2016-06-09 13:31:00

Papa: është heretike të thuash “o kështu, o hiç”, Jezusi na mëson realizmin e shëndoshë


Të duash “o kështu, o hiç”, është “ heretike”. Ky qortimi i Papa Françeskut në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, përqendruar mbi “realizmin e shëndoshë” që Jezu Krishti u ka mësuar dishepujve të vet. Papa Bergoglio vuri theksin mbi të keqen, që i shkaktojnë popullit të Zotit njerëzit e Kishës, të cilët bëjnë të kundërtën e asaj që thonë. Prandaj, këshilloi Papa duhet të lirohemi nga ai idealizëm i ngurtë që nuk e lejon pajtimin mes nesh.

“Drejtësia juaj duhet ta tejkalojë atë të skribëve e të farisenjve”. Papa Françesku mori shkas nga qortimi i Jezusi, në Ungjillin e ditës, nga Mateu 5,20-26, për t’u ndalur pastaj te rëndësia e realizmit të krishterë. Populli, pohoi Ati i Shenjtë Bergoglio, ishte “paksa i çorientuar” sepse “ata që mësonin ligjin nuk ishin koherent” me “dëshminë e jetës” së tyre. Jezusi kërkon pra të kapërcehet kjo, të “shkohet më lart”. Kështu, mori si shembull Urdhërin e parë të 10 Urdhërimeve: “Duaje Hyjin dhe duaje të afërmin”. E nënvizoi se kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit.

Ta fyesh vëllain është si të vrasësh shpirtin e tij

“Na bën mirë ta dëgjojmë këtë – tha Papa – në një kohë kur kemi një fjalor kaq të pasur për t’i fyer të tjerët”.  Kjo, theksoi Papa “është mëkat”, është “vrasje”, sepse do të thotë t'i japësh një shuplakë të fortë në shpirt vëllait”, të godasësh “dinjitetin” e tij. E me ironi të hidhur shtoi se shpesh themi kaq shumë fjalë të ndyra e sharje.

E në vazhdim Papa, duke iu referuar pranisë së fëmijëve në Meshë, këshilloi që fëmijët të lihen të “qetë”, “sepse predikimi i një fëmije në Kishë është më i bukur se ai i një prifti, se ai i ipeshkvit e se ai i Papës”. Lëreni fëmijët të bëjnë si të duan, qe thirrja e Papës, “sepse është zëri i pafajësisë që na bënë mirë të gjithëve”.

Shkandullon njeriu i Kishës, që bën të kundërtën e asaj që thotë

Jezusi, shtoi pastaj Papa në homelinë e Meshës , “këtij populli të çorientuar” i kërkon të shikojë “më lart” e të shkojë “përpara”.  E Ati Shenjtë vuri në pah se sa keq i bën popullit kundër-dëshmia e të krishterëve:

“Sa herë ne në Kishë i dëgjojmë këto gjëra: sa herë! 'Po ai prifti, po ai burri, ajo gruaja e Veprimit Katolik, ai ipeshkvi, ai Papë na thonë: ‘Duhet të bëni kështu!’, ndërsa vetë bëjnë të kundërtën. Ky është shkandulli, që e lëndon popullin dhe nuk lejon që populli i Zotit të rritet, të ecë përpara. Nuk liron. Akoma, ky popull e pati parë rreptësinë e këtyre skribëve e farisenjve, e edhe atëherë, kur vinte një profet, që jepte pakëz gëzim, ata e persekutonin e edhe e vrisnin: nuk kishte vend, për profetë, aty. E Jezusi u thotë atyre, farisenjve: ‘Ju i keni vrarë profetët, i keni persekutuar profetët: ata që binin ajrin e ri'".

Ndiqni realizmin e shëndoshë të Kishës, jo idealizmin e ngurtë

“Bujaria, shenjtërimi”, që na kërkon Jezusi, qëndron në “dalje, po gjithmonë, përherë e më lart. Të dalësh më lart”. Ky, tha Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, është “çlirimi” nga “ngurtësia, nga amullia e ligjit e edhe nga idealizmi që nuk na bën mirë”. Jezusi, komentoi pastaj, “na njeh mirë”, “e njeh natyrën tonë”. Na këshillon të merremi vesh atëherë kur kemi ndonjë kundërshti me tjetrin. “Jezusi – tha Papa Françesku – na mëson edhe një realizëm të shëndoshë”. “Sa herë – shtoi – nuk mund të arrihet deri te përsosmëria, por së paku bëni atë që mundeni, vihuni dakord, merruni vesh”:

“Ky është realizmi i shëndoshë i Kishës katolike: Kisha katolike kurrë nuk mëson ‘o kështu, o hiç’. Kjo nuk është katolike. Kisha thotë: ‘Kjo dhe kjo’. ‘Po nëse ndërton e kërkon përsosmërinë: pajtohu me vëllain tënd. Mos e fyej. Duaje. Por nëse ka ndonjë problem, së paku merruni vesh, që të mos shpërthejë lufta’. Ky është realizmi i shëndoshë i katolicizmit. Nuk është katolike të thuash dua ‘o kështu, o hiç’: kjo nuk është katolike. Kjo është heretike. Jezusi di gjithmonë të ecë me ne, na jep idealin, na shoqëron drejt idealit, na liron nga mbyllja brenda një ngurtësie ligjore e na thotë: ‘Po, bëni e ecni deri në pikën që mund të bëni e të mbërrini’. E ai na kupton fare mirë. Ky është Zoti ynë, kjo është ajo që na mëson ai”.

Pajtimi mes nesh përbën “shenjtërimin e vogël” të bisedimeve

Zoti, tha akoma Papa, kërkon prej nesh të mos jemi hipokritë. Të mos shkojmë për ta lëvduar Hyjin me të njëjtën gjuhë, me të cilën e fyejmë vëllain. “Bëni atë që mundeni”, shtoi Papa, “kjo është nxitja e Jezusit”, “së paku shmangeni luftën mes jush, merruni vesh njeri me tjetrin”:

“E më lejoni t'ju them këtë fjalë e cila duket pak e çuditshme: ky është shenjtërimi  i vogël i bisedimeve. ‘Po, unë nuk mundem gjithçka, megjithëse dua të bëj gjithçka, por po merrem vesh me ty, së paku nuk do ta fyejmë njëri-tjetrin, nuk bëjmë luftë e kështu, jetojmë të gjithë në paqe’. Jezusi është i madh! Na liron prej të gjitha mjerimeve tona. Edhe nga ai idealizëm, që nuk është katolik. T’i kërkojmë Zotin të na mësojë, së pari, të largohemi nga çdo ngurtësi, por të dalim e të shkojmë më lart, për ta adhuruar e lëvduar Zotin; të na mësojë të pajtohemi mes nesh; e edhe, të na mësojë të merremi vesh deri në atë masë ku mund të arrijmë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.