2016-06-09 15:12:00

Papa Françesku: vlera e jetës së të sëmurit shndrit mes vuajtjes


Vlera e shenjtë e jetës së të sëmurit “nuk zhduket, as errësohet, por shndrit me më tepër shkëlqim” në vuajtjen e tij. Kështu u tha Papa Françesku drejtuesve të Shoqatës Profesionale të mjekëve të Spanjës e të Amerikës Latine, të cilët i priti në Sallën Klementine në Vatikan, në prag të Jubileut të të sëmurëve dhe të gjymtuarve, në program nga dita e nesërme e deri të dielën. Duke folur në spanjisht para 150 eksponentëve të mjekësisë, Ati i Shenjtë u shpreh sërish kundër eutanazisë, sidomos kur ajo paraqitet si mëshirë për pacientin. Është në lojë dinjiteti i jetës njerëzore e, me të, edhe dinjiteti i vetë profesionit të mjekëve:

“Nuk mund të dorëzohemi para tundimit për të zbatuar zgjidhje të shpejta e drastike, nën nxitjen e dhembshurisë së rreme dhe të kritereve të efikasitetit e të kursimit ekonomik. Në kulturën tonë teknologjike dhe individualiste, dhembshuria, që nuk është mëkat, por do të thotë të vuash bashkë me tjetrin, nuk pranohet gjithmonë”.

  Nganjëherë, madje, vijoi Papa, përbuzet, sepse mund të interpretohet si “poshtërim” nga ai, të cilit i drejtohet. Gjithashtu, ka njerëz që fshihen pas një dhembshurie të rreme për të justifikuar vdekjen e një pacienti:

“Dhembshuria e vërtetë nuk mënjanon, nuk poshtëron e nuk përjashton askënd. Për më tepër, nuk e konsideron si gjë të mirë zhdukjen e një njeriu”.

Nëse nuk do të ishte kështu, vërejti Ati i Shenjtë, do të triumfonte egoizmi, kultura e hedhurinave, që i refuzon e i përbuz ata njerëz, që nuk i plotësojnë standartet e shëndetit, të bukurisë e të dobisë, mbizotëruese në shoqëri:

“Mua më pëlqen t’ua bekoj duart mjekëve, në shenjë mirënjohjeje për dhembshurinë e tyre, që kthehet në përkëdhelje shëndeti. Sepse shëndeti është një nga dhuratat më të çmuara e më të dëshiruara nga të gjithë. Sa mirë i bën mjekësisë të mendojë e ta ndjejë se i sëmuri është i afërmi, se në trupin e tij në lëngim pasqyrohet misteri i vetë korpit të Krishtit”.

Identiteti dhe impenjimi i mjekëve, përfundoi Papa Françesku, nuk bazohen vetëm në njohuri e përvojë, por edhe në qëndrimin e dhembshur e të mëshirshëm ndaj atyre, që vuajnë në korp e në shpirt:

“Dhembshuria pra, është përgjigjja e përshtatshme ndaj vlerës së pafundme të të sëmurit: një përgjigje me respekt, mirëkuptim e ëmbëlsi. Në ushtrimin e profesionit të mjekut ndjehet nevoja e një zemre të dhimbsur, që nganjëherë, nuk përkon me mjetet e teknikat. Nga ana tjetër, brishtësia, dhimbja dhe sëmundja janë sprovë e rëndë për të gjithë, edhe për personelin mjekësor, por janë edhe ftesë për durim, për të ‘vuajtur me’ tjetrin, për të qenë personifikim i mëshirës, sidomos gjatë Vitit të Shenjtë në vijim. Sepse mjeku është si samaritani i mirë: nuk kalon përtej njeriut të braktisur në anë të udhës, por, me dhembshuri, e ndihmon e kujdeset për të”.

Papa Françesku bëri shaka duke thënë se edhe ai vetë ndjen “diçka prej mjeku” brenda vetes dhe i përshëndeti drejtuesit e shëndetësisë së Spanjës dhe të Amerikës Latine, duke u kërkuar të bëjnë mirë, por nuk harroi edhe familjet e tyre, që duhet t’u qëndrojnë mjekëve pranë e t’i kuptojnë, sepse të jesh mjek, për Papën, është thirrje e ngjashme me atë të meshtarit.








All the contents on this site are copyrighted ©.