishte njeriu i krijimit: në këmbë e për udhë. Kështu e krijoi Zoti: sipas lartësisë së Tij, sipas shëmbëllimit e shembëlltyrës e për udhë. ‘Shko, ec përpara! Punoje tokën. Bëje të lulëzojë; e shtohuni e shumohuni’. ‘Dil!’. ‘Dil e shko në Mal e ndalu mbi Mal në praninë time!’. Elia u çua në këmbë. E si u çua, doli”.

Filli i një heshtjeje kumbuese

Duhet të dalësh, për t’ia vënë veshin zërit të Zotit. Por, ‘si kalon Zoti?’. Si mund ta takoj Zotin e të jem i sigurt se është Ai vetë?’, pyeti Françesku. Fragmenti i Librit të Mbretërve flet vetë. Elia ftohet nga një engjëll të dalë nga shpella e Malit Horeb, ku strehohet për të qenë gjithnjë në praninë e Zotit. Gjithsesi, për të dalë nuk e shtyn as era e potershme, që tundte malet e thërmonte shkëmbijtë, as tërmeti, që pason, e as zjarri:

“Shumë potere, shumë madhëri, shumë lëvizje, po Zoti nuk ishte aty. E pastaj zjarri, shushuritja e një flladi të lehtë, ose, siç është në origjinal: ‘filli i një heshtjeje tingëlluese’. E aty ishte Zoti! Për ta takuar Zotin, duhet të hyjmë në vetvete e ta dëgjojmë ‘këtë fill heshtjeje tingëlluese’, ‘këtë puhi fryme të hollë, e Ai na flet prej aty”.

Ora e misionit

Kërkesa e tretë e engjëllit drejtuar Elisë: “Dil!”. Profeti ftohet të kthehet nga erdhi, drejt shkretëtirës, sepse i ngarkohet një detyrë, që duhet kryer. Në këtë, nënvizoi Françesku, shikojmë nxitjen ‘për të qenë gjithnjë për udhë, për të mos u mbyllur brenda egoizmit tonë, brenda rehative tona, por për të qenë gjithnjë guximtarë e për t’ua çuar edhe të tjerëve mesazhin  e Zotit. E kjo do të thotë të nisesh për mision’:

“Duhet ta  kërkojmë gjithnjë Zotin. Të gjithë ne kemi provuar çaste të rënda; çaste, që të rrëzojnë përdhe, çaste pa fe, çaste të errta, në të cilat nuk shikojmë para vetes asnjë  dritë, asnjë horizont, çaste kur nuk jemi të zotët të ngrihemi përsëri në këmbë. Të gjithë e dimë këtë! Por na vjen Zoti, na jep jetë me bukën e tij e me forcën e tij e na thotë: ‘Ngreju e ec përpara! Ec! Mos rri!’. Për ta takuar Zotin, duhet të jemi kështu: në këmbë e për udhë. Atëherë mund të presim që Ai të na flasë: me zemër të hapur. E ai do të na thotë: ‘Jam Unë’. E  aty feja bëhet e fortë. Feja është për mua, për ta ruajtur? Jo! Është për të shkuar e për t’ua dhënë edhe të tjerëve, për t’i vajuar edhe të tjerët, për t’ua hapur udhët e misionit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.