2016-06-09 13:47:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: jepuni për të pirë të eturve II


Në kuadrin e Jubileut, në emisionet e rubrikës sonë të së enjtes, jemi duke folur për veprat e mëshirës. Javës së kaluar pamë si e konsideron Besëlidhja e Vjetër veprën “jepuni për të pirë të eturve”. Sot, do të vijojmë me mënyrën e interpretimit të kësaj vepre nga Besëlidhja e Re.

Ujin na e ka dhuruar Zoti e kjo dhuratë arrin plotësinë e vet në kohët mesianike. Vërtet, Jezusi, në ditën e festës së Tëbanave, u ngrit në këmbë e tha: “Kush ka etje le të vijë tek unë! Le të pijë kush beson në mua!” (Gjn 7,37-38). Uji është figurë e hirit hyjnor dhe na jepet falas. Ai rrjedh si dhuratë nga qielli mbi të gjithë njerëzit, sepse Zoti: “bën të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët” (Mt 5,45), në kundërshtim me çdo aspetativë njerëzore.

Në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi takon Nikodemin dhe e njofton për mundësinë e ringjalljes, e cila realizohet përmes “ujit e Shpirtit” (Gjn 3,5), ujë që vjen nga lart, pra, nuk është fryt i riteve njerëzore, por dhuratë e Zotit. Në takimin pranë pusit të Jakobit, Jezusi i zbulon samaritanes se Ai vetë është uji i jetës dhe i premton një ujë “që rrjedh për jetën e pasosur” (Gjn 4,14). Kush pi nga ky ujë bëhet ai vetë burim për të tjerët. Jezusi i kërkon ujë samaritanes, në të njëjtën mënyrë si do ta kërkojë mbi kryq, duke thirrur: “Kam etje” (Gjn 19,28). Jezusi kishte etje për drejtësi e për jetën e amshuar, digjej për t’u kthyer në Mbretërinë e vet, aty ku mbretëron drejtësia e ku “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!” (Mt 5,6). Ai erdhi në këtë botë për t’i përgatitur njerëzit për një jetë më të mirë, jo vetëm për qiell, por edhe për këtu në tokë. Jezusi u premtoi amshimin atyre, që e shohin fytyrën e Tij të mishëruar në atë të tjetrit: “Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!” (Mt 10,42).

         Të vegjlit janë ata, që sjellin kumtin e Ungjillit. Prandaj, kur ndihmojmë ungjillëzimin, me çdo formë - me gjithë vetveten, me lutje e me lëmoshë - në një farë mënyre, u japim ujë të tjerëve. I eturi, shpesh, është pranë nesh. Ka dy lloje njerëzish, që kanë etje: ai që e di ku është burimi, siç lexojmë në Psalme: “O Hyj, Hyji im je ti, që në agim të kërkoj. Ka etje për ty shpirti im” (Ps 63,2), ose “Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj! Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë” (Ps 42,1-2); si edhe ai që nuk e di ku është burimi dhe e ka humbur rrugën.

Nëse e marrim për dore këtë të fundit dhe e çojmë deri tek burimi i ujit të gjallë, që është Krishti, me anë të kumtimin të Ungjillit, por edhe me dëshminë e jetës sonë, vetëm atëherë e kemi zbatuar veprën e mëshirës për t’u dhënë të pijnë të eturve. Vende të tjera, ku mund të gjejmë “etje” për dashuri janë spitalet, shtëpitë për të moshuarit, familjet me fëmijë të gjymtuar, ose të sprovuara nga sëmundja e vuajtja. Detyra jonë është t’ua shuajmë etjen e pafund për Zotin edhe vëllezërve e motrave, pengje të dëshpërimit, lypësve, që s’ua hedh sytë njeri, atyre që, edhe pse kanë luftuar me zjarr për jetën, për një arsye a për një tjetër, janë dorëzuar.

Vetëm tani, pasi ndeshemi në ujin e gjallë, në Jezusin, në Ungjill, e kuptojmë pse t’u japësh të pijnë të eturve është akt dhembshurie dhe një nga veprat e mëshirës, që vetë Krishti u kërkoi dishepujve të vet (shih Mk 9,41). Ai u mësoi atyre të bëhen bukë e ujë për të shuar urinë dhe etjen e çdo njeriu. Lindi kështu Kisha, sipas figurës së përdorur nga Shën Gjoni XXIII, papë: “Kisha është si burimi i vjetër i fshatit, që i shuan etjen brezave të ndryshëm. Ne ndryshojmë, burimi mbetet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.